Kreu i PD, Sali Berisha ka vijuar akuzat e tij ndaj qeverisë Rama, duke e cilësuar Shqipërinë si një nga vendet kryesore në skemën e shpërdorimit të fondeve ndërkombëtare. Ai deklaroi se paratë e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për pasurimin e elitave të majta dhe për kapjen e sistemit të drejtësisë.
Në mënyrë të veçantë, ai akuzoi Delina Ficon, ish-bashkëjetuesen e Edi Ramës dhe partneren aktuale të ministrit Blendi Çuçi, për përfitime të paligjshme nga fondet e USAID-it.
“Por në hierarkinë e shpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë dhe pasurimit të elitave të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës, Shqipëria nxin sterrë edhe me figurën e lubisë numër 2, e cila quhet Delina Fico.
Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Çuçi, dhe ish-bashkëjetuesja e Edi Ramës, ka marrë shuma përrallore me projekte antikushtuese dhe antiligjore nga USAID-i për pasurimin e saj dhe kapjen e sistemit të drejtësisë kryekëput nga Rama dhe enturazhi i tij.
Lubia numër 2 apo Delina Fico me këshilltarët ligjorë që kompania e saj në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, ka afruar Gjykatës së Lartë dhe sistemit të drejtësisë, ka gllabëruar nga fondet e USAID-it dhjetë milionë euro.
Dhe për vete rroga dy herë më e madhe se sa e ambasadorit të SHBA në Shqipëri.
Unë e kuptoj se ata që kanë vendosur këtë censurë të tmerrshme mbi vjedhjet, shpërdorimin dhe abuzimin e fondeve nga gratë e narkoqeverisë, do shpërndajnë lajmin se unë po merrem me gratë e tyre.
Jo, unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë që janë shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme dhe përgjegjësi direkte kanë Edi Rama, Blendi Çuçi.
Po kështu Velica. Velica me Harabelin e saj merr dhjetëra mijëra euro nga ambasada e SHBA dhe dhjetëra mijëra euro nga BE për ngjarje që nuk i bën fare.
Pra, ata të cilët i angazhojnë gratë e tyre për të vjedhur dhe shpërdoruar fondet, ata janë hajdutët më amoralë mbi tokë.
Ndaj dhe, duke dënuar censurën që po aplikohet në Shqipëri nga mediat e qeverisë, në një kohë kur Shqipëria nxin në mediat e SHBA dhe në deklaratat e zyrtarëve të lartë citohet e para, se ku kanë shkuar.
Dhe nuk po ndalem këtu se e këtij sekti është edhe Milva. Po janë shumë. Blendi Gonxhja. Janë shumë ata.
Po këta janë më pak se ato të parat.
Se edhe këta i kanë futur fëmijët. Po, po.
Pra, këtu prokurori nuk ka se është e tëra nën kontroll politik.
Sepse një prokurori e vërtetë, e bazuar dhe e varur nga ligji, me urgjencë do kishte hetuar këto akte të rënda.
Po nuk hetohen, përkundrazi këto mbrohen nga Edi Rama sikundër mbrohet çdo vjedhje e lidhur me të.
Ndaj dhe i bëj thirrje FBI-së të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë.
Ftoj Edi Ramën, që ka shkallmuar siç e shihni ju dhe nga mëngjesi gjer në darkë, në një llogare të pakontrolluar, flet përçart korr e mos lidh, t’u thotë shqiptarëve për këto akuza të rënda kombëtare dhe ndërkombëtare, që e nxijnë imazhin e Shqipërisë.
Ka thënë ai një fjalë të vetme për këto? Asnjë fjalë…
Garantoj qytetarët shqiptarë se një audit i plotë me ndihmën e ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe amerikanë do bëhet lidhur me të gjitha këto abuzime dhe se përgjegjësit do marrin ndëshkimin më të merituar ligjor”, u shpreh Berisha.
