Policia e Shtetit apo policia e partisë?

Nga Marash LOGU

Reagimi i Policisë së Tiranës është dëshmi e qartë se Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e Partisë. Policia thotë se qytetarët u mblodhën në mënyrë spontane dhe nuk kishte njoftim për tubim. E para, nuk ishin qytetarë, por punonjës të Bashkisë Tiranë. E dyta, nuk u mblodhën në mënyrë spontane, por u urdhëruan nga eprorët e tyre. Në të gjitha mediat kanë qarkulluar mesazhe në grupe whatsapp-i ku punonjësit urdhëroheshin të mblidheshin para godinave të SPAK/GJKKO. E treta, nëse nuk ka pasur njoftim do të thotë që tubimi ka qenë i paligjshëm dhe organizatorët e pjesëmarrësit duhet të procedoheshin për organizim dhe pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, bllokim të rrugëve dhe prishje të qetësisë publike.

Më tej, Policia vijon të thotë se nuk ka pasur prishje të rendit dhe sigurisë publike, megjithëse të gjithë shqiptarët e panë se punonjësit e Bashkisë Tiranë penguan lëvizjen e lirë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ të SPAK/GJKKO, i fyen dhe hodhën sende në drejtim të tyre, si dhe goditën automjetet në momentet që po dilnin nga zyrat. Ata që pa e gjithë Shqipëria e transmetuar live në të gjitha mediat e vendit, Policia e Partisë nuk e ka parë.

Policia thotë se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Garda e Republikës për mbështetje në funksion të mbrojtjes së objekteve të rëndësisë së veçantë apo personaliteteve që ruhen nga Garda. Ndërkohë që kjo e fundit i ka konfirmuar SPAK/GJKKO, siç thuhej në shkresat e tyre, se ka kërkuar në mënyrë të përsëritur ndihmë dhe mbështetje, por nga Policia nuk ka pasur asnjë reagim. Tani njëra nga dy strukturat gënjen; ose Garda e Republikës ose Policia e Shtetit, dhe cilado qoftë struktura që gënjen, përgjegjësia është e ministrit të Brendshëm në varësinë e të cilit janë të dy strukturat.

Po ashtu, Policia thotë se megjithëse nuk ka pasur njoftim për tubim; megjithëse nuk ka pasur prishje të rendit dhe sigurisë; megjithëse Garda nuk ka kërkuar ndihmë, janë angazhuar 77 punonjës të Policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Po ku ishin këta punonjës që nuk u panë në perimetrin e jashtëm të godinave të SPAK/GJKKO?! Për të justifikuar mospraninë dhe mosdukjen e këtyre punonjësve, Policia përllogarit në këtë numër punonjësit që ishin të angazhuar në shoqërimin e Erion Veliaj nga paraburgimi në gjykatë; punonjësit e Policisë Rrugore që ishin vërdallë për të vendosur ndonjë gjobë parkingu, si dhe punonjës të veshur civilë (që nuk dihet në protestonin për lali Erin apo kryenin detyrat e tyre), verifikimi i të cilëve është i pamundur.

Dhe për ta mbyllur, Policia thotë se megjithëse gjithçka është kryer në përputhje me ligjin, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim administrativ për të identifikuar personat përgjegjës dhe shkeljet e tyre. Po ç’ne hetim administrativ kur aty thuhet se nuk pati asnjë shkelje?! Çfarë do të hetoni?! Apo hetimi ka për qëllim të identifikojë se cilët punonjës të Bashkisë nuk dolën në protestë në mënyrë që të merren masa për të garantuar pjesëmarrjen e tyre herën tjetër.

Qartazi, Policia e Partisë mashtron dhe manipulon. Policia nuk mund të hetojë vetveten, por duhet që BKH dhe SPAK të fillojnë një hetim për të gjitha paligjshmëritë e konsumuara në datën 12 shkurt, identifikimin e personave përgjegjës dhe ngritjen e akuzave penale ndaj tyre. Kushdo e kupton që fuqinë për të refuzuar haptazi zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit nuk e ka një punonjës i thjeshtë i Policisë, një shef komisariati, një drejtor vendor apo qoftë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Një urdhër i tillë mund të jepej vetëm nga zyra e Ministrit të Brendshëm, me miratimin e Kryeministrit, dhe këta të dy janë subjekte që nuk hetohen nga Policia, por nga BKH-ja dhe SPAK-u.

About Redaksia

Check Also

A mund të gjendet një “provë e re” kundër Erion Veliajt?

Nga Gent STRAZIMIRI Të gjendet një provë e re kundër Erion Veliajt është e pamundur. …