Berisha: Rama armik i egër i kombit shqiptar! Nuk paraqet asnjë arritje në 12 vite, i kanë mbetur në gojë zhabat!

Kryetari i PD, Sali Berisha e ka cilësuar Edi Ramën, një armik të egër të kombit shqiptar. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, Berisha tha se në 12 vite qeverisje, Rama nuk ka paraqitur asnjë arritje, veçse mllefin dhe vrerin ndaj opozitës.

Berisha tha se, është koha për shpëtimin e Shqipërisë nga një rrezik madhor antikombëtar, që rrallë e ka pasur historia, siç është Edi Rama.

“Partia Demokratike dhe aleatët e saj nisin fushatën me një epërsi të pakrahasueshme, me kundërshtarin tonë, padrinon e narkoshtetit dhe bandat e tij.

I gjithë vullneti i njerëzve të lirë, njerëzve dinjitozë, njerëzve që besojnë tek ligji dhe Kushtetuta, njerëzve që besojnë tek vlerat dhe jo tek mandatet e marra duke arrestuar liderët politikë të opozitës, jo në shndërrimin e Shqipërisë në vendin e torturave, jo në plaçkitjet më të mëdha që ka njohur historia ndaj qytetarëve shqiptarë dhe pamëshirësisë ndaj tyre.

Pra, para qytetarëve shqiptarë ne shkojmë kokulur dhe ballëhapur.

Shkojmë kokulur sepse do kërkojmë mbështetjen e tyre, zemrën e tyre, mendjen e tyre.

Por gjithashtu ne paraqesim një projekt që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë.

Ne paraqesim një projekt, në pamje të parë, i largët pak, Shqipëria Madhështore.

Por ne paraqesim një projekt që është absolutisht ëndrra më e bukur, e ditës dhe jo e natës, e çdo shqiptari, e çdo atdhetari, e çdo njeriu punëtor, e çdo njeriu të lirë, e çdo njeriu me dinjitet.

Çfarë paraqet pala tjetër? Paraqet hardhucë, zhapikë, bretkosa, zhaba dhe tani së fundmi i ka ngelur në gojë Kujtimi, jepja ato mustaqe se çmendet pas tyre.

Kujtim, se unë e ti e njohim atë nga ana psikologjike, ia di ti arsyen pse e ka atë ai.

Por kjo nuk është punë e kësaj mbledhje.

Pra, një njeri që ka qeverisur 12 vite dhe nuk u thotë dot shqiptarëve, nuk u tregon dot shqiptarëve një arritje?

A mundet kështu? Nuk u tregon dot sepse ato arritje që numërohen me gishtat e dorës, janë të nxira nga vjedhjet e tmerrshme.

Nuk u përmend dot tunelin e Llogarasë, sepse shkruhet 50 milionë të vjedhura me një dorë.

Nuk flet dot për unazën që e mbylli përsëri, sepse 13 kilometrat e fundit i ndau në 14 kontrata.

Nuk përmend dot rasat e gurit që ka shtruar nëpër qytete sepse ka vjedhur me to 10 herë çmimin e tyre.

Nuk përmend dot suksese sepse ka mashtruar për çdo gjë shqiptarët.

Se u thoshte ujë 24 orë, dhe tani ujë më keq se kurrë.

Se u thoshte pensionet, rrogat, dhe tani në qoftë se rritet pensioni minimal aq, Shqipëria bie në katastrofë.

Nuk përmend TVSH-në e ushqimeve që do ulte, paçka se çmimet kanë shkuar në stratosferë.

Nuk përmend dot asgjë, asnjë premtim, sepse të gjitha janë mashtrime.

Por mbi të gjitha, forcat tona politike janë forca të interesit kombëtar.

Ne së bashku përfaqësojmë interesin kombëtar të shqiptarëve.

Çfarë përfaqëson ai? Ai përfaqëson një nga armiqtë më të egër të kombit në të gjitha kohërat.

Ai përfaqëson njeriun që në 12 vite qeverisje, përzuri nga Shqipëria 45 përqind të shqiptarëve. Ndaj dhe u etiketua si Pashiqi i Tiranës.

Ai përfaqëson njeriun e parë në Europë që i vuri sanksione shtetit të pavarur të Kosovës për llogari të Beogradit.

Miq, kush ka lexuar histori, do gjejë se Enver Hoxha i shkruante Stalinit: Shoku Stalin, Kosovën e lamë me Jugosllavinë se më e sigurt me Jugosllavinë. Mendja na thotë se vepruam drejt.

Edi Rama, Kosovën e la me Vuçiçin.

Edi Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit.

Dy ditë më parë, Departamenti i Shtetit, sekretari Marco Rubio dënoi Dodikun. Edi Rama hesht si fija e barit për aktet e tij destabilizuese.

Pra kemi të bëjmë në këtë aspekt, shpëtimin e Shqipërisë nga një rrezik madhor antikombëtar që rrallë e ka pasur në histori, siç është Edi Rama”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Rama largon gardën e vjetër të deputetëve të PS nga lista e mbyllur

Asnjë prej tyre nuk do të jetë n listën e mbyllur, ndërsa u duhet të …