Adriana Kalaja në “X Faktor”!

Nga Agim XHAFKA

Kështu i quaj unë Primaret e PD që zhvillohen më 1 mars. Spektakël, festë, konkurs, provim. Dhe juri nuk janë veç katër vetë, por masa e madhe e anëtarëve të kësaj force gjigande.

Nga që sivjet, këtë 1 mars dmth, zhvillohen së pari është ogur i mirë, se pranvera na vjen me hare dhe me pëzgjedhje të atyre që nesër do jeni deputetët tanë në kuvend. Shkojnë të zgjedhur nga ne dhe do na e kenë frikën vetëm ne, jo kryetarit. Se vota e anëtarit siç ta shkruan emrin, edhe ta fshin emrin dhe mbiemrin.

Shpesh më pyesin, ti Gimo për kë do votosh? Në fakt doja ta mbaja të fshehtë, por s’mundem. Se për mua Adriana Kalaja bën diferencën. Duket si slogan publiciteti, në fakt mban brenda plot të vërteta.

Më parë nuk e kisha njohur Adrianën. As deri tani kurrë nuk e kam takuar. Por u bënë mbi tre vite që ishte postblloku në mbrojtje të Teatrit. Pa asnjë interes. Me dhimbjen që po shkatërrohej një monument. Ajo si avokate e çoi në gjykata e nëpër kancelari të shumta terrorin shtetëror që po kryhej. Qëndrestare, frymëzuese, kërcënuese. Ndaj njerëzve që i ka vënë dhe i mban në pushtet mafia. Më pas në ballë të mitingjeve e protestave, në padi ndaj bashkisë, në punërat e ditës te selia, në grumbullimin e fakteve penale që i çonte në SPAK çdo ditë. Një “këngëtare” e demokracisë që në “X Faktor” më 1 mars shkëlqen me zërin e saj, me mençurinë dhe kurajon. Tritol e ka shpirtin. Që e shpërthen të keqen dhe hap rrugën për më të mirën.

Në kësi përzgjedhjesh që janë provime të progresit më vjen ndër mend një mësuesi im i letërsisë në maturë. Kur do hynim në provim te dera e sallës afishoi një letër me tre emra. Midis tyre isha dhe unë. Pa na futur në provim na kishte vënë dhjetë. Se çdo ditë të vitit ju e keni pasur provim, na tha.

Kështu dhe Adriana. Çdo ditë këto vite i ka pasur primare. Dhe i ka fituar të gjitha. Më 1 mars thjesht ajo nënshkruan fitoren e punës dhe përkushtimit të saj për demokracinë. Këtë ka motiv të “këngës” së saj progresiste.

About Redaksia

Check Also

“Luftërat” fitohen, nuk dhurohen…

Nga Adriana KALAJA Unë i përkas atij grupi njerëzish që çdo gjë e kam fituar …