Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se partia e tij është fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Në fjalën e tij për mediat, Kurti tha se procesi zgjedhor ishte i lirë, demokratik dhe i ndershëm, duke e cilësuar rezultatin e deritanishëm si një konfirmim për qeverisjen e tij.
Ai u shpreh se të gjithë e kanë të qartë se ata që dolën të dytët e të tretët po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa Vetëvendosja.
“Gjithçka ka shkuar sipas procedurave, falënderoj Policinë dhe organet e rendit në përgjithësi. Jemi të parët e ky është konfirmim për një qeverisje të mirë, të mbarë dhe demokratike. Koalicioni ynë do ta formojë qeverisjen tonë 3.
Do t’i vazhdojë punët…Populli fitoi, fitoi Vetëvendosje. Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme. Të gjithë e kanë të qartë se ata që dolën të dytët e të tretët po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa ne”, ka thënë Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur mbështetësit e saj që të dalin në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, për të festuar fitoren në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan ditën e sotme në Kosovë.
‘Ju presim në sheshin “Skënderbeu” në ora 24:00 së bashku me Kryeministrin Kurti’, shkruhet në postimin e LVV.
Kujtojmë se në bazë të rezultateve të mbi 50% të votave të numëruara, LVV rezulton se ka siguruar 166031 vota, ose 37.50%, ndjekur nga PDk e Kosovës, 131940 vota, 29.80%, LDK, 72138 vota me 16.29%, AAK-NISMA 35073 vota, e përkthyer në përqindje me 7.92% dhe SRPSKA LISTA me 10104 vota, 2.28%.
Gazeta RD