Luajmë Particash: Viktimizimi, streha e fundit e hipokritëve

Nga Pranvera SHEHAJ

Premisë

Në një përpjekje për të ngushëlluar papërmbushmërinë vetjake, ne si shoqëri priremi të japim pa kursyer mbështetje, mbrojtje e keqardhje për të dobëtin, për viktimën. Në një nevojë me shenja gati psikoze, tek viktima dhe i dobëti ne shohim rehatinë për të mos u përpjekur për më shumë, po aq sa kënaqësinë që merr egoja kur sheh se ka më poshtë, më pak se ne, ashtu sikurse ka si ne. Ndërkaq, tek i forti ne përballemi me dilema jetike që sfidojnë ambiciet tona legjitime dhe na kujtojnë si hije përndjekëse pamjaftueshmërinë, – thënë shkurt, i forti, i afti, i zoti, bëhet kryqi ynë e ndoshta porta e ngushtë që na shtrëngon të mëkatojmë duke i shkelur parimet që veten e botën rrenim se kishim.

Partitë e reja, viktimat hipokrite ku djalli delegon mëkatin

Këtë sindromë tonën masive të shkrirjes një me empatinë shtinjake që imponon viktimizimi, të quajturat tash e disa vite partitë e reja e kanë përvetësuar dhe shndërruar në argument legjitimiteti të pretendimeve dhe ambicieve të tyre. Mbirë si farat e kungullit në trafikun mbytës të studiove të kontaminuara nga vrulli i gjithkujt për promo, partitë e reja e mbështjellin retorikën dhe propagandën e tyre rreth puritanizmit, pafajësisë e dëlirësisë, por jo vetëm. Më së shumti ato janë në një unison viktimizimi duke përdorur një slogan të lypjes së votës të tipit “Na mbështesni; Mos na lini vetëm; Ne nuk kemi fuqi mjaftueshëm ndaj na duheni ju; Ata janë të gjithë bashkë ne jemi ndryshe, por ne jemi të vegjël” e të tjera qurravitje të tipit “aman e derman” na ndihmoni t‘ia dalim, që i portretizojnë si viktimat të cilat duhen mbështetur vetëm pse dhe si të tilla, pa u justifikuar as në histori, as në model, as në projekt.

Nga anët tona jugore ne kemi një shprehje aspak elitare e zengjine, e cila shëmbëllen paksa ashpërsinë me të cilën na e kalisin zotësinë qysh të vegjël: “Nuk i del dot zot shtëpisë ai që nuk ngre dot njëherë të mbathurat e tij.” E megjithatë, ata kanë zgjedhur pozicionimin si viktimat që duhen mëshiruar në këtë betejë të tyre për çlirimin e Shqipërisë.

Pyetja që ngrihet është: Përse nuk po u rezulton e suksesshme prej disa viteve kjo mbirje sporadike çdo prag zgjedhor si viktimat e dëlira? Fare e thjeshtë, çedojnë në vërtetësi dhe janë hipokritë në çdo tezë që ngrenë, çdo nismë që marrin, çdo rrugëtim që rrëfejnë. Gabojnë në një postulat universal: Ngjall simpati i keqi i vërtetë shumë më shumë se i miri hipokrit.

Së pari, ju parashtroni një premtim të përgjithshëm për rimëkëmbjen e demokracisë në vend, e cila qenkërka shkelmuar jo sepse sot e dymbëdhjetë vite vegjetojmë e frymojmë në një autokraci elektorale, por sepse partitë e mëdha nuk kanë demokraci të brendshme e janë parti ku vendos e vulos kryetari. Cili është procesi zgjedhor nëpër të cilin secili prej jush në partitë respektive ka kaluar deri në emërimin e tij si kryetar? A keni qenë ju subjekt i një votimi anëtarësie dhe mbi ç‘bazë statusore udhëhiqni vendimmarrjen në particat tuaja?

Së dyti, cili është korpusi juaj politik e për rrjedhojë elektoral, i cili ju transformon nga particat e unit në parti politike? Pa denjuar as ndërtimin e strukturave fantazmë, identiteti juaj fizik e ideologjik nis dhe mbaron tek financieri i drejtpërdrejtë i partisë ose administratori i deleguar i saj.

