I hurit e i litarit…

Nga Iva V.GRILLO

Kushdo që mund të ketë pasur ndonjë dilemë mbi llojin e personazhit që ka drejtuar Tiranën në dekadën e fundit, besoj se gjatë dy javëve të fundit është bindur se kryeqyteti ka qënë në duart e një njeriu të korruptuar, imoral, pa din e pa iman…dhe mbi të gjitha shumë të rrezikshëm.

Këtë bindje na e ka përforcuar përditë ish kryetari i Bashkisë nëpërmjet monologjeve, kumteve, kërcënimeve e shkumëzimeve që bën nga qelia ku ndodhet midis të tjerash edhe sepse ka tentuar të intimidojë dëshmitarët.

Ato që shohim dhe dëgjojmë “live”… turfullimat që hidhen nga qelia direkt në rrjetet sociale, i ngjajnë një thriller të frikshëm psikologjik ku personazhi kryesor ndryshon para syve duke shpërfaqur një bipolaritet të frikshëm ose të paktën dy personalitete kontradiktore brenda një-njeriu:

…vendin e “lali-sheqerit” që i shitej gjithkujt si djali i lagjes, e ka zënë tashmë një fytyrë tjetër: ajo e një manipulatori të frikshëm të opinionit, e një shantazhuesi të hapur, thirrës të instikteve bazike- gjë që duket haptazi në fjalorin e tij ku mbizotërojnë imazhet e vdekjes, perversitetit, hakmarrjes dhe përçudnimit.

Madje në këtë nuk ka kursyer as bashkëshorten e vet, duke e shitur publikisht vend e pavend si target të “obsesioneve” të burrave të tjerë (gjë e huaj ky përdorimi i partneres në publik në traditën e shqiptarit…)…ndërkohë që bashkëshortja ka plot spjegime për të dhënë për “kuletën” e saj të super-fryrë.

Dikush e portretizon komunikimin e Veliajt si veprime të një njeriu të sfazuar pēr faktin se kundër pritshmërive të tij, përfundoi në birucë.

Por unë do të thoja se fjalori e narrativa e tij nuk janë ato të një njeriu që i ka dalë vetja nga kontrolli, përkundrazi:

Kjo është narrativa e një njeriu që po përdor rëndshëm terrorrin psikologjik, manipulimin, kodet mafioze dhe shantazhin duke bërë kështu që t’i bjerë dhe maska e fundit.

Ka shumë epitete negative që ky individ i ka merituar plotësisht gjatë kryerjes së funksioneve të tij publike.

Por ajo që është bërë e qartē si dita e diellit në javët e fundit, është fakti se kemi të bëjmë me një njeri shumë të rrezikshëm …që më mirë se kujdo i shkon shprehja popullore: I hurit, e i litarit.

Një arsye më shumë për t’u bindur se Tirana është shumë më e sigurt për sa kohë që ky individ qëndron pas hekurave.

About Redaksia

Check Also

Dokumenti i qeverisë nuk sjell asnjë progres për arsimin e lartë

Nga Myqerem TAFAJ Qeveria paraqiti para tre ditësh një dokument për politikat e arsimit të …