Kompania “5D” e drejtorëve të Erion Veliajt të arrestuar nga SPAK-u është paguar nga Bashkia e Tiranës rreth 200 milionë lekë apo 200 mijë euro në datën 12 mars të vitit 2025, raporton CNA.
Një pagesë garancie për një investim të kryer. Garanci e cila bëhet nga kompanitë dhe tashmë Bashkia e Tiranës, edhe pse “5D” është sekuestruar, drejtorët e saj janë në burg dhe sot ka shkuar edhe fraksioni tjetër i dosjes famoze në gjykim, ka vazhduar pagesat. Nuk kanë ndalur as garancitë e paguara të kompanisë.
Pra, çdo qindarkë që ka marrë “5D” apo ka mbyllur “5D” për llogari të Bashkisë Tiranë po u rikthehet drejtorëve, shkruan CNA.al.
Ka urdhëruar Veliaj të paguhen? Urdhërojnë vetë drejtorët nga burgu të paguhen apo Bashkia e Tiranës tashmë është marrë nën drejtimin e kryeministrit Rama dhe e ka urdhëruar ky i fundit pas komandimit të nënkryetares Anuela Ristani në drejtim të bashkisë?
Tani ose Ramës po i hanë dardha prapa krahëve ose po ia urdhëron banda e drejtorëve stafin e bashkisë nga burgu i Fierit apo Erion Veliaj vazhdon të drejtojë stafin njësoj si më parë duke vazhduar detyrën e tij si kryetar i organizatës së drejtorëve të dosjes “5D”.
Dokumenti zyrtar i mëposhtëm konfirmon pagesën e datës 12 mars në Thesarin e Shtetit.
Kompania “5D” është paguar 200 milionë lekë ose 200 mijë euro.
Për një garanci, për një investim të kryer, për Rehabilitimin e Qendrës Kinostudio.
SQARIM!
Kjo lloj pagese kryhet në momentet kur investimi është kryer.
Pra, lidhet një kontratë, mbahet një garanci prej 10%, më pas, pasi përfundojnë punimet, kryhet supervizimi i plotë, kthehet garancia.
Pretendohet se investimi është kryer, ka përfunduar.
CNA do të vijojë në ditët e ardhshme të sjellë fakte dhe prova se si është kryer pikërisht ky investim nga kompania “5D”.
A ka përfunduar dhe pse ka dyshime që shuma e rikthyer te “5D” të jetë një urdhër i madh nga lart dhe vërtet me një kurajë shumë të fortë të zyrtarëve që kanë kthyer këto shuma parash kompanisë famoze që çoi pas hekurave shumicën e drejtorëve kryesorë të Bashkisë së Tiranës.
Kush është “5D”?
Historia e shoqërisë “5 D konstruksion” u krijua fill pasi në Bashkinë e Tiranës erdhi në krye Erion Veliaj, duke u bërë kështu një nga kompanitë kryesore që fiton tenderët në këtë institucion.
Kompania “5 D Konstruksion” u themelua në 21 janar të vitit 2016. Ajo u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin fillestar “Igor Elektrik”.
Kompania u përket disa drejtorëve të Bashkisë Tiranë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe familjarët e tyre kishin përfituar dhjetëra miliona euro tenderë nga institucioni ku vetë ishin drejtorë.
Institucionet kryesore që i kanë dhënë tenderë publikë kësaj kompanie, vlera e të cilëve kalon më shumë se 25 milionë euro, janë: Bashkia e Tiranës, institucione në tjera në varësi të Bashkisë Tiranë etj.
Nga veprimet hetimore të kryera nga SPAK janë mbledhur provat dhe është provuar fakti se shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k , e cila është zotëruar në mënyrë indirekte nga shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish funksionarë në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë ka përfituar kontrata publike në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Sot drejtorët kryesorë të kësaj kompanie janë dërguar në burg pas hetimeve të bëra nga SPAK-u për abuzime me tenderët./ CNA