Së treti, ju synoni zaptimin e votës së të zhgënjyerve nga qeveria, të cilët nuk gjejnë ngushëllim tek alternativa e madhe opozitare. Qartë deri këtu. Me ç’projekt? Të paaftë për të shpalosur një program të mirëfilltë politik, edhe kur gërmëzoni tek-tuk ndonjë reformë, ju dështoni në konkretizimin e një plani të mirëfilltë për ta ndërmarrë.

Së katërti, shtylla e fushatës suaj të përbashkët edhe pse të padeklaruar si të tillë është lufta ndaj të korruptuarve, nënkuptuar si ju të dëlirët e partive të freskëta përballë ujqve të vjetër të korruptuar të politikës së lashtë. Le ta marrim të mirëqenë. Mirëpo, cili prej këtyre ujqve, dikur po kështu si ju, ishte i korruptuar përpara nisjes së rrugëtimit politik? Kush nuk është akullore pa iu dhënë mundësia të kridhet në kënetën e vendimmarrjes së pushtetit e me ç‘metodë provoni ndonjë lidhje shkakore mes të qenurit i paprovuar e të qenurit i kulluar?

Së pesti, me ndonjë rast përjashtimor të vetëfinancimit, – edhe pse kurrë në jetë nuk kam ditur t‘i besoj e aq më pak të frymëzohem nga historitë e suksesit se përherë më ka munguar një pjesë e puzzle-it, – në shumicë, ju jeni të dekredibilizuar në vërtetësinë e financimit të aktivitetit tuaj politik, çka zhbën luftën tuaj vetëflijuese ndaj të korruptuarve.

Së gjashti, nëse përvoja në vendimmarrje, rrugëtimi politik, shërbimi në pozicione të ndryshme shtetërore është faj e të ngarkon mbi supe mëkatet e vendit sot, çfarë është mungesa absolute e përvojës? Qofsha e gabuar, mesa unë di, djemtë e mirë e vajzat e mira si stafeta e nderit që mbani fort, ne shqiptarët i kemi për zemër, por për të drejtuar shtetin vështirë se pinë ujë kaq kollaj. Për këtë të fundit na duhet përvoja, prova e aftësisë në ekspertizë, vendimmarrje dhe drejtim. Jeni të papërvojë, ndonëse endeni në politikë prej vitesh.

Së fundmi, gjynafqarë a shenjtorë, të përlyer a të kulluar, ata, të vjetrit pra, kanë bërë beteja politike duke i rënduar supet e tyre me turpin e dështimit a me lavdinë e suksesit, provë e aftësisë për ta lëvruar këtë sport të pushtetit. Ju? Prej vitesh tanimë ndër studio e rrugica në gjueti të ndonjë ngjarjeje për ta përvetësuar si kauzë, jeni të lutur të thoni një dhe vetëm një betejë civile a politike që keni fituar. E lehtë të duash të katapultohesh në atë tempull të lakmuar të demokracisë me metoda të tërthorta skuthërie, por futesh si deputet e del si zvarranik.

Paarsyeshmëria është njerëzore (“Të jesh i paarsyeshëm është e drejtë humane” thotë Schopenhauer), megjithatë ajo është e dënueshme kur në persistencën e saj të qëllimshme bën një dëm të madh shoqëror. Do të mbesja shpërfillëse ndaj zukatjes tuaj të shpeshtë në këto zgjedhje sikur të mos ndiqja statistikisht dëmin sado të vogël në fragmentarizmin e votës kundër autokratit. Nuk mundni e nuk dëshironi të prodhoni rokadë, por vetëm të cimbisni duke luajtur rolin e brejtësit të votave antiqeveritare dhe masivizoni propagandën që i shërben vetëm pushtetit.

I dini domosdo ato strategji studimesh mbi çelësin që ka unifikimi në mesazh dhe fushatë në një kamp masiv opozitar i çdo partie anti-pushtet me qëllim rrëzimin e autokracisë, por veç faktit që studimet i shihni herë si ushqim për budallenjtë e herë si të vërteta të panevojshme, edhe në këtë mision jeni hipokritë. Të larguar nga forca më e madhe opozitare, jo më pak jeni ju se aktorët ku djalli në pushtet ka deleguar edhe njëherë pak pjesë të mëkatit.

Reflektim sa në kohë e sa dera rri hapur!

About Redaksia

Check Also

A mund të gjendet një “provë e re” kundër Erion Veliajt?

Nga Gent STRAZIMIRI Të gjendet një provë e re kundër Erion Veliajt është e pamundur. …