Berisha: Primaret ishin procesi më demokratik që ka njohur vendi! Në krahun tjetër, kandidaturat i përcakton krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për media vlerësoi primaret e zhvilluara të dielën si procesin më demokratik që ka njohur ndonjëherë vendi.

Berisha tha se, ky proces ka pasur një pjesëmarrje të madhe, me mbi 450 kandidatë të regjistruar dhe 51 mijë anëtarë të PD që ushtrojnë të drejtën e votës, një numër rekord që nga viti 2013. Ai ka siguruar se ky sistem i votimit është më i mirë dhe më demokratik se çdo procedurë tjetër e mundshme për përzgjedhjen e kandidatëve.

“Duhet të ndalem në dy ngjarje të mëdha për jetën politike të Shqipërisë.

Mendoj se primaret që u zhvilluan ditën e diel në Shqipëri ishin procesi më demokratik që Shqipëria ka njohur ndonjëherë.

Në këtë garë të hapur u regjistruan mbi 450 kandidatë. Në këtë garë të hapur morën pjesë qindra e qindra kandidatë.

Ushtruan të drejtën e votës rreth 51 mijë anëtarë të PD-së, votimi më i madh që nga viti 2013.
Dua me këtë rast të përgëzoj të gjithë ata të cilët morën pjesë në këtë proces.

Të përgëzoj kandidatët për guximin dhe vendosmërinë e tyre për të marrë pjesë në garë si përfaqësues të PD në zgjedhjet e ardhshme.

Të përgëzoj të gjithë anëtarë të PD që ushtruan të drejtën e votës dhe votuan për kandidatin që ata vlerësojnë më shumë.

I siguroj ata dhe mbarë shqiptarët që kjo procedurë është e para e këtij lloji që zhvillohet në Shqipëri, është më e mira, më demokratikja se çdo procedurë që mund të zhvillohej në raste të tilla.

Ky votim përbën bazën më demokratike të përzgjedhjes së kandidatëve të PD-së për deputet.

Natyrisht në këtë përzgjedhje disa kritere statusore siç janë kuotat e përcaktuara në statut dhe ligje, për gratë dhe të rinjtë, ato do respektohen sepse nuk mund të kapërcehen përcaktimet statusore.

Por mendoj se këto përmirësojnë përfaqësimin e shoqërisë shqiptare në parlamentin shqiptar, përndryshe nuk ka metodë më të drejtë, më të ndershme se sa kjo për përcaktimin e kandidaturave.

Imagjinoni ju se çfarë ndodh në krahun tjetër, që kandidaturat përcaktohen nga Bajrët, Troplini, Poja, Çela, Ndoka dhe eksponentë të tjerë të krimit.

Përcaktohen nga valixhet me para. Përcaktohen jashtë të gjitha kritereve.

Ju e patë që Çyrbja, u vendos emri i tij fill pas Edi Ramës sepse përfaqësonte bandën më të rrezikshme.

Këto janë kandidaturat e qytetarëve, e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë, anëtarë të PD-së”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Çështja Salianji s’mbyllet, sapo ka filluar! Një gjykatës pa moral ia shtyu lirimin duke i kërkuar të deklarojë se s’do vrasë Fatmir Xhafën

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, dënimi dhe burgosja e ish deputetit demokrat, Ervin …