Kalaja tjetër padi në SPAK për Veliajn: I dha Fushës 3.3 milionë euro për 414 pisha!

Kryetarja e Apelimit ne Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, ka denoncuar sot nga SPAK, një aferë korruptive të bërë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, me kompaninë ‘Fusha sh.p.k’.

Kala thotë se bëhet fjalë për një tender me vlerë 3.3 milionë euro, me të cilat u mbollën 414 pisha në autostradën Tiranë-Durrës, pemë të cilat sot janë shkulur për shkak të punimeve në aksin rrugor.

“Aferë korruptive që lidhet jo vetëm me Erion Veliajn, por edhe me kompaninë ‘Fusha sh.p.k’, ku sipas informacioneve që kanë mbërritur në PD dhe sipas investigimit të bërë nga ‘Tv Ora’, bëhet fjalë për një vlerë 3.3 milionë euro të cilat janë investuar për 414 pisha dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë matematikore, i bie që të jenë shpenzuar për një pishë 7900 euro dhe nga ana tjetër, këto pisha janë hequr në momentin e zgjerimit të rrugës. Tani, ku qëndron vepra penale që ne kemi kallëzuar sot.

Së pari, qëndron në mënyrën sesi është bërë tenderi lidhur me këto pisha, pasi nuk ka patur një garë. Nga ana tjetër, gara ka qenë e paracaktuar për kompaninë ‘Fusha sh.p.k’ dhe e treta, çmimi për një pishë, për çfarëdo lloj pozicioni që ta analizosh, kurrsesi nuk mund të ketë një vlerë marramendëse për këtë ne i kemi kërkuar SPAK, hetim të plotë dhe të gjithëanshëm. Po kështu, në referim të denoncimeve që kanë ardhur pranë PD, ne jemi vënë në dijeni të faktit, se që në vitin 2016, Erion Veliaj ka qenë në dijeni se në autostradën Tiranë-Durrës do të ndodhte zgjedhimi i saj dhe për këtë arsye aty do hiqeshin edhe pishat e mbjella.

Kështu që, sipas një përgjigje të ardhur nga ARRSH, është konfirmuar se me shkresat dhe komunikimet përkatëse, është konfirmuar se Erion Velian ka patur dijeni të plotë se në një periudhë shumë të shkurtër në autostradën Tiranë-Durrës, do të kishte punime dhe zgjerim. Dhe si rrjedhojë, shuma prej 3.3 milionë euro do të ishte një dëm i shkaktuar në buxhetin e Bashkisë Tiranë, sidomos në taksat që paguajnë qytetarët e saj.

Ne mendojmë se provat janë të plota. Të gjitha argumentat e ngritura nga ne në këtë kallëzim, janë të bazuara jo vetëm në prova por edhe në dispozitat ligjore dhe si e tillë, ne i kërkojmë organit të akuzës jo vetëm regjistrimin e kësaj çështje, por bashkimin e saj me të gjitha çështjet e tjera në ngarkim të Erion Veliaj, pasi edhe kjo çështje me një vlerë kaq të madhe por dhe të tjerat, duhet të bashkohen për aq kohë sa kemi një person dhe vetë ligji e pranon bashkimin e dosjeve”, tha Kalaja.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Çështja Salianji s’mbyllet, sapo ka filluar! Një gjykatës pa moral ia shtyu lirimin duke i kërkuar të deklarojë se s’do vrasë Fatmir Xhafën

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, dënimi dhe burgosja e ish deputetit demokrat, Ervin …