Lideri i opozitës, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale uroi shqiptarët për 22 marsin kur me votën e lirë, shqiptarët arritën të ndahen nga diktatura më e egër staliniste në Europë dhe filluan rrugën e demokracisë.
“Dua të uroj shqiptarët për këtë ditë të bekuar, 22 marsin, një datë historike që na kujton momentin kur me votën e lirë, shqiptarët arritën të ndahen nga diktatura më e egër staliniste në Europë dhe filluan rrugën e demokracisë. Ky është një moment i shenjtë për çdo qytetar, që shënon fitoren e vullnetit popullor dhe të drejtës për liri.
Në këtë ditë, le të bashkohemi në urimin që vitin e ardhshëm të festojmë pa diktaturën aktuale që ka kapur vendin, por me triumfin e demokracisë, me një Shqipëri të lirë dhe të drejtë, ku qytetarët e saj të jenë të barabartë përpara ligjit dhe mundësive. Le të shpresojmë dhe të punojmë së bashku për një Shqipëri më të drejtë dhe më të begatë. Gëzuar 22 marsin!”, tha Berisha.