Nga Redin HAFIZI
I vetmi gëzim i Tikut është kur votuesit ia shqiptojnë mbiemrin me një “L” dhe bërtet kur e quajnë “Zoti Llapa”. Nuk është e rëndësishme, por çfarë ka thithur deri më sot është në konsideratën e diasporës që nuk e mashtron dot. Kur Diaspora Shqiptaro-Amerikane të votojë, i bëj thirrje të mos dëgjojë askënd, por thjesht të shohë se përse po paguan kaq shumë taksa. Na kanë vjedhur me USAID një organizatë që duhej të ndihmonte nëpër botë, por në Shqipëri paska ushqyer parazitë nëpër OJQ apo projekte të politikës së re.
Çdo financim i USAID është qarkulluar në Shqipëri, pasi është shkulur nga ne me një skemë të tmerrshme mashtrimi të Administratës Biden. Ato para kanë shkuar tek mediat në Shqipëri kundër opozitës, tek politikanët e rinj kundër opozitës dhe tek çdo OJQ vetëm kundër opozitës. Paratë e taksave të diasporës Shqiptaro-Amerikane bënë me shumë shtëpi parazitët në Shqipëri që kurrë nuk kanë prekur punë me dorë në jetën e tyre dhe japin leksione nëpër tv. Eris Luarasi ka marrë 300 mijë dollarë nga taksat e Shqiptaro-Amerikanëve vetëm që të lartësonte një kryeministër që detyroi 700 mijë Shqiptarë të largohen.
Ne nuk mund të paguajmë taksa që Shqipëria të shpopullohet. Ne nuk paguajmë taksa që një elitë e vogël të bëjë jetë, ndërkohë që kurrë nuk do të pranoja që taksat e mia të shkonin për një qeverri që përze Shqiptarët dhe u rrëmben pronën pa një vendim gjykate. Kurrë nuk do të votoj për një sistem ku prona shkatërrohet me vendim prokurori dhe ku militanti tallet duke të thënë t’i drejtohesh gjykatës. Kjo është drejtësia për të cilën taksat e Shqiptaro-Amerikanëve paguan? Kjo është drejtësia e hajdutëve dhe kryeministri i Shqipërisë e ka deklaruar se këtë drejtësi e ka krijuar ai dhe grupi i tij, por kurrë nuk ka paguar ai.
Siç po del, këtë drejtësi të mbrapshtë e paskemi paguar ne vjedhtazi ndërkohë që Rama ka shtuar vetëm fjalët dhe viktimat brenda në serë. Ai bën lojën e komunistëve duke shtuar histerinë Llapjane për një drejtësi jakobine nën emrin e të rinjve në politikë, por që ulërimat duket se vijnë nga qindra shekuj më parë. Edhe për këtë lloj histerie paskemi paguar me taksat tona, por gjithnjë ne bëjmë punën, në rregull me ligjin, me të drejtën dhe ata thjesht ulërasin dhe kërcënojnë.
Erdhi Llapaj në USA dhe deklaroi se jo vetëm do të bëhet faktor në caktimin e koalicionit, por do të deklarojë korrupsionin si tradhëti kombëtare. Si do ta bëjë këtë, pasi është në kundërshtim të ligjeve dhe nuk përshtatet me kushtetutën. Diku tjetër ai tha se mund të kundërshtojë edhe kushtetutën nëse duhet dhe këtu ai u kthye në bazë tek vëlla Eri, baba Edi dhe familja Soros.
Ndërkohë ne si Shqiptaro-Amerikanë nuk mund të vazhdojmë të paguajmë taksa për parti OJQ, por duhet të votojmë për ata që vërtet sjellin ndryshimin pa ngjyra dhe ndikime. Ne votojmë ndryshimin dhe ndryshimi është përmbysja e një praktike për të shkatërruar opozitën me taksat tona. Sot opozita është në këmbë, e re dhe shumë më tepër Shqiptare se ulërimat e Adriatik Llapës.