7 Marsi – kambanë për të kthyer sytë nga shkolla

Nga Myqerem TAFAJ

Gëzuar 7 marsin dhe suksese të nderuar mësuese dhe pedagogë! Kjo ditë është bërë një ditë feste më shumë se sa ditët e festave zyrtare që janë edhe ditë pushimi, sepse të gjithë familjet urojnë mësuesit dhe pedagogët tanë.

Më 7 mars gjithë politika nxiton për të uruar mësuesit dhe pedagogët, madje kjo bëhet pjesë e fushatës elektorale në vite zgjedhore. Sot qeveritarët do të trumbetojnë suksese imagjinare në arsimin tonë. Do të flasin për cilësi të lartë në arsim, edhe pse ajo ra në humnerë në klasifikim në PISA-n e fundit. Do të tregojnë për rritje të madhe të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, edhe pse Eurostati e klasifikoi sërish vendin tone si vendi me pagat më të ulëta reale dhe koston më të  lartë të jetesës në rajon.

Ata do të vizitojnë ndonjë shkollë të re të ndërtuar me koston më të shtrenjtë në Evropë vetëm për muret, por me mjetet mësimore modeste, ndërkohë që shumica e shkollave dhe universiteteve tona publike kanë kushte krejtësisht të pamjaftueshme higjienike dhe për mësim, të ngjashme me shkollat e vendeve më të të pazhvilluara të Afrikës. Dhe mbi të gjitha, shkollat dhe universitetet tona po zbrazen me shpejtësi, sepse jo vetëm të rinjtë, por edhe fëmijët, largohen masivisht nga vendi.

Ky 7 mars përkon me fillimin e fushatës për zgjedhjet e 11 majit. Zakonisht në vendet e lira, ditë të tilla janë ditë proteste e nxënësve, studentëve dhe sindikatave të arsimit. Për gjendjen ku është arsimi ynë, kjo ditë në çdo vend të lirë, duhet të ishte një ditë proteste, dita e zërit të forte, jo vetëm të mësuesve, pedagogëve, nxënësve e studentëve, por edhe e zërit të prindërve, ndaj qeverisë dhe politikës, për të kthyer sytë nga shkolla që rënkon. Kambanat për gjendjen e arsimit tonë po bie prej kohësh, por askush nuk po e dëgjon seriozisht.

Të dëgjosh këtë kambanë do të thotë investohet realisht për të nxjerrë arsimin tonë nga kjo gjendje e ngjashme me atë të vendeve të pazhvilluara afrikane. Sot Shqipëria i ka mundësitë për të bërë këtë kthesë, jo vetëm me burimet kombëtare buxhetore, por edhe me burimet e mbështetjes nga BE. Shqipëria sot ka 8 miliard Euro buxhet vjetor, por nuk investon as 10 % të tij për arsimin dhe shkencën. Zakonisht vende që kanë nevoja kaq të mëdha në sistemin arsimor investojnë mbi 12 % të buxhetit për arsimin dhe shkencën. Pra qytetarët dhe sipërmarrja shqiptare me taksat dhe tatimet kanë kontribuar për ta bërë Shqipërinë me buxhet 8 miliard Euro.

Vendi ynë nuk është i varfër, por qeveria e tij është mendjevarfër në vizion. Me këtë buxhet prej 8 miliard Euro, Shqipëria duhet të investoj jo më pak se 1 miliard Euro për arsimin dhe shkencën. Vetëm me këtë investim mund të arrij arsimi ynë nivelin e krahasueshëm të paktën me Kroacinë. Jam i sigurtë se po të dëgjojnë politikëbërësit tanë shifrën 1 miliard Euro buxhet për arsimin dhe shkencën, mund të qeshin apo edhe të tallen, se as nuk dinë dhe as nuk lexojnë, për të kuptuar sa të mëdha janë nevojat e sistemit tonë arsimor, në mënyrë që ai të prodhojë cilësi të krahasueshme me vende si p.sh. Kroacia apo Sllovenia.

