Të gjendet një provë e re kundër Erion Veliajt është e pamundur.
Çdo provë që publikohet ndaj tij në vazhdim, nuk është e, nuk mund të jetë “e re”.
Nuk është provë e re fakti që, ai përdor si kamikaze mjerot e gjysmë-opingat ruralë të studiove e portaleve, ose “terrone-t” siç i quajnë në bregun e Adriatikut!
Nuk është provë e re që, me urdhër e për interes të tij, kundrejt pagesave të majme, ata ndotin me shkrim e me gojë cilindo që zbulon të vërtetat për grabitjen e organizuar të tij…
Nuk është provë e re që, ai blen me paret tona çdo “VIP” të artit, sportit, kulturës apo show bizz-it, të cilët janë paguar me miliona vetëm për t’i dalë Zot “punëmbauarit” të tyre pikërisht në këtë ditë… të cilën e priste se do i vinte…
Nuk është provë e re që, në këtë aktivitet kriminal ai ka përfshirë aktivisht të gjithë rrethin familjar e shoqëror, duke nisur nga e ëma, pensionistja më e pasur në Shqipëri, e deri tek kushëriri më i paqenë i gruas…
Nuk është provë e re që, kompanitë e të vëllait e të së shoqes, kanë gëlltitur brutalisht në mënyrë më së shumti direkte, haptazi, miliona euro që duhej të përdoreshin për hallet e tiranasve…
Nuk është provë e re, as fakti se Bashkia Tiranë ka funksionuar si një organizatë kriminale duke ngrënë miliona përmes drejtorëve që vetë firmosnin tenderin dhe po vetë e fitonin, madje në mënyrë aq të përsëritur, derisa e kthyen në “rregull”…
Nuk është provë e re që, me ato para janë paguar zyrtarisht televizionet më të rëndësishme kombëtare, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, në këmbim të heshtjes totale deri në vrasjen brutale, live, publikisht, të gazetarisë dhe gazetarit investigativ…
Po ashtu, nuk është “mbrojtje e re” as fakti se është zgjedhur 3 herë kryebashkiak, e për këtë arsye nuk qenkësh i rrezikshëm.
Erion Veliaj është shumë, shumë i rrezikshëm, pikërisht se ka arritur të zgjidhet 3 herë, duke patur zyrtarisht “drejtuesë politikë” të fushatave të tij, pikërisht bandën 5D që është në burg, por ende e paplotë!
Është e paplotë sepse u mungon në dosjen e tyre pikërisht Erion Veliaj, pavarësisht se është në burg…
Kundër Erion Veliajt, nuk mund të ketë e nuk mund të gjendet një “provë e re”!
Për të ka thjesht “provë që ende nuk është administruar” (me qëllim), dhe çështje penale për të cilën ende nuk është akuzuar zyrtarisht (po ashtu qëllimisht), por kjo nuk e bën aspak “të re” as provën, e as dosjen penale!
KAQ!