Berisha: Nuk pranoj një SPAK që s’ka asnjë lloj kontrolli dhe regjistron telefonat e gjyqtarëve ku çon dosjet

Kryetari i PD, Sali Berisha ka dhënë garancinë e PD, se zbatimi i ligjit dhe lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbeten objektiva të pandryshueshme për partinë që drejton.

Interesimit të gazetarëve, Berisha tha se nuk pranon që një institucion si SPAK, që s’ka asnjë lloj kontrolli, regjistron telefonat e gjyqtarëve ku dërgon dosjet.

Berisha njoftoi se do të punohet me ekspertët më të mire, për të rivendosur standardet ndërkombëtare në funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“Ju siguroj që për PD-në, zbatimi i ligjit dhe lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbeten objektiva të pandryshueshme.

Por ajo që kam thënë, Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë drejtësi politike.

Drejtësi politike që është produkt i ndërhyrjes brutale të Edi Ramës dhe Departamentit të Shtetit të mëparshëm.

Duhet pranuar se diplomatë të lartë amerikanë si Gabriel Eskobar dhe Juri Kim kanë kërkuar publikisht persekutimin e Sali Berishës dhe burgosjen e tij.

Kështu që a pajtohem unë me një prokurori politike? Kurrë.

Sepse të pajtohesh me një prokurori politike do të thotë të pajtohesh me diktaturën. Ajo nuk mund të ndodhë.

Por, duke thënë këtë, atëherë rruga është një reformim.

Rruga e reformimit nuk mund të bëhet pa ekspertizën më të mirë të Komisionit të Venecias, komision që është ligjhartuesi më i mirë që ekziston në njohuritë e mia.

Së dyti, unë jam shprehur për reformim. Unë nuk pranoj një institucion që nuk ka asnjë lloj kontrolli. Ai institucion është pa kontroll. Ky institucion me Kushtetutë duhet të ketë kontroll si çdo institucion tjetër.

Së treti, nuk mund të pranoj që ky institucion të regjistrojë telefonat e gjykatësve ku çon dosjet. Kjo nuk shkon. Unë e kuptoj që duhet të ketë institucion që duhet të regjistrojë telefonat, por ama kjo përbën një konflikt absolut interesi.

Dhe u garantoj që çdo person që ka njohuritë më elementare të funksionimit të sistemit të drejtësisë, këtë e quan të papranueshme.

Do punohet me ekspertët më të mirë për të rivendosur standardet ndërkombëtare në funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Nuk ka asnjë lloj qëndrimi hakmarrës apo qëndrimi asgjësues përveç asaj që një prokurori politike nuk mund të pranohet kurrë se ajo është të pranosh diktaturën.

Nëse ti arreston tre liderët e tre partive kryesore opozitare, me një fjalë, kjo merr fund.

Ta harrojë Edi Rama se mund të bashkojë vota për qëllime të tij, për të mbrojtur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Çfarë ishin ato skena që keni parë ju? Gjyq publik me grupin parlamentar, gjysma e tyre me dosje në prokurori, kundër një procesi, në të cilin, laboratori ushqimor nuk ekziston edhe pse është paguar shumë.

Nga i doli Edi Ramës kjo dhembshuri kaq e madhe? E ka hallin e vet. E ka hallin personal.

Sepse dosja McGonigal ka nisur të ecë. Jo vetëm që është ngritur në këmbë, por po ecën, është nisur drejt Shqipërisë dhe nuk ka gjë që e shpëton.

Kjo është mënyrë figurative. Se nëse është ngritur në këmbë, ajo nuk ka ku të shkojë. Se McGonigal është Edi Rama.

E keni vënë re se nuk po flitet për dosjen e Nju Jorkut, flitet vetëm për dosjen shqiptare tani në Uashington. U ngrit në këmbë ajo, ajo do vijë, është nisur drejt Shqipërisë.

Në Shqipëri ka dy referenca, Edi Rama dhe Damiani.

Damiani thotë se unë kam bërë dëshmi. Absolutisht ka bërë, se Damianin e ka ngarkuar Edi Rama.

Ndaj në këtë aspekt, Rama është krejtësisht i pashpresë dhe e siguroj se Shqipëria shqiptare, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, do e ekstradojë Edi Ramën në qoftë se gjykata e Uashingtonit e kërkon ekstradimin, ose do e ndëshkojë në Shqipëri sipas rregullave dhe ligjit.

Dosja e thotë, aty paratë nga zyra e Edi Ramës shkuan te McGonigali. Nuk ka akt më korruptiv, më të turpshëm të nivelit më të lartë. Atë nuk e fut dot në thes më.

Ua thashë, presidenti Donald Trump ia preu kokën gjarprit. Ai që e mbronte, nuk është më. Këtu nuk ka më. Qytetarët shqiptarë janë deri këtu me Edi Ramën”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Epërsia jonë është programi ynë! Ky program do e shndërrojë vendin në një Shqipëri Madhështore

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u prezantuan kandidaturat për zgjedhjet e …