Berisha: Ky diktatori i sotëm i ktheu zgjedhjet në fares! Atëherë dilnin me daulle, tani vijnë dhe thonë, votimi ishte i qetë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën si një diktator që ka kthyer zgjedhjet në Shqipëri në një farsë.

Berisha gjatë prezantimit të programit të PD me të përndjekurit politik për mandatin 2025-2029 tha se, ky diktatori i sotëm e ktheu zgjedhjet në farsë. Atëherë dilnin me daulle, tani vijnë dhe thonë, votimi ishte i qetë.

“Në diktaturë votohej, siç e dini ju, por nga frika vota shkonte në 90 e sa përqind për diktatorin. Zgjedhjet ishin farsë. Edhe sot zgjedhjet ky i shndërroi në farsë. Zgjedhjet ky i mori me banda, me kriminelë, i mori me patronazhistët, terroristë të vërtetë elektoralë. Paguhen me paratë e taksapaguesve për të qenë shërbëtorë të qytetarëve, dhe bëhen skellvër të regjimit.

Zgjedhjet i mori me përdorimin e dhjetëra, qindra milionëve. Pra, edhe ky diktatori i sotëm e ktheu zgjedhjet në farsë. Atëherë dilnin me daulle. Ditën e votimit, ditë feste. Qe e tmerrshme. Tani, vijnë dhe thonë: votimi ishte i qetë.

Vota këtu vdes para se të hyjë në kuti të votimit. Kjo është e vërteta. Kjo është formë e diktaturës kjo lloj diktature.

Këto ditë, ky hipokrit që nuk ka asnjë parim, asnjë vlerë, asnjë kriter për bazë, kujtoi dhe i kërkonte të falur familjes së të ndjerit Prof. Sami Repishti se kishte propozuar për dekorim ish-xhelatin e tij, Shyqyri Çoku. Mund t’i themi: mirë, por ti zotëri, pse nuk i kërkon të falur bashkëshortes së Havzi Nelës, fëmijëve dhe familjes së Havzi Nelës që u var në litar publikisht në sheshin e qytetit me firmën e babës tënd? Pse nuk e dënon këtë akt ti njëherë? Si mund të flasësh ti?

Në radhë të parë ti nise tek vetja. Po nuk e nis dot, se përkundrazi, u thua shqiptarëve se, ai ka qenë në anën e drejtë të historisë. Në cilën anën e drejtë të hsitorisë ka qenë diktatura gjakësore, më e egra pas luftës së Dytë Botërore që Europa ka njohur?

U ndala në këto momente për të paraqitur një krahasim, i cili sado që në dukje të duket i habitshëm, por në fakt është real.

Ne, që kemi dëgjuar për vite e dekada Tvsh-në, ne shohim se atëherë ishte një, sot janë bërë 4-5 tv shqiptare, të cilat përdorin fuqinë si medium për të mashtruar dhe dezinformuar qytetarët shqiptarë, për t’i dëshpëruar ata”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Tre kryebashkiakë i dalin kundër Ramës: Nuk zbatojmë urdhrat për shkarkime!

Kryeministri Edi Rama mblodhi në Durrës kryetarët e bashkive të vendit, të cilëve iu vendosi ultimatum që …