Në një fjalim të zjarrtë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, nënpresidenti amerikan JD Vance kritikoi politikanët, institucionet dhe gjykatat evropiane për atë që ai e sheh si një tërheqje nga parimet demokratike, raporton Anadolu.
Vance theksoi në mënyrë specifike anulimin e fundit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, duke argumentuar se kjo minoi themelet e demokracisë.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim për paralajmërimet e supozuara për anulimin e zgjedhjeve në Gjermani nëse fiton AfD-ja e ekstremit të djathtë, duke argumentuar se incidente të tilla demonstruan një prirje shqetësuese të liderëve evropianë që hedhin poshtë vullnetin e qytetarëve të tyre.
Lidhur me ndikimin e huaj në zgjedhje, ai shtoi: “Nëse demokracia juaj mund të shkatërrohet me disa qindra mijëra dollarë reklama digjitale nga një vend i huaj, atëherë ajo demokracai që në fillim nuk ishte e fortë”, tha Vance.
Ai bëri një krahasim, duke thënë: “Më besoni, e them këtë me shumë humor, nëse demokracia amerikane arriti t’u mbijetojë për 10 vite qortimeve nga Greta Thunberg, ju djema mund ta mbijetoni disa muaj Elon Musk-un”.
Ai i referohej mbështetjes së hapur që Musk shprehu për partinë gjermane të ekstremit të djathtë dhe transmetimit të tij të drejtpërdrejtë në X me lideren e AfD Alice Weidel, duke shkaktuar diskutime mbi ndërhyrje të mundshme zgjedhore përpara zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit.
Nënpresidenti amerikan gjithashtu kritikoi politikat evropiane që ai beson se kufizojnë fjalën e lirë, të tilla si mbyllja e mediave sociale gjatë trazirave civile dhe ndalimi i komenteve në internet.
“Për vite me radhë, na është thënë se gjithçka që financojmë dhe mbështesim është në emër të vlerave tona të përbashkëta demokratike, gjithçka, që nga politika jonë ndaj Ukrainës deri te censura digjitale, i atribuhet mbrojtjes së demokracisë”, tha ai, duke shtuar:
“Por kur shohim gjykatat evropiane që anulojnë zgjedhje dhe zyrtarë të lartë që kërcënojnë të anulojnë të tjerat, ne duhet të pyesim nëse po i mbahemi standardit të lartë të duhur”.
Muajin e kaluar, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut hodhi poshtë një apel të kandidatit presidencial të Rumanisë, Calin Georgescu, për të rrëzuar vendimin e gjykatës vendase për anulimin e zgjedhjeve presidenciale.
Georgescu ishte kryesuesi pas raundit të parë të zgjedhjeve të 24 nëntorit. Por gjykata më e lartë e Rumanisë e anuloi votimin përpara raundit të dytë në dhjetor, duke u bazuar në akuzat për ndërhyrje ruse.
Vance theksoi rëndësinë e mandateve demokratike, duke argumentuar se pa reagim ndaj zërave të qytetarëve, kombet evropiane do të luftojnë për të adresuar sfida të tilla si konkurrenca ekonomike dhe zinxhirët e sigurt të furnizimit.
“Ju nevojiten mandate demokratike për të arritur çdo gjë me vlerë në vitet e ardhshme”, tha ai.
Nënpresidenti bëri thirrje gjithashtu për një qasje më proaktive ndaj çështjes urgjente të migrimit masiv, për të cilin ai beson se ka pasur pasoja të rëndësishme për shoqëritë evropiane.