Kalaja: Kallëzim penal për prokuroren që u promovua pasi mbylli dosjen 184

Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, ka dorëzuar sot në SPAK një kallëzim penal kundër prokurores Esmeralda Keshi. Sipas saj, kjo është e njëjta prokurore që më parë ka mbyllur dosjen e shumëpërfolur 184, duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Kalaja akuzon Keshin për veprime të njëanshme dhe të urdhëruara politikisht, të cilat kanë çuar në mbajtjen e paligjshme të një protestuesi për mbi tre muaj.

Ajo deklaroi se, pavarësisht mungesës së provave për ta dënuar, prokuroria ka zgjatur në mënyrë të padrejtë hetimet. Në deklaratën e saj para SPAK-ut, ajo përmendi se janë bërë dy ankesa pranë institucioneve përkatëse, por ende nuk ka pasur asnjë reagim.

“Për mbi 3 muaj mban të burgosur një protestues dhe, megjithëse e ka shtyrë një herë afatin e hetimeve prej 3 muajsh, afat i cili mbaroi më 9 nëntor 2024, sërish vepron me veprime antiligjore, arbitrare, me veprime të urdhëruara nga pushteti. Duke qenë përpara faktit që nuk gjen provat për të dënuar një protestues, vijon duke e mbajtur në paligjshmëri të plotë. Nga ana tjetër, edhe pas 2 ankesave tona të bëra në Prokurorinë e Tiranës por edhe pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk kemi parë asnjë reagim lidhur me këtë dosje.

Nga ana tjetër, unë dua t’i kujtoj publikut që është e njëjta prokurore e cila, kur ka qenë në qarkun e Dibrës, në kundërshtim me ligjin, nën ndikimin e ushtrimit të paligjshëm, ka mbyllur dosjen 184. Për këtë, sipas provave që përcjellim sot, por edhe sipas dyshimit tonë të arsyeshëm, u promovua në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në kundërshtim edhe me detyrën. Po kështu, ne kemi argumentuar që ky promovim ka ardhur si pasojë e mbylljes së dosjes 184 nga ministri aktual i Drejtësisë, Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Arben Kraja, etj.

Siç Altin Dumani dhe kolegët e tij kanë rihapur çështje pa asnjë provë të re, edhe ne kemi kërkuar të rihapet kjo çështje pasi ka indicia të reja. Pra, kemi lidhur këtë prokurore, e cila ka mbyllur këtë dosje në kundërshtim me ligjin, është promovuar sepse ka mbyllur këtë dosje, dhe ne i themi SPAK-ut: Meqenëse ju dikur e çuat në Dibër dhe e shkërmoqët, tani keni mundësinë t’u tregoni qytetarëve që e keni shumë seriozisht luftën ndaj blerjes së votës dhe manipulimit të zgjedhjeve”, tha Kalaja.

About Redaksia

Check Also

Kurthi Rama-Uluziu dhe Lal Vjedhësi – Kurbani i 11 Majit!

Nga Sali BERISHA Në një operacion përgjimesh si në filma, në qelitë e burgut qeveritar …