Rama merr edhe drejtimin e bashkisë së Tiranës

Erion Veliaj i ka deleguar firmën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nënkryetares së këtij institucioni, Anuela Ristanit. Anuela Ristani është pjesë e strukturës së Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, në kohën dhe kur Veliaj fitoi mandatin e tij të parë në krye të këtij institucioni. Në fillim Ristani ka mbajtur postin si shefe e kabinetit të kryebashkiakut, ndërsa tashmë ishte e ngarkuar për Çështjet Ndërkombëtare dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në bashki.

Vendimi për të komanduar Ristanin në krye të Bashkisë së Tiranës vjen pas arrestimit të Erion Veliajt me urdhër të SPAK, teksa është marrë gjatë vizitës së dytë të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës.

Sipas mediave, Anuela Ristani do të jetë administratore politike, ndërsa Alban Dokushi administrator për punët e bashkisë.

Rama shkoi fillimisht gjatë mesditës në Bashkinë e Tiranës, ku zhvilloi një takim me 5 nënkryetarët e bashkisë Anuela Ristani, Andi Seferi, Keti Luarasi, Jonida Halili dhe Frida Pashako dhe sekretarin e përgjithshëm, Alban Dokushi. Më pas, shkoi sërish gjatë pasdites ku zhvilloi një tjetër takim me stafin e Bashkisë së Tiranës.

Raportohet se vizita e Ramës u zhvillua për të takuar drejtuesit e institucioneve për lënien e porosive mbi vijimësinë e punëve të Bashkisë. Ai ka deklaruar publikisht se nuk do të marrë një vendim për shkarkimin e Erion Veliajt.

Gjatë pasdites së sotme, Rama ka mbledhur edhe Asamblenë e Partisë Socialiste për Tiranën, ku me Veliajn në burg, pranë tij ishte vetëm Ogerta Manastirliu.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka deklaruar se do jetë vetë kryetar bashkie në distancë, pas arrestimit të Veliajt, edhe pse kjo cënon hapur pavarësinë e institucioneve vendore.  Ai ka thënë se po sulmohen për arsye elektorale.

“Po na godasin për arsye elektorale. Kjo është një goditje e madhe për PS. Unë do të jem edhe kryetar bashkie. Do të takoj të gjithë drejtorët e përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të institucioneve”, mësohet se ka deklaruar Rama.

Nga deklarata e tij kuptohet se Rama do të jetë “de facto” kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërsa “de jure”, do të jetë e komanduar në detyrë Anuela Ristani.

 

About Redaksia

Check Also

Rihapet dosja Rama-McGonigal në Shtetet e Bashkuara, kreu i qeverisë rrezikon burgun në SHBA

Mediat investigative në Shtetet e Bashkuara kanë rihapur dosjen Rama-McGonigal ku kreu i qeverisë shqiptare …