Arlind BAJAJ
Të rinjtë në vendin tonë përballen sot, si kurrë më parë, me sfida të shumta. Sfida që e bëjnë të duket e pamundur ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme në vendin tonë. Kjo është diçka e drejtë. Papunësia e lartë, pagat e ulëta, mungesa e mundësive dhe çmimet e larta janë faktorët kryesorë që kanë arritur të kthejnë në trend largimin e të rinjve nga vendi. E nëse vite më parë, rastësisht mund të dëgjoje një diskutim mes miqsh se çfarë do të zgjidhnin për studimet e larta, sot mund të dëgjosh vetëm ankesa lidhur me papunësinë, ku zgjidhja e vetme ngelet emigrimi.
A është kjo ajo ç’ka ne duam për vendin tonë?
Si një i ri, kam një përgjegjësi të madhe, për të dhënë një ndihmë sado të vogël për ta bërë këtë vend më të mirë. Për të ndryshuar qytetin tim, Vlorën time të bukur, qytetin ku shumë familje punojnë vetëm për tu ushqyer. Qytetin prej të cilit, shumë të rinj janë larguar, disa prej tyre, ende pa arritur 18 vjeç. Qytetin ku papunësia është e madhe pavarësisht numrit “të lartë” të turistëve. Qyteti i zhytur në korrupsion, papunësi, pamundësi ekonomike, trishtim dhe vajtim.
Këto probleme të njëpasnjëshme kanë shkaktuar me kalimin e viteve në vendin tonë një problem madhor, zhdukjen e shtresës së mesme. Tani më në Shqipëri mund të gjejmë vetëm shtresën e pasur (një grusht njerëzish të favorizuar nga qeveria) dhe shtresën e varfër.
A ka zgjidhje?
Edhe pse shumë njerëz e kanë humbur shpresën se Shqipëria është vendi ku ata mund ta ndërtojnë të ardhmen, ende ka mundësi. E ajo mundësi është ndryshimi i kësaj qeverie, ndryshimi i sistemit. Ndryshim i regjimit totalitar të diktatorit Edi Rama. Një lider i cili ndodhet në pushtet prej 12 vitesh, nuk është thjesht një lider, është një diktator. E cili mund të jetë ndryshimi i tij nga Aleksandër Lukashenko? Po ndryshimi nga një lider europian? Cili është ndryshimi i Shqipërisë së sotme me Shqipërinë e para 1990?
Në 2013, Edi Rama erdhi në qeveri me një alternativë “premtuese”. Shqiptarët me adhurim dëgjonin fushatën e tij me 300’000 vende të reja pune, rritje ekonomike, ulje të borxhit, ujë të pijshëm 24 orë, etj. Nuk më duhen shifrat e INSTAT për të dalluar se në vend që të plotësonte premtimin e tij me 300’000 vende të reja pune, ka larguar më shumë se dyfishin e kësaj shifre jashtë vendit. Nuk më duhen të dhënat për të parë se shqiptarët kanë pësuar krizë të madhe ekonomike. Nuk më duhen justifikimet e Edi Ramës ku pa kurrfarë turpi thotë ende se fajin për mosfurnizimin e shqiptarëve me ujë të pijshëm 24 orë e ka Berisha.
Ajo ç’ka më duhet, është largimi i këtyre çakejve, ende të pangopur nga vjedhjet 12 vjecare. Edhe sa deputetë, ministra, zv. ministra, drejtorë e kryetarë bashkish do të duhen të dënohen për të kuptuar se Edi Rama është thjesht drejtuesi i hajdutëve? Nuk mjaftoi për popullin tonë Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Alqi Bllako, Lefter Koka, Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu, Fran Tuci, Rexhë Byberi, Rajmonda Balilaj? Edhe sa prova të tjera 11 kg duhen për të faktuar se Belinda Balluku është një tjetër hajdute? Edhe sa agjentë të tjerë të FBI duhet të korruptohen? Edhe sa afera të tjera nevojiten që Edi Rama të jap dorëheqjen denjësisht, si një lider europian? Edhe sa afera të tjera “Ballkan i Hapur” nevojiten për të kuptuar se Edi Rama nuk duhet të jetë më kryeministri ynë?
Koha për të ndryshuar ka ardhur. Koha për të besuar për një të ardhme më të mirë. Që ne të rinjtë, të vazhdojmë të qëndrojmë këtu e që ata që janë larguar të kthehen sërish. Për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Si një anëtar i ri i Forumit Rinor, dhe si pasardhës i një tradite të vjetër, datuar që prej vitit ’44 kam besimin e plotë se alternativa e vetme është Partia Demokratike.
Por në kundërshtim me mua, shumë opozitarë të zhgënjyer nga ish-kryetari lodër Lulzim Basha, por edhe shumë të depolitizuar, shikojnë si mundësi disa parti të tjera opozitare. A nuk është e çuditshme që disa individë që përpiqen të paraqiten si “opozitarë” të qeverisë, si Adriatik Lapaj, Arlind Qorri dhe Endri Shabani, përfliten për lidhje me figura si miliarderi dashakeqës George Soros, mik i ngushtë i Edi Ramës? A është kjo thjesht një rastësi, apo një përpjekje e kalkuluar për të krijuar një opozitë që nuk ka asnjë mbështetje reale popullore, por që mbështetet nga interesa të jashtme dhe të brendshme për të minuar ndryshimet që ka nevojë Shqipëria? Pse duket se këta individë kanë të njëjtën thirrje si në librin e Ben Blushit, “Letër një socialisti”? A është një rastësi që emri i partisë së Adriatik Lapaj përkon me një kapitull të këtij libri? Apo është kjo një ide që Adriatik Lapaj, politikani me bindje demokratike, e ka rrëmbyer me inspirim të madh nga komunisti idealist Ben Blushi? Apo është ky thjesht një urdhër i “Shefit të MADH”, pa pyetur fare për opinionin publik? A mund të jenë forca të vërteta opozitare apo thjesht individë-vegla të një lëvizjeje që kërkon të krijojë përçarje?
Pavarësisht cdo ndarje që na është bërë, pavarësisht çdo financimi për të na ndarë, pavarësisht çdo beteje, demokratët duhet të zgjedhin patjetër Partinë Demokratike. Demokratët nuk duhen të ndalen deri më 11 maj. Janë realizuar qindra protesta kombëtare gjatë një dekade. Duke filluar që prej “Shqipëria Ngrihet”, “Zgjedhje të lira”, “Shqipëria si Europa” e deri te “Shqiperia në rrezik”, “Shqipërisë i dalim Zot”, “Opozita në AksiOn – O Sot, O Kurrë”. Na dënuan liderin, por protestuam për 333 ditë me rradhë, deri në lirimin e tij. Qytetarët e Tiranës protestuan pa u dorëzuar deri sa e çuan Erion Veliajn pas hekurave. Tani, ka ngelur vetëm ti kthejmë Shqipërisë kohët e arta. Ti japim fund këtij regjimi komunist, njëlloj si në periudhën 1990-1992. Të votojmë partinë e punëve të mira. Partinë që na mundësoi fjalën e lirë, që mundësoi anëtarësimin në NATO, përmirësoi marrëdhënien me SHBA, lëvizjen e lirë e pa viza në BE, rriti ekonominë, mundësoi ndërtimin e 11 mijë km rrugë. Partinë Demokratike, Aleancën për Shqipërinë Madhështore.