Greta BEQIRI
Erion Veliaj më në fund gjeti një vend ku premtimet e tij do të mbahen me përpikëri: prapa hekurave, dhe me një mundësi të re për të shpëtuar: arrestimi!
Erioni, që me një dorë mbillte një pemë për foto në Instagram, me tjetrën firmoste leje ndërtimi për të shkulur pyje të tëra. E ndërsa recitonte poezi për qytetin “vibrant”, në sfond kullat betonizoheshin me ritëm më të shpejtë se statuset e tij në rrjetet sociale.
Por si çdo influencer që e tepron me filtrat, edhe Veliaj e kishte harruar një të vërtetë: jeta reale nuk ka Photoshop. Dhe ja ku e gjeti veten sot, me buzëqeshje të ngrirë, pa stilolapsin e firmave magjike, por me prangat e ftohta të ‘kolegëve’ të SPAK-ut. Aty ku dikur ndante dekorata për sipërmarrësit e ndërtimit, tani po nënshkruan procesverbalin e arrestimit të tij.
Erion Veliaj, nga “Tirona Londër” te qelia në Mine Peza
Erion Veliaj e shiti veten si liderin e ri, si politikanin ndryshe, si njeriun e veprave, jo të fjalëve. Por, nëse ka një gjë që bëri më mirë se kushdo tjetër, ajo është fakti që ai ngriti një perandori të tërë me gënjeshtra dhe propagandë. Në fillim, i shpëtoi drejtësisë duke fshirë çdo gjurmë pas vetes, por siç ndodh me çdo fabul të ekzagjeruar, një ditë realiteti të troket në derë. Sot, Veliaj nuk është më ai djaloshi i buzëqeshur që mbillte pemë për kamerat, por politikani i radhës që futet në burg me kokën ulur.
“E dija që do arrestohej Berisha, po unë?!”
Kur lideri demokrat, Sali Berisha u vendos në arrest shtëpie, Erion Veliaj nuk humbi asnjë mundësi për t’u tallur. Ai e quante ish-kryeministrin “non-grata”, “simbol të të shkuarës”, “të harruar nga historia”. Në mitingje dhe intervista bënte batuta të tipit “Po kush merret me këtë të shkretin”, ndërsa i ftonte njerëzit të festonin një epokë të re, epokën e “Tiranës së rilindur”. Ai ishte i bindur se arrestimi i Berishës ishte fundi i opozitës dhe se ai vetë do të mbretëronte i qetë në karrigen e bashkisë edhe për shumë mandate të tjera.
Por jeta ka humorin e saj të zi. Sot, jo vetëm që opozita është aty, duke festuar arrestimin e tij, por edhe vetë Veliaj e ka të pamundur të bëjë konferencat e zakonshme me rrathët elitare pas krahëve të tij. Sepse në qeli, dekorin e zgjedh tjetërkush.
Inceneratori fantazmë i Tiranës!
Ndër mashtrimet më të mëdha të Veliajt, padyshim që kryeson inceneratori i Tiranës. Një incenerator i cili ka marrë qindra milionë euro, por që nuk ekziston. Po, është e vërtetë, Veliaj është i vetmi kryebashkiak në botë që ka paguar për diçka që nuk ekziston dhe e ka mbrojtur me një pasion të tillë, sikur të ishte një nga ato projektet për të cilat merrte çmime imagjinare në Bruksel.
Gjatë viteve të fundit, opozita dhe gazetarët kanë pyetur vazhdimisht: Ku është inceneratori i Tiranës? Pse qytetarët paguajnë për diçka që nuk e kanë parë kurrë? Përgjigjet e Veliajt ishin një përzierje arrogante e propagandës klasike: “Ata që flasin për inceneratorin janë peng të së shkuarës”, “Mos kini merak, çdo gjë është nën kontroll”, “Inceneratori po ndërtohet”. Sot, as incenerator ka, as para, por Veliaj ka diçka që më parë nuk e kishte: kohë të bollshme për të reflektuar mbi gënjeshtrat e tij… në qeli.
Protestat para Bashkisë dhe “të mjerë” që nuk e kuptojnë suksesin e tij…
Sa herë që qytetarët dilnin para Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër korrupsionit, kundër betonizimit të qytetit, kundër taksave të larta apo kundër aferës së inceneratorëve, Veliaj nuk i kursente talljet e tij të zakonshme. “Janë 200 veta të lodhur, as nuk i dëgjon njeri”, deklaronte ai, duke harruar se historia ka treguar se edhe 200 vetë mund të përmbysin një perandori kur kauza është e drejtë.
Ai bënte humor me protestuesit, duke i etiketuar si “të paguar”, “që nuk kanë ç’të bëjnë tjetër”, “që nuk i duan të mirën Tiranës”. Por ndërsa ai bënte batuta, ndërtime pa leje lulëzonin në mes të qytetit, gjelbërimi zhdukej, korrupsioni dhe vjedhjet hapnin thesin dhe qytetarët ishin ata që paguanin faturën e tij politike.
Pylli orbital: Sa pemë, o Erion?
Një tjetër projekt absurd, që ka hyrë tashmë në legjendën e mashtrimeve urbanistike, është famëkeqi “pylli orbital”. Sipas premtimeve të Veliajt, Tirana do të ishte e rrethuar nga një pyll gjigant, i cili do të bënte kryeqytetin më të pastër, më të bukur dhe më të jetueshëm. Në fushata zgjedhore, ai nxirrte fëmijë të vegjël që mbillnin fidanë dhe e shpallte suksesin me bujë të madhe.
Po sot, ku është pylli orbital? Në cilën hartë mund ta gjejmë? Apo mos ndoshta është bashkë me inceneratorin e Tiranës në një realitet paralel, atje ku shkojnë të gjitha projektet fantazma që u kanë kushtuar shqiptarëve miliona euro?
Veliaj, nga selfie-t te hekurat…
Në fund, kjo histori nuk është thjesht për një njeri që u kap duke u pasuruar nga korrupsioni. Është historia e një pushteti të ngritur mbi arrogancë, manipulim dhe propagandë të pastër. Erion Veliaj e besoi aq shumë gënjeshtrën e tij, saqë mendoi se ishte i paprekshëm. Mendoi se sa më shumë të ‘tallte’ opozitën, aq më shumë njerëzit do ta besonin. Se sa më shumë të mbillte fidanë për kamerat, aq më pak njerëzit do të shikonin kullat që ngriheshin në mes të qytetit.
Por Tirana nuk është një skenë marketingu. Njerëzit shohin, kujtojnë dhe në fund, historia e bën punën e saj. Sot, buzëqeshja e ngrirë e Veliajt është zëvendësuar me ftohtësinë e hekurt të qelisë. Nuk ka më koncerte festive, nuk ka më selfie me qytetarë të rastësishëm, nuk ka më statuse të bukura në rrjetet sociale dhe as diell që lind nga Perëndimi.
Tani ka vetëm një realitet të ri për ty: Erion, ke të drejtë të shpërndash supën te burgu!