Edi Rama në bashki, ose kthimi në vendin e krimit!

Nga Armir SHKURTI

Pas arrestimit të Veliajt, Edi Rama u rishfaq në bashkinë e Tiranës. Propaganda e rilindjes u përpoq ta shiste si një mbështetje për punonjësit e trembur të bashkisë. Apo si merak që punët në Tiranë të vazhdojnë me ritmet e Lalit.

Le të sqarojmë që në fillim diçka: që nga ardhja e Ramës e deri më sot bashkia e Tiranës ka funksionuar si trusti i betonit dhe jo si institucion që menaxhon njerëzit dhe përfaqëson hallet e të zgjedhurve.

Çdo e keqe në politikë vjen në emër të së mirës dhe flamurin e saj. Rama e filloi me prishjen e kioskave. U gëzua mileti! Më pas nisi trusti i betonit të zbatojë platformën e bërjes dhe pastrimit të parave, pa pyetur se kryeqyteti u bë i pajetueshëm, stresues, i papërballueshëm ekonomikisht, duke vrarë mënyrën e jetesës së banorëve të tij që kanë bazuar ekzistencën në punë dhe ekonomi formale.

Në këtë aferë aktor shumë i rëndësishëm është edhe Lulzim Basha. Më së paku, për moskallëzim krimi. Kur erdhi në krye të bashkisë, Luli gjeti plot shkelje, por zgjodhi të kyç gojën….

Kalojmë te Veliaj. Deklarata e tij kur kërkonte ti grabiste Dukës FSHF-në, se ” kemi koqe hekuri” lidhet pikërisht me hekurin dhe çimenton e trustit të betonit dhe mafian e pastrimit të parave të lidhur organikisht me të. Kjo kupolë ka nevojë për garanci, pas arrestimit të Veliajt. Çmimet çmendurisht të larta e të papërballueshme të apartamenteve, ndërkohë që në kryeqytet ka dhjetra mijë apartamente bosh si dhe niveli i ulët ekonomik i shqiptarit që s’ka fuqi ti blerë, janë dëshmi të flluskës ekonomike të trustit të betonit, me autorë të padiskutueshëm politikë Rama – Veliaj.

Prandaj Rama u kthye në vendin e krimit. Po! Vërtet pati qëllim të japë zemër. Por jo punonjësve: thjesht TRUSTIT TË BETONIT! Ata duan garanci për investimin e po ashtu, ata ta shkrijnë hekurin e koqeve nëse paratë e tyre treten. Ky është edhe motivi parësor i sulmit të Edit ndaj atij segmenti drejtësie që arrestoi Veliajn dhe mbrojtja e fuqishme për Lalin.

E fundit, por jo më e parëndësishmja: RAMA ËSHTË RREZIK PËR PRISHJEN E PROVAVE!!! Ardhja e tij e vazhdueshme në bashkinë e Tiranës, gjysmë tinëz, nuk mund të kalojë në heshtje! Me autoritetin politik që ka dhe në këndvështrimin e asaj që shkruajta më sipër, unë kam frikë se Rama ka gjithë mundësitë të prishë, fshehë dhe zhdukë prova të ortakut të tij të flluskës imobiliare në Tiranë.

About Redaksia

Check Also

Skandali/Kush janë drejtorët e Ballukut që po “ndërtojnë” Shqipërinë duke i marrë tenderat për vete

Spartak Kovaçi ish drejtori i Ujësjellësit të Durrësit do të mbahet mend më së shumti …