Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë prezantimit te koalicionit të opozitës tha se, projekti ynë për Shqipërinë Madhështore është Shqipëria epiqendër të teknologjive më të larta dhe më të avancuara në rajon dhe një nga epiqendrat e rëndësishme të Evropës.
Berisha: Miq, nuk është vetëm kaq projekti ynë për Shqipërinë Madhështore.
Projekti ynë për Shqipërinë Madhështore është Shqipëria epiqendër të teknologjive më të larta dhe më të avancuara në rajon dhe një nga epiqendrat e rëndësishme të Europës.
Me ekspertë ndërkombëtare dhe kombëtare është përgatitur projekti dhe programi, me të cilin Shqipëria do bëhet epiqendër e dataqendrave, të cilat janë diamantet në kurorën e hightech-ut, në kurorën e zhvillimeve më të avancuara ekonomike. Do jetë vendi i inteligjencës artificiale, internetit 3 dhe kriptomonedhave.
Pra, në Shqipëri, dhjetëra mijëra vajza, djem, të shkolluar jashtë vendit, por edhe në Shqipëri, do kenë mundësi të kthehen të punojnë në sektorin më të avancuar të ekonomisë botërore, që është sektori i hightech-ut.
Ky është projekti ynë i Shqipërisë Madhështore, projekt që në pamje të parë të duket pak si një horizont i largët, por projekt që është absolutisht i realizueshëm dhe që ky koalicion, me potencialet e jashtëzakonshme që ka, do ta shndërrojë mandatin e parë, realitet për shqiptarët.
Ndaj dhe le të nisim ne punën të palodhur, të përkushtuar me të gjithë potencialet.
Të mbështesim kandidatët tanë në të gjitha rrethet.
Së bashku me shqiptarët e diasporës për të hapur dyert e një projekti që shqiptarët nuk e kanë njohur kurrë më parë.
Projektin që do bëjë vendin e tyre një vend madhështor, siç e meriton.
Faleminderit dhe suksese!