Lideri i opozitëst, Sali Berisha tha në konferencën me gazetarët se situata ekonomike dhe sociale në Shqipëri ka qenë prej kohësh një shqetësim i madh për qytetarët, të cilët përballen me sfida të shumta, nga pagat e ulëta deri te kostoja e lartë e jetesës.
Ndërsa sipas Berishësh, premtimi për rikthimin e parave te shqiptarët dhe përmirësimin e kushteve të tyre jetësore është kthyer në një mesazh që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje.
“Nga Podgorica, siç e patë, u ktheva në një miting, më i zjarrti qënka njohur pallati i sportit i Shkodrës që kur janë hedhur themelet e tij gjer sot.
Kam qenë në atë pallat shumë herë, por entuziazmin, optimizmin dhe energjinë që ndjeva gjatë atij takimi, nuk e kisha parë asnjëherë.
Paraqita deputetë të shkëlqyer para atyre qytetarëve të mrekullueshëm dhe i gjeta të vendosur më shumë se kurrë qytetarët e Shkodrës dhe të qarkut të votojnë PD-në dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
Programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore po bëhet pjesë shpirtërore e qytetarëve shqiptarë.
Motoja jonë se do u kthejmë paratë shqiptarëve po ngjit gjithnë e më shumë.
Minimumi jetik 200 euro, rritja e pensioneve me 20 përqind, rritja e rrogës minimale me 20 përqind, rritja e rrogës mesatare në 1200 euro, karta e konsumatorit për pensionistët dhe rrogëulëtit, kanë pasur një impakt shumë pozitiv.
Çdo ditë unë marr pyetje nga njerëz të braktisur, njerëz në nevojë.
Një nënë më drejtohej: jam me dy fëmijë, a do përfitoj unë për fëmijët jetimë. Do përfitojë 200 euro për fëmijë.
Po, fëmijët jetimë do të përfitojnë 200 euro që të gjithë.
Nuk mund të ketë më shqiptarë të agresuar nga varfëria ekstreme. Jo! Kjo merr fund.
Nuk mund të ketë shqiptarë me çerek pensioni, gjysmë pensioni apo dy të tretat pension. Do ketë shqiptarë me 200 euro.
Me kartën e konsumatorit do marrin 450 euro, sot për sot se nesër kur të rriten çmimet, do shkojë edhe më shumë.
Kompensim për TVSH që paguajnë.
Energjia do zbresë në 7 lekë.
Nafta do zbresë në çmimet që ka Kosova.
Pra, kjo paketë që e quajmë paketa e dhembshurisë dhe që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse kthimi i parave tek shqiptarët se atyre u merren taksat dhe ne do ua kthejmë atyre.
Ne nuk do shpenzojmë 130 milionë euro për djegësin që nuk ekziston.
Kryeministri nuk do udhëtojë me avion taksi 21 milionë euro në dy vite. Jo, do udhëtojë me linja tregtare.
Nuk do blihen kopshte Edeni 5 milionë euro, një çmenduri e paimagjinueshme, sikur është Sulltani i Surrelit. Jo, do kthehen në pensione.
Nuk do shtrohen darka dhe dreka me shishe vere 33 mijë euro. Jo dhe jo, asnjëherë.
Nuk do ndërtohen rrugë me 10fishin e çmimeve, paratë do u kthehen shqiptarëve, do u jepen rroga, pensione, kompensim i TVSH e me radhë.
Ky është vetëm fillimi.
Ky start nuk ndalet gjersa shqiptarët të dalin në krye të vendit për rrogat dhe pensionet.
Ky është preokupimi ynë, ky është zotimi ynë.
Prandaj ju patë atë takim aq të zjarrtë në pallatin e sportit në Shkodër.
Qytetarëve do u kthejmë paratë. Do presim me gërshërë dorën që do guxojë të prekë paratë e tyre”, tha Berisha.
Gazeta RD