Partia Demokratike ka prezantuar Programin e Qeverisjes 2025-2029 për Kulturën, një projekt që synon ringjalljen dhe përforcimin e sektorit kulturor në Shqipëri. Në këtë ngjarje merr pjesë edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili në fjalën e tij u shpreh ashpër për situatën e kulturës dhe artit në vend.
Ai kritikoi ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama për shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe përpjekjet për t’i shndërruar ato në projekte që i shërbejnë interesave personale dhe jo atij publik. Berisha përmendi shembuj konkretë të dështimeve, si shkatërrimi i Teatrit Kombëtar dhe keqtrajtimi i institucioneve artistike, duke i dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e ruajtjes së kulturës kombëtare.
“Së pari, dëshiroj t’u përshëndes përzemërsisht, t’u falënderoj për praninë tuaj këtu.
Të përshëndes panelsitët, drejtuesit e departamentit për punën që kanë bërë për përgatitjen e këtij programi, i cili përbën një program të një rëndësie jashtëzakonisht të madhe cilësore.
Çështja e kulturës e arteve është çështje e identitetit të kombit.
Është çështje e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen e tij.
Është bërë tashmë e njohur se ajo që erdhi si rilindje në vitin 2013 është faktuar si antirilindje në tërësi, por mbi të gjitha për kulturën dhe artet.
Një njeri, që ka studiuar arte, në një mënyrë ose në një tjetër, një artist i dështuar, realiteti i tij, që nuk kishte hapur një ekspozitë përpara se të bëhej kryeministër, por që kishte vjedhur dhe shitur vepra artistike, ikona mesjetare me vlerë kolosale, me të ardhur në pushtet, betejën e tij e nisi me artin, me kulturën.
Nisi një betejë ndër më të egrat, betejë në të cilën zhduku ose pothuajse asgjësoi të gjitha institucionet kryesore artistike të artit, përveç Teatrit të Operas që ka shpëtuar gjer sot. Edhe aty ka futur duart.
Sot, Tirana është i vetmi kryeqytet në botë pa teatër kombëtar, në një kohë kur kishte një teatër 100—vjeçar.
Sot, Tirana është një qytet që ka një galeri artesh të shndërruar në magazinë, ku piktorët nuk mund të ekspozojnë veprat e tyre.
Sot fëmijët nuk kanë një teatër, siç e kishin gjer dje për dekada e dekada.
Sot, libri tatohet në mënyrën më të pamëshirë.
Muzeu mbyllet për ‘rikonstruksion’ me qëllimin e vetëm për të vjedhur 10-12 milionë euro dhe për të ndërtuar një kullë në oborrin e tij.
Si në asnjë vend tjetër të botës, artistët bënë përpjekje heroike, përpjekjet më të mëdha për të mbrojtur teatrin, në protestën më të gjatë qytetare të regjistruar ndonjëherë.
Në qoftë se shqiptarët do lexojnë fjalën që ka mbajtur Edi Rama në Këshillin e Ministrave fill pas shkatërrimit të teatrit nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, do shohin se ai është autori i vërtetë i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar.
Do të shohin se çfarë Neroni është ky njeri.
Se me çfarë urrejtje ky justifikon aktin barbar të rrafshimit pas mesnate të Teatrit Kombëtar.
Gjuha, letërsia, filmi, që të gjitha janë në agresion të plotë të narkodiktatorit dhe narkodiktaturës.
Ju keni parë se si janë transformuar në inekzistente institucionet, zërat e fuqishëm në kulturën dhe artin tonë.
Cilido që do të krijojë një tablo më të qartë të shpërthimit dhe urrejtjes të këtij personazhi ndaj artit dhe kulturës e ftoj të lexojë fjalimin që mbajti ai me rastin e përcjelljes të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.
Kombi ndahej me gjeniun e letrave dhe ky zihej në fjalim me Blendi Fevziun sepse ai kishte propozuar t’i përzgjidhet një vend më i veçantë nderi shkrimtarit që meritonte çdo nderim.
Pra, i kërkoj ndjesë Helenës se mbase nuk i vjen mirë t’ia rikujtoj këtë moment, por Ismaili ishte shkrimtar mbarëkombëtar dhe ai fjalim ishte fyerje për çdo shqiptar.
Një publicist, një studiues, bëri përsipër të bëjë një propozim pa asnjë qëllim të keq, por thjesht një detyrim që ndjente ai ndaj shkrimtarit të madh. Mjafton kjo që fjalimi t’i kushtohej atij dhe jo shkrimtarit”, tha Berisha.
