Berisha: Kur themi Shqipëria Madhështore, ne nuk fluturojmë në erë, sepse ne e kemi faktuar këtë gjë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal te slogani i opozitës në zgjedhjet e 11 majit, Shqipëria Madhështore, duke faktuar se ky nuk është një slogan propagandistik, por një e vërtetë e cila është faktuar në arritjet e qeverisjes së kaluar, 2005-2013.

“Të dashur miq, në qoftë se e marrin në rrafshin filozofik, çfarë janë diktaturat?

Diktaturat janë ndalim ose ngadalësim kohe. Dhe kjo ka ndodhur.

Merreni me mend, 12 vite janë ndërtuar gjithsej 2-3 parqe diellore me kapacitet më të vogël se 16 megavatë.

Të gjitha janë hidrocentrale të firmosura gjatë qeverisë së mëparshme.

Po bëhen gjashtë vite, nuk kanë shtruar një tubacion gazi.

Po e dini ç’do të thotë të shtrosh tubacione gazi?

Do të thotë që jeta e secilit qytetar të jetë të paktën 20-30 përqind më e mirë dhe e lirë se e sotmja qoftë në gatim, qoftë në ngrohje.

Kontrata parashikon sasinë e gazit për Shqipërinë për prodhim energjie dhe për ngrohje.

Po a ishte projekt madhështor TAP? Projekt ndër më të mëdhenjtë në Europë.

Pra, në qoftë se themi Shqipëria Madhështore, ne nuk fluturojmë në erë.

Ne themi Shqipëria Madhështore se e kemi faktuar.

Kush e mendonte se do mund të ndërtoheshin 12 mijë kilometra rrugë dhe do shkurtoheshin distancat me katër-pesë herë në jug dhe veri siç u bë në vitet 2005-2013?

Askush, por ajo u bë realitet.

Kush mendonte se Shqipëria do ishte në NATO? Ajo u bë realitet.

Kush mendonte se Shqipëria do dilte nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në shekuj, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, që ishte një gjë madhështore? Askush.

Kush mendonte që interneti që ishte me 4.8 përqind në vitin 2005, të arrinte në 63 përqind në vitin 2013?

Mund të numëroj një seri aktesh të tjera të cilat absolutisht provojnë madhështi, të ëndrrave madhështore që u bënë realitet.

Tani do jenë këto të tjera sa këto?

Jo, do jenë shumë më të mëdha se këto merren mbi bazën e këtyre.

Në qoftë se në vitin 2006 deklaruam se Shqipëria do bëhet superfuqi e vogël e energjisë në rajon, sot u them se do bëhet superfuqi reale e energjisë në rajon sepse Shqipëria mund të prodhojë mijëra megavatë nga gazi, era, dielli, uji.

Kështu që tani ne e kemi të gjithë Shqipërinë përpara dhe potencialet e saj, por kjo do detyrimisht që 11 maji të arkivojë këtë regjim që ka ndaluar kohën në këtë vend dhe po e zbraz Shqipërinë, po i dënon shqiptarët me varfërinë më të pamerituar.

Prandaj programi ynë Shqipëria Madhështore, aq sa mund të mund të duket një program fantazi, aq është real dhe i fuqishëm dhe do e sjellë Shqipërinë aty ku shumë njerëz nuk e imagjinojnë.

Do ta bëjë Shqipërinë e ëndrrave të vërteta të shqiptarëve. Do e bëjnë krenar çdo shqiptar!”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Lista e hapur është bërë me më të shquarit e komunitetit! Do të doja që secili të ishte në listën e mbyllur

Kryetari i PD, Sali Berisha është ndalur edhe te lista e hapur e PD-së, duke …