Mijëra protestues mbushën rrugët e Stambollit kundër arrestimit të Imamoglu

Mijëra protestues mbushën rrugët e Stambollit të dielën në natën e pestë të demonstratave kundër arrestimit të rivalit kryesor të presidentit turk, Ekrem Imamoglu.

Kryebashkiaku i Stambollit u arrestua të mërkurën dhe u burgos në pritje të gjyqit mbi akuzat për korrupsion.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia përdori “sprej piper” dhe gjuajti plumba gome në turmën që u mblodh jashtë bashkisë së Stambollit.

Duke raportuar nga Stambolli të dielën në mbrëmje, korrespondentja e Sky News, Alex Crawford i përshkroi protestat si “relativisht paqësore” por tha se ato ishin “protestat më të mëdha që Turqia ka parë në më shumë se një dekadë”.

Demonstratat e mëdha kanë vazhduar pavarësisht ndalimit të tubimeve në Stamboll të vendosur këtë javë – por shumë protestues fshehën fytyrat e tyre me maska.

Shumica e protestuesve nuk donin të flisnin në kamera pasi kishin frikë se mos i njihnin, tha Crawford, por ata dolën në rrugë sepse “ndjejnë se demokracia e tyre po gërryhet”.

Ajo theksoi se mbeten pyetjet për sa kohë autoritetet do të lejojnë që këto protesta të vazhdojnë – dhe nëse ato do të përshkallëzohen në një krizë të vërtetë për presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Protestat u intensifikuan pasi Imamoglu u akuzua të dielën për drejtimin e një organizate kriminale, marrjen e ryshfeteve, zhvatjen, regjistrimin e paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulimin e ofertave.

Kërkesa për të ndaluar zotin Imamoglu për akuza të lidhura me terrorin u refuzua.

Pas vendimit, ai u transferua në burgun e Silivrit, në perëndim të Stambollit.

Imamoglu i ka etiketuar të gjitha pretendimet “akuza dhe shpifje të paimagjinueshme”.

Dhe shumë kritikë e shohin ndalimin e tij si një lëvizje politike për ta hequr atë nga gara presidenciale e vitit 2028 – duke thelluar shqetësimet mbi demokracinë e vendit dhe sundimin e ligjit.

Por qeveria turke mohon se arrestimi i Imamoglu ishte i motivuar politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

About Redaksia

Check Also

Trump flet për viza të përkoshme për të ndihmuar fermerët dhe turizmin

Presidenti Donald Trump tha se administrata e tij po punon për një leje të përkohshme …