Nga Redin HAFIZI
Faktori më i rëndësishëm në një proçes zgjedhor është vota. Dita e zgjedhjeve duhet të jetë një celebrim i demokracisë ku çdo individ shkon i lirë të shprehë vullnetin e vet përmes votës. Ndërkohë që në Shqipëri asnjëherë nuk ka qenë tamam kështu. Që natën kur caktohen listat me emrat e kandidatëve duket sikur nuk nis fushata, por një luftë e ashpër e ndërthurur edhe me strategjitë, kalkulimet, skemat ku shpesh mbajnë era manipulim nisur nga dëshira e tejskashme e çdo individi për t’u zgjedhur. Shpesh kjo atmosferë jep idenë se pozita e deputetit është një vend pune i mirëpaguar dhe me benefite të shkëlqyera, se sa një mision deri në sakrificë për t’i shërbyer qytetarëve. Në të vërtetë edhe sistemi zgjedhor e ndihmon këtë, dhe në të vërtetë dëgjojmë më shumë për shpërblime miqsh, forcim pozitash të kryetarit, apo edhe dredhira për të garantuar një vend në parlament duke kaluar tangent kauzat. Duket se në zgjedhjet e 11 majit këto karakteristika duken qartë që në diskutimet për hartimin e listave. Në ato shohim gjithçka përveç përkujdesit që vota të jetë e lirë dhe dita e zgjedhjeve të jetë një celebrim i demokracisë.
Në këto zgjedhje marrin pjesë me lista pesë grupime politike, Lëvizja Bashkë, Partia Mundësia, Nisma Shqipëria bëhet, Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Partia Socialiste. Të gjithë kanë specifikat e tyre në lista dhe shpesh listat kanë një filozofi që është bosht në proçesin e krijimit.
Lëvizja Bashkë dhe Partia Mundësia kanë më pak diskutime në opinion pasi secila parti ka hartuar për herë të parë lista në një përballje mbarëkombëtare për pjesëmarrje në parlament. Listat e tyre mund të karakterizohen me termin “Për të papërfaqësuarit”, pasi atyre u duhet një plan i fuqishëm që të përpiqen për të mbledhur sa më shumë vota sidomos nga të papërfaqësuarit. Edhe linja e tyre dhe thirrja u drejtohet këtyre individëve dhe mund të kontribuojnë shumë në mbledhjen e më shumë votuesve këtë vit.
Nisma Shqipëria bëhet erdhën në momentin e forcës politike nga një aktivitet të tipit OJQ. Ata ngritën si kauzë pjesëmarrjen me lista të hapura në zgjedhje dhe kjo ishte një lëvizje e drejtë për të dobësuar rolin e kryetarit në caktimin e listave. Kjo aleancë me të drejtë kërkonte që vetë vota të bënte renditjen në lista. Me gjithë përpjekjet e shumta u arrit një fitore gjysmake ku gjykata kushtetuese i hapi listat pjesërisht. Pra edhe suksesi i këtyre forcave nuk ishte i plotë dhe kjo gjë ndikoi edhe në hartimin e listave të deputetëve nga kjo aleancë. Ata kërkuan që ta shesin ende si fitore të plotë ose si kalin e betejës hapjen e listave dhe për të mos hedhur kauzën si të dështuar dolën me një skemë mashtrimi. Në listat e mbyllura futën familjarë që do të dorëhiqen në 11 maj ora 20:00 dhe do të shqyrtohen vetëm votat e listës së hapur. Përveç se është mashtrim një skemë e tillë mundëson manipulimin e vullnetit të qytetarëve, pasi nëse një grup qytetarësh votojnë për koalicionin vetëm nga simpatia për ndonjë kandidat në listën e mbyllur, atëherë skema e përdorur i dredhon ato vota tek kandidatët e listës së hapur. Pra vullneti deformohet dhe prandaj lista e këtij koalicioni mjaft mirë mund të karakterizohet “Mashtrimi”.
Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka patur listën më të diskutuar nëpër media edhe për faktin se një pjesë e madhe e mediave vazhdojnë për inerci të sulmojnë çdo gjë që kryhet nën drejtimin e Berishës. Ndërkohë që është fakt se Berisha këtë radhë po jep mesazhin e fundit të tranzicionit, largimin e një klase politike, por në mënyrë fituese. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse katër vitet e fundit nuk do të kishte një sulm për asgjesimin e opozitës së vërtetë dhe nxjerrjen jashtë loje në mënyrë të dhunshme të vetë Berishës. Pra këto faktorë kanë ndikuar në hartimin e listave dhe mund të përcaktohen me termin “Ripërtëritja”. Pas rithemelimit listat japin mesazhin e ripërtëritjes ku në listat e mbyllura janë individë që në shumicë shumë shpejt duket se do të dalin si fitues nga politika. Ndërkohë të gjithë që janë në listën e hapur do të duhet të bëjnë fushatë fort jo vetëm për zgjedhjet parlanentare, por edhe për të ardhmen e PD. Në këtë mënyrë duket se Berisha shpëton nga akuza se është ai që zgjedh strukturat dhe kreun e PD kur ai të vendosë të largohet gjithnjë pas rikthimit në qeverrisje pas 11 majit. Madje kjo listë mundëson edhe një PD aktive edhe kur janë në pushtet, kur dihet që qeverrisja shkatërron funksionimin e partisë.
Ndërkohë të kundërtën mund të them për listat e PS. Rama në listat e mbyllura ka fshehur bandën e tij dhe ka futur shumë anonimë për vetë faktin se i duhet të kontrollojë partinë në mënyrë absolute. Ndërkohë në listat e hapura ka futur individë të vjetër në karrierë politike, por që nuk kanë as guximin për të trokitur në dyert e votuesve, pasi ka të njëjtat probleme që ka rrethi i ngushtë i Ramës por i përkasin bandës rivale. Për këtë arsye listat e Ramës mund të përcaktohen si “Kontroll Absolut”.