Metastazat e eksperimentit Soros në Shqipëri dhe projekti i Trump!

Nga Enver BYTYÇI

Edi Rama në Konferencën e Mynihut edhe kësaj radhe mbajti një fjalim pro-Trump dhe kritikoi Europën. Por jo në  valë të kritikave të zv.presidentit amerikan, Vance. Ktitikat e tij ai i adresoi te kërkesa që BE të angazhohet për pranimin e vendeve të Ballkanit Perendimor në Unionin Europian. E për këtë tha se shtysë duhet të jetë ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kësisoj kryeministri i Shqipërisë po kërkon që t’i ikë përgjegjësisë për ato që Vance tha në Mynih, kur kritikoi të majtën evropiane për komplot kundër së djathtës. Në fakt adresa e kritikës së tij ishte Edi Rama. Sepse është kryeministri i Shqipërisë ai që sponsorizoi bashkë me Sorosin eliminimin e opozitës dhe burgosjen e liderëve të saj në Shqipëri. Duket qartë se Edi Rama po përpiqet t’i ikë përgjegjësive personale e të rilindjes në funksion të agjendës së Soros. Por a mund t’i ikë kësaj përgjegjësie?

Shqipëria do të jetë vendi i parë dhe kryesor në Evropë për Donald Trump për të dëshmuar se ai është i vendoaur ta çmontojë ideologjinë e Soros. Nuk ka vend tjetër në Europë si Shqipëria, kur George dhe Alex Soros të kenë eksperimentuar gjithçka në funksion të kontrollit politik të shoqërisë. Ata së bashku me Edi Ramën dhe Erion Veliajn u përpoqën ta shpërbëjnë opozitën shqiptare. Ngritën një sistem gjyqësori në funksion të konsolidimit të kontrollit politik të vendit e të shtetit. Ndërtuan një strukturë ligjore me të cilën mbrojtën pakicat gjinore dhe liberalizmin ekstrem e pervers me qëllim shpërbërjen e familjes.

Dhe për gjithë këto qëllime Soros përdori si maskë e mbrojtje Departamentin e Shtetit dhe administratën Biden të SHBA-ve për Rilindjen e Edi Ramës në vendin tonë. I bindur se ai është mbi ligjin e mbi gjithçka, i garantuar nga Blinken e Soros, me vetëdije se “gjemb në këmbë nuk mund t’i hyjë”, Edi Rama që në fillim nisi gjithçka në dobi të filozofisë së të majtës perverse. Metastazat e eksperimentit Soros në Shqipëri prekën shumë qeveri europiane, sidomos të së majtës, si edhe një pjesë të Parlamentit Evropian dhe madje të Komisionit Evropian. Janë sorosistët europianë ata që dalin ende sot në përkrahje të qeverisë Soros në Shqipëri.

Megjithatë Edi Rama nuk e la fatin e tij vetëm në duart e sorosistëve europianë. Iu ngjit dhëndrit të Donald Trump dhe i premtoi Sazanin e Zvërnecin. Më pas iu ul në gjunjë Melonit dhe iu lut që në këmbim të ndërmjetësimit te Trump të pranonte ekstra territor në Shqipëri. Luajti lojën politike midis Erdogan e Orban nga njëra anë dhe George Soros e Antony Blinken në anën tjetër. Ai e vazhdoi këtë teatër edhe në Mynih dhe nuk le rast pa kritikuar Evropën, me qëllim që të tërheqë vëmendjen e Donald Trump. Por a mund t’ia arrijë qëllimit që të rehabilitohet në sytë e presidentit amerikan?

E pamundur! Donald Trump ka për qëllim kësaj radhe ta dëshmojë veten si kundërshtar i filozofisë Soros. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijë qëllimin e rikthimit të së djathtës në Evropë e vende të tjera të globit. Ndërkohë që për arritjen e këtij synimi nuk ka sesi të anashkalojë demontimin e eksperimentit Soros në Shqipëri, eksperiment që përfshin jo vetëm legjislativin dhe ekzekutivin, por edhe gjyqësorin shqiptar. Mekanizmat e kontrollit të shoqërisë shqiptare i ideoi Soros dhe i zbatoi me përkushtim beniamini i tij, Edi Rama. Pikërisht për këtë arsye targeti i goditjes së politikës anti-soros të Donald Trump dhe administratës së tij do të jetë edhe koordinatori i eksperimentit anti-demokratik në Shqipëri, kryeministri i vendit, Edi Rama.

Edi Rama ishte kavia eksperimentale e George dhe Alex Sorosit, mbështetur nga Blinken. Dhe dihet: – Kaviet pasi përdoren në eksperimentin përkatës, groposen si mbeturina të rrezikshme për njerëzimin!

About Redaksia

Check Also

A mund të gjendet një “provë e re” kundër Erion Veliajt?

Nga Gent STRAZIMIRI Të gjendet një provë e re kundër Erion Veliajt është e pamundur. …