Para 2-3 vjetësh një komision i Kuvendit po diskutonte buxhetin e arsimit të lartë që kishte arritur 100 milion USD kur Shqipëria kishte akoma 130 mijë studentë. Fatkeqësisht, shumë deputetë filluan të diskutojnë çfarë do bëhet me gjithë këtë buxhet, sepse atyre iu duk se ishte shumë i madh, ndërkohë që një buxhet vjetor 100 milion Euro ka sot një universitet në Turqi me 20 mijë student. Këtë mund ta verifikoj edhe një nxënës i shkollës fillore por të klikoj 10 minuta në internet. Çfarë mjerimi për një vend me këtë shkallë injorance deri në nivelin e ligjëbërjes. Pikërisht këtu fillon e keqja, tek injoranca. Fatkeqësisht akoma administrata shqiptare e arsimit nuk është në gjendje të planifikoj çfarë kapacitetesh duhet të kenë shkollat dhe universitetet tona publike, për të prodhuar cilësi të standardeve internacionale. Por as vetë shkollat dhe universitetet nuk lejohen të bëjnë planifikime të tilla ambicioze. Mjafton të ruhet niveli mediokër që kemi. Shumë shkolla që afrojnë një nivel krejtësisht të pamjaftueshëm të formimit të nxënësve për klasat respective (mbi 30 % e nxënësve në vendin tonë kanë prapambetje në formim prek të paktën 2 vitesh shkollore krahasuar edhe me shkollat e mira të vendit).

Nga ana tjetër, edhe faktorët e tjerë opinionbërës nuk ushtrojnë presion mbi qeverinë dhe politikën për një investim real në arsim dhe shkencë. Vetëm dy tre OJQ flasin sot për arsimin. Media përgjithësisht tregon interes për shkollën vetëm kur ndodh ndonjë ngjarje e rëndë. Ajo nuk fiton ndjekës nëse i kushton hapësirë problemeve reale të arsimit, të nxënësve, studentëve, mësuesve apo pedagogëve, kurrikulave, arritjeve të nxënësve dhe studentëve. Në vendin tonë nuk promovohen nxënësit dhe studentët e talentuar. Asnjë media nuk afron ndonjë konkurs për nxënësit dhe studentët. Asnjë media nuk promovon mësuesit e talentuar, profesorët dhe shkencëtarët që punojnë në shkollat dhe universitetet tona. Vetëm një emision është për arsimin në TVSh me një shikueshmëri shumë të ulët.

Fatkeqësisht Shqipëria ka rënë prej 12 vitesh në një grackë të rrezikshme, sepse tematika mbizotëruese, jo vetëm në politikë, politikëbërje, por edhe një mjedisin publik, media dhe gjithë opinionin publik, është ana e funksioneve represive të shtetit, e kamufluar përmes quasi reformës së drejtësisë, e cila, tani është shumë e qartë se sa padrejtësi prodhoi për çdo qytetar. Rama arriti që t’i diktoj shqiptarëve të flasin 24/24 vetëm për arrestime, burgosje, krime, burgje, vetting. Tani Shqipërinë, sic thotë vetë kryeministri, Këshilli i Evropës e paska klasifikuar në grupin e vendeve me nivelin më të ulët të respektimit të të drejtave të njeriut për shkak të arrestimeve masive që aplikoi ku pushtet për faturat e energjisë, ndërtimet e mureve rrethuese të shtëpive edhe në fshatra, etj. Ky vend paguan 15-20 herë më shumë për një të paraburgosur e të burgosur se sa për një student dhe shkencëtar. Kjo gjendje nuk haset as në vendet diktatoriale.

