Nën qeverisjen e Edi Ramës arsimi ka qenë viktima më tragjike e diktaturës së dytë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është duke zhvilluar një takim në Kamëz me mësuesit, me rastin e festës së 7 Marsit.

Në fjalën e tij para mësuesve, Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve 760 shkolla janë mbyllur, mësuesit u degraduan, u zëvendësuan me patronazhistë dhe se rrogat e tyre në vend që të ndiqnin trendin sot nuk kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit 12-vjeçar.

“Çfarë ndodhi këto vite. Këto vite janë mbyllur 760 shkolla. Këto vite numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë. Këto vite është regjistruar ajo që ndofta nuk është regjistruar asnjëherë në historinë tonë mijëravjeçare.

Një qytet, një qendër e banuar si Kolonja, si Erseka, ka patur në vitin 2023 vetëm një lindje. Në vitin 2030, në klasën e parë të këtij qyteti ulet vetëm 1 vogëlush.

Kombi nuk është goditur kurrë në materien e tij, në qenien e tij nga asnjë pushtim, nga asnjë pushtues, nga asnjë fatkeqësi natyrore, nga asnjë luftë, siç është goditur këto 12 vite të qeverisjes së një njeriu, i cili ka patur mision shkatërrimin e këtij kombi. Ka patur si mision dhe ka, shkatërrimin e këtij kombi.

Edi Rama përbën ndofta antishqiptarin më të zi të historisë. Siç e kanë quajtur me shumë të drejtë analistë ndër më të mëdhenjtë të kohës, gjermanë e të tjerë, ‘Pashiqi Shqiptar’. Këtë gjëmë që i bëri Shqipërisë me politikat e tij, e shoqëroi me thika të tmerrshme pas shpine Kosovës.

Një vend vëlla, vëlla gjaku, një vend që u bë i pavarur sepse qëndroi i pamposhtur nga pushtuesit më të egër.  Pas ardhjes së tij në pushtet përballet me një presion të egër mes Tiranës e Beogradit.

Në fakt jo vetëm që ndaloi procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, por mori anën e Beogradit, vuri sanksione Kosovës, i pari, me urdhër antishqiptar.  Pra kjo që pësoi Shqipëria dhe shqiparët me Edi Ramën është e pashembullt në tërë historinë.

Unë e kam përjetuar diktaturën komuniste dhe unë e di se dhjetëra e mijëra shqiptarë, u ekzekutuan për fjalën, mendimin e liri, dinjitetin njerëzor. Dhjetëra mijëra të tjerë u internuan, u dëbuan. Një popull i tërë ra në varfëri dhe mjerim. Por kurrë, ky komb, ky popull nuk ka humbur në 10 vite, 45% të materies së tij, siç kemi humbur në këtë periudhë.

U ndala në këtë analizë, për të thënë se në këtë regjim, diktaturë të dytë, arsimi ka qenë dhe viktima më tragjike e tij. Mësuesit u degraduan, u zëvendësuan me patronazhistë. Rrogat e tyre në vend që të ndiqnin trendin sot nuk kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit 12-vjeçar.

Një shkollë drejtorash, si shkollë partie. Një portal që quhet ‘Mësues për Partinë’. Të gjitha këto së bashku, sollën rrokullimën e madhe të sistemit jetik, më të rëndësishëm për një komb, në rrugën e tij drejt përparimit, progresit”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Pas tubimit para Kryeministrisë, studentët dhe pedagogët nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit

Protesta studentore në Tiranë vijon për të nëntën ditë radhazi, ndërsa studentë, të rinj, pedagogë …