20 Shkurti ’91, fundi formal i komunizmit(!)

Bislim AHMETAJ

Brezi studentor i viteve ‘90 ka krenarinë dhe privilegjin historik që pati fatin, kurajën, guximin, zgjuarsinë dhe potencialin human t’i dhuronte vendit të tij, kombit të vet, dy ngjarje të mëdha të sintetizuara në dy data që krahasohen me shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë më 1912-n apo aktit të shpalljes së pavarësisë së pjesës tjetër të kombit, Kosovës, më 2008-n. Tetë dhjetorin, ditën e madhe të lirisë dhe 20 shkurtin, shembjen e miteve të diktaturës. Këto dy data, në kiminë e tyre kanë aq vlerë sa nuk mund të kenë çmim.

Personazhet reale, studentët e brezit ‘90, vajza e djem nga të katër anët e Shqipërisë, ishin dhe mbetën aq modestë, sa në shumicë zgjodhën të mbeten anonimë, ata pak të tjerë që vazhduan të merren me politikë apo me jetë publike spikasin me të njëjtat vlera që shfaqën në dhjetor të ’90- s, apo në shkurt të ’91-shit.

8 Dhjetori, lëvizja që çoj në legalizimin e pluralizmit politik, do të mbetej si një fëmijë epileptik pa 20 shkurtin. Do të ishte pluralizëm steril dhe i shtirur, do të ishte njëlloj si propaganda e udhëheqësit të fundit komunist të Shqipërisë, që proklamonte socializmin krijues dhe rrugët e reja e të pashkelura të marksizmit nëpër të cilat duhet të shkonte vendi ynë që të vazhdonte të ndriçonte botën.

Pluralizëm politik me buste të diktatorit në sheshet kryesore të qyteteve dhe qendrave të kooperativave që më vonë do të quheshin komuna.

Pluralizëm politik kur në të gjitha zyrat dhe hollet e institucioneve të shtetit, nga Kryeministria dhe deri te njësia më e ulët administrative, vazhdonte dhe vezullonte portreti i diktatorit dhe bustet e tij të betonit.

Deri më 20 shkurt bustet dhe portretet e diktatorit ishin hequr vetëm nëpër shtëpitë e njerëzve të lirë, që duhet thënë se nuk përbënin shumicën në atë kohë dhe, për fat të keq, as sot e kësaj dite s’janë maxhorancë, dhe kjo vonesë pasojë e brutalitetit dhe trysnisë ekstreme që kishte ushtruar diktatura e “kurvit” (fjala më e përshtatshme për diktatorin, huazuar nga E. Ypi) mbi bashkëkombësit e vet.

Ishte koha bosh kur partitë politike që po mbinin pas 8 Dhjetorit, në programet e tyre kishin ekonominë e lirë të tregut dhe vlerat e lirisë në një kohë kur ligjet, aktet nënligjore dhe rregulloret vazhdonin të ishin të tejmbarsura me ideologjinë e marksizmit krijues të injorantëve servilë të Byrosë Politike.

Edhe pse vendi po përjetonte rilindjen dhe besimin te vlerat e lirisë dhe demokracisë, në shkolla dhe pikërisht edhe në universitete, në vendin ku u shemb diktatura mësohej historia e lavdishme e diktatorit, çdo tekst, edhe ai i fiziologjisë së bimëve, edhe ai i anatomisë së sëmundjeve ndër njerëz, ishte pagëzuar dhe i sendërtuar me mësimet e Partisë dhe udhëheqësit të saj, diktatorit Hoxha.

Ishte koha kur shumica e institucioneve me peshë të këtij vendi mbanin emrin e diktatorit, emrin e tij e mbante edhe Universiteti i Tiranës. Ishte koha kur po jetonim dy kohë, dy epoka brenda të njëjtave qenie. Nga dhjetori i ’90-s deri më 20 shkurt ishte koha bosh, koha zero.

Ne që kishim guxuar të shembnim diktaturën jetonim nën hijen e saj, nën bustet e betonta, të bronzta të diktatorit, ishte kohë absurdi. Dhe këtë absurditet, ata, studentët e brezit ’90, s’mundën ta tolerojnë, më 5 shkurt në Institutin e Lartë Bujqësor rinisi etapa e dytë e Lëvizjes Studentore.

U shpall greva e përgjithshme dhe kërkesat e saj, një prej të cilave ishte mbyllja e Shkollës së Partisë në Laprakë dhe kthimi i ambienteve të saj ILBsë, që pas kësaj greve do të behej Universiteti Bujqësor i Tiranës. Pas tri ditësh, më datë 8 shkurt, do të vinte solidariteti i Universitetit të Tiranës, që mbante emrin e diktatorit, pastaj gjithë Shqipëria ishte në Qytetin Studenti, në qytetin e shenjtë të lirisë. Foltoret në Amfiteatrin e Universitetit Bujqësor dhe në Qytetin Studenti ishin shkollat e para të gojëtarisë dhe fjalimeve publike.

Në shkurt studentët ishin më të kthjellët, më të qartë, më të pjekur, më të kujdesshëm, më të pamanipulueshëm, dhe kjo pjekuri u sintetizua në grevën e parë legale të urisë që ishte mbajtur ndonjëherë në Shqipëri.

E them legale se greva urie ishin mbajtur në burgjet e diktaturës, por që të gjitha kishin përfunduar me zgjatje dënimesh apo me ekzekutime të atyre që i kishin mbajtur apo organizuar. Ato 50 orë ngujim të mbi 700 vajzave dhe djemve, të atyre pak pedagogëve që u solidarizuan dhe iu bashkuan grevës së parë legale të urisë në Shqipërinë që po rilindte, janë orët që çliruan vendin nga topitja, nga absurdi, nga mitet e diktaturës. Janë orët që shembën statujat dhe idhujt e turpit, janë orët që u çelën sytë shqiptarëve, janë orë të paharrueshme të sakrificës, guximit, kurajës qytetare të brezit studentor të viteve ‘90, brez me të cilin kombi shqiptar do të krenohet njëlloj si me brezin e rilindësve tanë që shpallën pavarësinë e vendit në vitin 1912. Uria e parë legale mbeti një monument i pashoq edhe për faktin se është e vetmja grevë që i arriti dhe i tejkaloi plotësisht qëllimet dhe kërkesat e saj.

Pas 20 shkurtit janë bërë me dhjetëra greva urie me kërkesa të drejta dhe të padrejta, por asnjëra prej tyre s’ka mundur të ketë përkrahje aq popullore dhe t’i realizojë në mënyrë shteruese kërkesat e saj, si greva e urisë së brezit studentor ‘90.

*Autori është organizator dhe pjesëmarrës në Grevën e Urisë 18-20 Shkurtit 1991, grevë që coj në rrëzimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri.

About Redaksia

Check Also

Adriana Kalaja i drejtohet Ambasadës amerikane për skandalin Rama-McGonigal

Nga Adriana KALAJA Siç e kam deklaruar, pas publikimit nga Ambasada e SHBA të numrit …