Partia Demokratike e Shqipërisë ka prezantuar koalicionin, ‘Aleanca për Shqipërinë Madheshtore’. Berisha tha se, viti 2025 është viti i diasporës! Ai shtoi se, diaspora e ka bërë zgjedhjen e saj, të shpëtojë Shqipërinë.
“Kurrë ndonjëherë para kombit dhe shqiptarëve nuk është paraqitur një koalicion i tillë me PD-në më transparente se kjo e sotmja.
Pra, ky nuk është koalicioni i të panjohurave, por ky është koalicioni i transparencës, i burrave dhe grave, i djemve dhe vajzave që i njohin shqiptarët, që i vlerësojnë shqiptarët.
Një koalicion që përfaqëson të gjithë interesat, shtresat, komunitetet e ndryshme të këtij kombi.
Ky koalicion i PD me Aleancën për Shqipërinë Madhështore është pritur me gëzim, me interes të madh nga mbarë shqiptarët.
Ky koalicion nis garën elektorale përballë një narkoregjimi, i lidhur kokë e xhep me krimin dhe korrupsionin.
Por ky koalicion nis garën elektorale me një epërsi të jashtëzakonshme morale.
Prej dy muajsh, PD dhe aleatët e saj kanë bërë fushatën elektorale më të suksesshme në historinë e tyre jashtë vendit.
Angazhimi i PD dhe aleatëve të saj në fushatë elektorale me shqiptarët jashtë vendit, në emigracion dhe diasporë, ka ndezur zemrat dhe shpresat e tyre.
Ka provuar një entuziazëm dhe vendosmëri e paparë ndonjëherë te shqiptarët nga vitet ’90 gjer sot.
Të dashur miq, me të drejtë unë dhe ju do ta quajmë vitin 2025, vitin e diasporës.
E meritojnë plotësisht!
Ai reagim i tyre i fuqishëm, ai entuziazëm i tyre i jashtëzakonshëm, ajo vendosmëri e tyre e madhe për të marrë pjesë në zgjedhje dhe votuar opozitën është dëshmi e një dashurie të paprekur të tyre ndaj Shqipërisë.
I dashurisë së tyre ndaj Shqipërisë demokratike, Shqipërisë së qytetarëve të lirë, Shqipërisë së ligjit, Shqipërisë që u jep nder dhe dinjitet dhe jo narkoshtetit shqiptar.
Përçmimi, përbuzja që emigracioni dhe diaspora i bëri kreut të narkoshtetit Edi Rama në takimet e tij, e detyroi atë t’i ndërpresë ato takime.
Akoma më keq, përzunë ata përfaqësuesin e tij me 5 mbiemra. Pra, viti 2025 është viti i diasporës.
Diaspora e ka bërë zgjedhjen e saj, të shpëtojë Shqipërinë”, tha Berisha.