Salmonela braziliane dhe pasaporta europiane

Nga Lutfi DERVISHI

Mishin e servirim me salmonelë, mandarinat i spërkasim me pesticide dhe mbi 50 lloje helmesh të ndaluara në Bashkimin Evropian përdoren lirshëm në bujqësi, por ne vazhdojmë të ëndërrojmë BE-në. Jo si standard, por si pasaportë.

Ëndrra jonë europiane ka erë pesticide. Dhe nuk është ndonjë sekret. Institucione ndërkombëtare, organizata të shëndetit publik, raportimet e medias dhe të qytetarëve,  të gjithë e kanë ngritur alarmin. Por çfarë bëjmë ne? Shtojmë dozën.

Pse? Sepse i fusim një mendje të lehtë: “Hë mo, s’na gjen gjë!”

Një mantrë kolektive, një justifikim i përbashkët për të helmuar tokën, trupin dhe fëmijët tanë.
Pis fermer që përdor helme për të shtuar prodhimin, pis shtet që nuk kontrollon asgjë, pis konsumator që i blen pa pyetur, pa refuzuar dhe pa reaguar. Pra, në fund të ditës: pis milet.

Po të ishte kjo thjesht çështje padije, do kishte zgjidhje. Por është çështje indiference dhe babëzie, e ushqyer me arrogancën e mosndëshkimit. Të mos harrojmë: në vendet ku janë ndaluar këto pesticide, janë ndaluar sepse vrasin. Dhe në ketu, jo vetëm që përdoren, por promovohen si “sekret suksesi”.

Fondet e IPARD që u dhanë për bujqit dhe blegtoret shqiptare mesa duket realisht kanë shkuar për  fermerët braziliane. Fondet e BE për bujqesine janë ndërprerë sepse SPAK nuk ka këllqe të hetojë atë që është provuar nga hetimet në Bruksel. Ne vijojmë me helmin e sheqerosur të propagandës.

Në vend të ndalim helmin, kemi ndaluar logjikën. Në vend të zbatojmë rregulla, bëjmë statuse krenare për eksportin e produkteve “të freskëta shqiptare” që pastaj kthehen mbrapsht si mall i rrezikshëm për shëndetin publik.

Tani le të hapim krahët për BE-në. Le t’i tregojmë që jemi gati për integrim. Me mushkëri të skuqura, me veshka të lodhura dhe një sistem që nuk mbron as veten e vet. Edhe  5 vjet dhe marrim pasaportën.
Por a do jemi gjallë për ta përdorur?

About Redaksia

Check Also

Shkon gjuha ku dhemb dhëmbi…

Nga Alba KEPI Kryeministri shqiptar ka publikuar sot në social një fotografi ku fton shqiptarët …