Ish-prokurori i Përgjithshëm i Arizonës, Mark Brnovich, është emëruar ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.
Vendimi u bë i ditur nga presidenti Donald Trump të premten, që e cilësoi Brnovichin si përfaqësues të përkushtuar të vlerave amerikane dhe një avokat të fortë për lirinë, në një shkrim në rrjetin social “Truth Social”.
Brnovich ka karrierë të gjatë në fushën e drejtësisë dhe politikës. Ai ka shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm i Arizonës për dy mandate, nga viti 2015 deri në 2023, dhe ka pasur rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Me origjinë nga ish-Jugosllavia, Brnovich ka rrënjë familjare në Mal të Zi dhe Kroaci, ndërsa prindërit i ka serbë. Ai ka studiuar shkencat politike në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe ka përfunduar studimet juridike në Universitetin e San Diegos. Përveç karrierës së tij ligjore, ai ka shërbyer edhe në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Amerikane.
Brnovich ka qenë figurë aktive në politikën amerikane, duke u përpjekur të sigurojë nominimin republikan për Senatin në zgjedhjet e vitit 2022, por pa sukses. Pas përfundimit të mandatit si prokuror, ai iu bashkua një kompanie të njohur ligjore.
Në detyrën e re si ambasador në Serbi, Brnovich do ta zëvendësojë Christopher Hillin ndërsa pritet të ketë rol kyç në marrëdhëniet SHBA-Serbi, veçanërisht në çështjet diplomatike dhe politike që lidhen me rajonin e Ballkanit.
Brnovich është i martuar me Susan Brnovichin, gjyqtare federale për Gjykatën e Qarkut të Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Arizonës. Ata kanë dy vajza së bashku. Ai është anëtar aktiv i komunitetit ortodoks serb në Phoenix.