Me këtë strategji kjo qeveri që i ka siguruar qetësi të rreme për keqqeverisjen e saj. Kjo strategji ka bërë që në këtë vend të mos flitet më për të ardhmen e fëmijëve dhe të të rinjve, nxënësve dhe studentëve tanë. Dhe ata e kuptojnë mirë këtë, prandaj e braktisën vendin. Kjo strategji ka bërë që të mos flitet për korrupsionin, kanabizimin dhe narkotizimin e vendit, për punësimin, për koston e çmendur të jetesës dhe varfërinë, madje as për të drejtat themelore të njeriut. Nuk e di a mund të gjendet një vend tjetër i lirë ku, për mbi një dekadë, të harrohen funksionet e një shteti për të zbatuar politika zhvillimore. Kjo qeverisje e PS do të mbetet në kujtesën e qytetarëve vetëm për politikat e saj represive, korrupsionin galopant, përhapjen masive të drogës, pa folur për pushtetin e plotë që fituan grupet kriminale, madje edhe për të përcaktuar fatin e zgjedhjeve parlamentare e vendore, si dhe kandidatët për kryetarë bashkish e deputetë.

Këto politika krijuan mjedis të pajtueshëm për shqiptarët në vendin e tyre dhe shtëpitë e tyre. Prandaj 40 % e qytetarëve emigruan në dekadën e fundit. Kurban i qasjes së kësaj maxhorance për të zhvilluar vetëm politika represive për 12 vite, u bënë edhe politikat zhvillimore për arsimin. Faktikisht, arsimi nuk përbën prioritet për këtë maxhorancë, pavarësisht nga propaganda e madhe që do të dëgjojnë edhe sot shqiptarët nga kryeministri dhe qeveritarët e tjerë.

Uroj që ky 7 mars të jetë kambanë për shoqërinë dhe opozitën për të kthyer sytë nga shkolla, nxënësit, studentët, mësuesit dhe pedagogët. Është koha për një kthesë rrënjësore në investimin për arsimin dhe shkencën. Partia Demokratike ka dalë para shqiptarëve me një program transformues për arsim dhe shkencën. Berisha ka deklaruar që buxheti për arsimin dhe shkencën gati do të dyfishohet, pa mbi 1 miliard Euro, në mënyrë që Shqipëria të arrijë cilësi dhe standarde të krahasueshme me vendet e reja të BE në shkolla dhe universitete.

Por përse duhet bërë kjo kthesë rrënjësore në investimin për arsimin dhe shkencën dhe buxheti të jetë të paktën 1 miliard Euro?  Vetëm me një investim të tillë nxënësit dhe studentët shqiptarë mund të mësojnë në klasa e auditore moderne dhe mund të përdorin mjetet më moderne të teknologjisë së informacionit edhe në shkollat e fshatrave më të largëta të vendit. Vetëm me një investim të tillë çdo student mund të përfitoj mbështetje për praktikë profesionale (intership), për një kalim sa më të lehtë në tregun e punës dhe punësim sa më të hershëm.

Vetëm me një investim të tillë mësuesit dhe  pedagogët mund të kenë paga mbi mesataren e rajonit të Ballkanit dhe të mos detyrohen të bëjnë 2-3 punë për të mbajtur familjet e tyre . Vetëm me një investim të tillë universitetet tona mund të transformohen në qendra të kërkimit dhe mësimit, të mbështeten me fond të veçantë për një reformim të thellë të ofertës akademike, të kërkimit shkencor, të organizimit institucional dhe vetëqeverisjes së tyre, si dhe për konkurruar së paku me universitetet e rajonit në rankimet internacionale. Vetëm me një investim të tillë, kërkuesit e rinj dhe doktorantët mund të përfitojnë bursa dhe paga brenda projekte kërkimore; çdo kërkues dhe pedagog mund të mbështetet nga Fondi për Shkencën për të vënë në jetë idetë krijuese kërkimore që i shërbejnë zhvillimit ekonomik shoqëror të vendit.

Sa më shumë të investoj Shqipëria sot për dijen, aq më shpejt do të zhvillohet ajo, aq më lehtë do të integrohet ajo në familjen e vendeve të zhvilluara, pra aq më e mirë do të jetë e ardhmja e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Sa më gjatë të vazhdohet me këtë investim kaq të ulët për arsimin dhe shkencës aq më shumë do të thellohet prapambetja në zhvillimin tërësor ekonomik social e vendit tone krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe të Evropës.

About Redaksia

Check Also

“Luftërat” fitohen, nuk dhurohen…

Nga Adriana KALAJA Unë i përkas atij grupi njerëzish që çdo gjë e kam fituar …