Për shëndetësinë madhështore

Nga Erion DASHO

Slogani i Partisë Demokratike “PËR NJË SHQIPËRI MADHËSHTORE” është motoja më frymëzuese që ka patur një parti politike përgjatë viteve të pluralizmit.

Në sajë të gjenialitetit zhvillues të bashkatdhetarëve tanë dhe megjithëse hajdutërinë, kusarinë dhe aleancën me narkotrafikun që rilindja u imponoi shqiptarëve, kombi ynë ka arritur sot në një stad të zhvillimit që i mundëson hedhjen e hapit më të rëndësishëm të historisë së vet.

Partia Demokratike është sot e vetmja forcë politike e besueshme që mund të paraqesë një program ambicioz zhvillimor dhe të besohet nga shqiptarët. Është forca politike që premtoi NATO-n dhe e arriti, premtoi heqjen e vizave dhe e arriti, premtoi taksat e ulëta dhe i zbatoi, si dhe dhjetëra premtime të tjera të mbajtura, kontrata elektorale të përmbushura.

Sigurisht që në këtë shkrim nuk do të ndalem tek objektivat e programit të Partisë Demokratike në çdo sektor, së pari, sepse kjo është e pamundur në një status të vetëm dhe, së dyti, sepse unë gjithmonë kam parimin të bëj atë që di të bëj më mirë, pra të sqaroj se si Partia Demokratike do t’u ofrojë shqiptarëve një SHËRBIM SHËNDETËSOR MADHËSHTOR.

Ky transformim do ta ketë bazën tek krijimi dhe zbatimi i një sistem shëndetësor të organizuar sipas MODELIT GJERMAN, sikundër e ka lajmëruar për shqiptarët Kryetari i Opozitës dhe Kryeministri i ardhshëm, Dr. Berisha.

Përse një sistem i bazuar në modelin gjerman?

Problemet e shëndetësisë shqiptare nisin që në themel, pra tek mënyra se si sistemi shëndetësor është organizuar, ose më saktë është çorganizuar. Prej 12 vjetësh që kur rilindja premtoi “sistem anglez” dhe “shëndetësi falas”, sistemi nuk u bë as anglez dhe as falas.

Sistemi gjerman i cili ishte gati 80% i realizuar kur PD u largua nga pushteti në 2013-ën, sot është një mishmash i pakuptueshëm. 60% të shpenzimeve i paguan nga xhepi pacienti, një shifër kjo që nuk e has as në vendet afrikane. Për paralelizëm, qytetari gjerman paguan nga xhepi më pak se 15% të shërbimeve shëndetësore, pavarësisht se është qytetari i vendit më të fuqishëm të BE-së.

Ç’do të thotë sistem gjerman?

Do të thotë një sistem, ku shërbimi parapaguhet në formë sigurimesh shëndetësore, ku të gjithë qytetarët kanë të drejtë të sigurohen dhe kompanitë e sigurimeve nuk mund t’ja mohojnë askujt sigurimin shëndetësor bazë, përkundrejt një tarife të fiksuar dhe të bazuar VETËM tek të ardhurat. Për qytetarët në nevojë dhe kategori të tjera të përcaktuara me ligj, sigurimi paguhet nga shteti.

Për qytetarët që dëshirojnë sigurim shëndetësor shtesë, kjo do të mundësohet në sajë të skemave plotësuese. Skemat plotësuese aplikojnë kritere transparentë dhe jo diskriminuese, duke i lejuar çdokujt të menaxhojë shëndetin e vet në mënyrën më të mirë të mundshme, bazuar tek të ardhurat dhe mundësitë e veta.

Në momentin e ofrimit, të gjithë të siguruarit e marrin shërbimin që u takon FALAS, pasi në fakt e kanë PARAPAGUAR atë në formë sigurimesh. Kjo është mënyra më e drejtë, më transparente dhe më llogaridhënëse për financimin e një sistemi shëndetësor dhe, për këtë arsye, zbatohet nga pjesa dërrmuese e vendeve të botës.

Për fatin tonë të mirë, ne mund të mësojmë akoma më shumë nga sistemi shëndetësor gjerman. Në vitin 2025, ky sistem ka hyrë në një stad transformues dhe reformues. Gjatë vitit 2024 u miratua një paketë ligjore gjithëpërfshirëse që preku riorganizimin e sistemit, reformimin e mekanizmave të pagesës, rajonalizimin e institucioneve shëndetësore, rikonceptimin e ofrimit të shërbimeve mjeksore të specializuara dhe, sigurisht, transformimin dixhital.

Personalisht i kam studiuar në detaje dhe analizuar me kujdes paketat ligjore me qëllim që të identifikoj ato elementë që janë të zbatueshëm edhe për Shqipërinë. Me kompetencë të plotë profesionale mund të them se edhe në Shqipëri, SHËNDETËSIA MADHËSHTORE mund të kalojë nëpër faza të ngjashme si në Gjermani:

  1. Krijimi i fondit të transformimit të kujdesit shëndetësor, i cili në Gjermani është 50 miliardë euro, por që në Shqipëri duhet të jetë në përpjesëtim me madhësinë e vendit tonë dhe mundësitë fiskale që ekzistojnë për krijimin e këtij fondi.

Pa para nuk ka reformë!

Partia Demokratike nuk do të përsëritë krimin e rilindjes që në 12 vjet, jo vetëm që nuk rriti financimin për shëndetësinë, por për më tepër u zhvati të sëmurëve shqiptarë 500 milionë euro për t’ua dhënë oligarkëve të koncesioneve.

  1. Krijimin e rajoneve shëndetësorë, të organizuar sikundër në Gjermani rreth 4 poleve spitalorë universitarë, plus Tiranën. Kjo do të kërkojë transformimin e katër spitaleve rajonalë të cilët duhet të konsolidohen si Qendra Spitalore Universitare.
  2. Konceptimi dhe zbatimi i mekanizmave të rinj të pagesës që garantojnë autonominë në menaxhim për institucionet shëndetësore, kurse për ofruesit e shërbimit garantojnë pagesën sipas punës.
  3. Privatizim i shërbimeve shëndetësore ambulatore. Mjekët që punojnë në këto shërbime, qofshin mjekë familje, qofshin mjekë specialistë duhet të marrin statusin e veçantë të taksimit që kanë prej dhjetëra vitesh mjekët gjermanë.
  4. Transformim dixhital i sistemit shëndetësor, duke krijuar fillimisht shëndetësinë e lidhur në një rrjet të vetëm informacioni, që është baza për aplikimin e inovacioneve si telemjeksia, robotika, inteligjenca artificiale, etj.

Deri më sot, përçartjet dhe broçkullat e Boratit për dixhitalizimin e shëndetësisë kanë qënë fjalë në erë. Nuk ka robotikë dhe inteligjencë artificiale aty ku kartelat e pacientëve janë akoma prej letre!

Sigurisht, këto janë vetëm parimet bazë. Në statuset e tjerë do të vazhdoj të analizoj në detaje se si mundet Partia Demokratike të arrijë që brenda katër viteve të mandatit të parë të vendosë bazat e një SISTEMI SHËNDETËSOR MADHËSHTOR për qytetarët shqiptarë dhe më pas ta realizojë atë si pjesë e projektit të SHQIPËRISË MADHËSHTORE.

About Redaksia

Check Also

Ne shqiptaro-amerikanët do të votojmë ndryshimin!

Nga Redin HAFIZI I vetmi gëzim i Tikut është kur votuesit ia shqiptojnë mbiemrin me …