Në fjalën e mbajtur në takimin me diasporën në Milano, zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që ta shikojnë Shqipërinë jo vetëm si vendin e zemrës, por edhe të ëndërrave.
Ajo bëri të ditur se, për shqiptarët që rikthehen në vend dhe do të investojnë për 5 vite nuk do të paguajnë taksa.
Fjala e mbajtur nga zëdhënësja e PD, Floriana Garo:
Të dashur demokratë që vini nga çdo skaj i Italisë! Faleminderit nga zemra për këtë mikpritje!
I nderuari Kryetar i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, të dashur miq!
Sot jam e mbushur me një krenari të papërshkrueshme. Ndodhem mes demokratëve të lirë të diasporës, të cilët janë në këmbë për të mundësuar ndryshimin e madh që shqiptarët mezi po e presin: ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet.
Kur nisëm turin e takimeve në Diasporë në Londër para disa muajsh, Kryetari ynë ishte në arrest shtëpiak dhe fitorja e PD dukej larg.
Por çfarë sjell minuti, nuk e sjell ora…
Ne kurrë nuk reshtëm së besuari.
Na ndanë, na përçanë, na censuruan dhe na përçmuan. Na morën logon dhe flamurin, na sulmuan dhe luftuan nga kreu i qeverisë deri tek nivelet më të larta të ish-administratës amerikane.
Na thanë se do hanim bar nëse nuk bënim siç dëshironin ata. Na arrestuan Kryetarin pa asnjë fakt e asnjë provë, por u gabuan me demokratët!
Ne besuam, qëndruam dhe luftuam për kauzën tonë të drejtë dhe në fund fituam!
Siç thotë Sali Berisha, kauza e drejtë gjithmonë fiton.
Dhe nuk ka asnjë forcë që mund ta ndalë me ortekun e fitores!
Siç premtoi Prof. Dr. Sali Berisha në fillimet e Foltores kur unë iu bashkova, tani Partia Demokratike është më e fortë, më qëndrestarë, që treguan se nuk kthehen as para një Amerika gjigande, më e bashkuar edhe me ata që mund të mendojnë ndryshe nga shumica, dhe më e hapur, me plot të rinj me energji dhe integritet që do t’i çojnë përpara vlerat tona.
Sot, ne vijmë krenarë para jush sepse kemi bindjen e thellë se të gjithë bashkë, Shqipërisë mund t’i japim ndryshimin që meriton. Ka ardhur koha për ne të djathtët, për rikthimin tek vlerat që na karakterizojnë.
Ka ardhur koha të investojmë tek qytetarët, tek familjet shqiptare, tek rinia dhe e ardhmja. Ka ardhur koha që edhe diaspora ta shohë Shqipërinë jo vetëm si vendin e zemrës, por si vendin e ëndrrave. Një vend pa taksa për 5 vjet për çdo emigrant që kthehet dhe e rindërton jetën këtu. Një vend me minimum jetik 200 euro për çdo individ, me rroga dhe pensione të dyfishuara, një Shqipëri të teknologjisë së fundit dhe një vend që garanton punësim dhe jetë me dinjitet për të gjithë bijtë e tij, kudo që ndodhen. Një vend ku të dashurit tuaj jetojnë të qetë dhe të sigurt, e ju nuk rrini më me kokën pas në merak për ta.
Miq, tani ne nuk jemi më vetëm. Luftës ndaj ekstremit të majtë që kishte marrosur botën me devijimin e skajshëm nga vlerat e tradita, po i prijë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me presidentin Donald Trump. Fati po kthehet në anën tonë, miq, por fitore varet nga ne!
Kemi nevojë për ju, për mbështetjen dhe votën tuaj, për energjinë tuaj elektrizuese që po motivon çdo demokrat anembanë Shqipërisë për të mos pasur më frikë, por për t’u ngritur me vendosmëri kundër kësaj narko-qeverie që tani po shkrumbohet dita ditës!
Chris La Civita, drejtuesi i fushatës fituese të Donald Trump, ka ardhur të na ndihmojë edhe ne ta kthejmë fushatën tonë të Partisë Demokratike në fituese.
Miq, edhe tek ne pas 11 majit do të ketë një sherif të ri në qytet dhe ai është Sali Berisha!