Nga Genc BURIMI
Pasi sulmoi në mënyrë më të pashembullt për një Kryeministër prokurorin e Spak-ut dhe gjyqtarin që arrestuan kryebashkiakun Erion Veliaj; pasi e vazhdoi në mënyrën më të pacipë vënien nën trysni të drejtësisë duke u rikujtuar prokurorve të Spak-ut dhe gjithë gjyaktësve rrogat e larta si askujt tjetri në Shqipëri që u jepka Ai, lartmadhësia e tij Edi Rama ; pasi i qau hallin fëmijës së Ajolës, por për fëmijët e Malltezit apo të Ahmetajt as nuk u kujtua se egzistonin; pasi përmendi me dhjetra herë parimin e shenjtë të prezumimit të pafajësisë dhe që sipas tij Veliaj nuk mund të arrestohej pa prova ose me prova të marra me frikësim dëshmitarësh nga drejtësia, ndërkohe kur: ai vetë, kryeministri, u mjaftua me një non grata jo me vendim drejtësie por të një administrate sorosiane për të varrosur për së gjalli Opozitën shqiptare dhe vetë Kryetarin e saj Berishën që e quante vend e pa vend si një « Dead Man »; kur ai vetë që sot e bën mit prezumimin e pafajësisë por dje nuk ndjeu as më të voglin shokim me arresimin e ish-Presidentit si gangster në një rrugë plot me makina; pasi shan e mallkon Opozitën me nënë e babë nga mëngjesi deri në darkë me fjalorët nga me të llahtarshmit si kënetë, moçal, apo Bufi stërplak duke harruar që ai vetë ndoshta Edi Rama 60 vjeçar pas 20 vjetësh mund të jetë kryestërplak dhe invalid dhe s’do t’i vinte aspak mirë të talleshin me moshën e tij, Kryeministri i vuri këtë paradite kapakun gjithëshkaje :zbarkoi sikur të ishte Emiri i një monarkie bananiere te Bashkia e Tiranës me shpurën dhe makinën e tij kryeministrore.
Ç’taksirat kanë taksapaguesit t’i paguajnë nga xhepi i tyre mjetet dhe kohën e punës shefit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që ky të zgjidhë hallet e korrupsionit që po baltosin Partinë Socialiste dhe po fundosin Rilindjen e tij?
Pasi u çorr gati një orë në « chat » me shqiptarët , se Shqipëria është vend i ndarjes së pushteteve dhe se prokurorët po ndërhyjnë si shumë në punët e tija, Kryeministri sot shkon intimidon Pushtetin lokal m’u bash në zyrat e Pushtetit lokal. Nuk egiston një shembul në vendet demokratike që një kryeministër të shkojë i paftuar në Bashkinë e Kryeqytetit, biles as në një bashki tjetër provinciale. Pushtetet janë të ndara. Këshilli bashkiak i Tiranës e ka legjitimitetin jo nga Qeveria por nga vota sovrane e popullit të Tiranës, nga ajo votë që biles duket se është cënuar në mënyrën më barbare nëse vërtetohen akuzat për korrupsion të Kryebashkiakut. Atëherë përse zgjedh sot Edi Rama të zbarkoje si i plotfuqishëm në Bashki? Për t’i bërë karshillëk kujt? Opozitës? Drejtësisë? Apo gjithë popullit shqiptar të cilit me këto gjeste të shëmtuara dhe anti-demokratike kërkon t’i kujtojë atë shprehjen e frikshme të mbretërve kokëprerë francezë “Shteti jam unë”?
Zoti Kryeministër të kthehet sa më shpejt andej nga ka ardhur, ose të zyra e tij në PS për të zgjidhur brenda Partisë së tij hallet me militantin e arrestuar Erion Veliaj, ose të kthehet te zyra e tij në Kryeministri për të drejtuar Qeverinë dhe për aq sa kohë i ka mbetur. Me Bashkine e Tiranës mos të merret Kryeministri por të zgjedhurit e Tiranës në bazë të ligjeve në fuqi. Ligji i jep tagrin Qeverisë të ndërhyje në një Bashki vetëm pas tre muajsh mungesë të kryebashkiakut. Ka ardhur momenti t’i thuhet me forcë këtij Kryeministri se në Shqipëri Ligjin nuk e bën më, ai, Maliqi .