Nga Agim XHAFKA
Zhurmë për asgjë, ose tollumbace në erë quhet ky reagimi popullor për koalicionin e PD me 23 parti. Po gajasen njerëzit sapo lexojnë emrat që përfaqësojnë x apo y formacion politik. Po a ka njerëz qesharakë te lista e gjatë? Sa të duash. Po persona që marrin votën e PD-së dhe më pas e braktisin atë? Ka, si s’ka. Epo atëhere kujt i duhet ky koalicion, pyesin me të drejtë? I duhet PD-së dhe rotacionit të pushtetit. Dhe me sa më shumë vagona të jetë ky tren aq më mirë, aq më efektiv do rezultojë. Ja pse.
Nuk votojmë kurrë për Ilir Metën, thonë. Se ai na braktisi, u bashkua me Ramën, na nxori në opozitë, na…Keni të drejtë, u them. Po mos harroni që Meta voton për vete, o njerëz. Meta voton për mandatet e veta. E kuptoni? Nuk e votoni ju Metën. Ai ka në listën e koalicionit 4 emra për 4 mandate. Pra i duhen 40 mijë vota të cilat partia e tij i ka të sigurta. Mos e harrojmë këtë. Sjell edhe shumë e më shumë dhe në se nuk plotëson mandatin e 5-të ato vota i ngelen PD-së. Njësoj edhe Dule, Idrizi. Apo psh Agron Duka. I nxjerr nga toka aq vota që kërkohen për mandatin e tij.
Sa për partiçkat që nuk marrin mandate ato nuk duan gjë. As përshesh me dhallë madje. Sa vota do të marrin te thesi i PD-së do të ngelen.
Koalicionet janë marrëveshje, çdo palë sheh interesin e vet. Partisë Demokratike i leverdis një koalicion me sa më shumë parti. E ndihmon, i sjell vota pa dëmtuar veten. Ndaj zhurma e gallata janë fare të pa baza. Se dihet që PD nuk do bëjë koalicion me PS de. Qartë?