Drejtuesja Politike e rrethit Sarandë, Ina Zhupa, hapi fushatën dhe prezantoi kandidatët e PD-ASHM: Shqipërisë i duhet programi që ka paraqitur Partia Demokratike.
Në fjalën e saj, Ina Zhupa theksoi se, jam e nderuar që përfaqësoj 4 bashki plot vlera, si Saranda, Finiqi, Delvina dhe Konispoli, duke më besuar demokratët me votë dhe duke marr mbështetjen e kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha.
Fjalimi i Zhupës
Unë po rinovoj kontratën me ju me besimin e plotë që kësaj radhe do ju përfaqësoj si deputete e maxhorancës dhe do bëjmë shumë për rrethin tonë. Nuk dua të kem vetëm fjalën në mbrojtje të interesave tuaja, por ka ardhur koha të veprojmë dhe të bëjmë realitet programin tonë.
Partia Socialiste e ka nënvlerësuar rrethin tonë, duke mos vënë asnjë përfaqësues të 4 bashkive tona në listën e mbyllur si një shenjë respekti ndaj këtyre qytetarëve që ju kanë dhënë mandate lokale dhe qendrore.
Është skandaloze që në 2025 të premtosh ujë 24 orë, në atë vend që cilësohet si “Maldivet e Europës” dhe njëkohësisht të premtosh pasaportë europiane.
Pasaporta europiane arrihet vetëm kur arrihen standardet europiane. Nuk mund të kesh shëndetësi me standarde afrikane dhe të premtosh pasaportë europiane. Nuk mund jesh i rankuar i fundit në testin ‘Pisa’ për cilësinë e arsimit dhe të premtosh pasaportë europiane.
Nuk mund të kesh qytete pa ujë, pa drita, pa rrugë, pa menaxhim mbetjesh dhe të premtosh pasaportë europiane.
Gënjeshtra bajate të ricikluara 12 vite, ndërkohë që shqiptarët kanë tmerr tashmë nga fjala ‘pasaportë’ se i kujton vetëm ikjen e familjarëve, ikjen e miqve, shpopullimin e vendit.
Si kundërpërgjigje nuk do marr dot votën e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Vota e diasporës do jetë vota e rotacionit politik. Vetëm për qarkun tonë janë regjistruar mbi 19 mijë emigrantë ku do prodhojnë të paktën një mandat më shumë për koalicionin PD-ASHM. Bashkë me votat brenda vendit, ne shkojmë me bindjen e plotë se në këto zgjedhje Vlora del minimumi barazim, 6 me 6, falë votës tuaj dhe votës së diasporës shqiptare.
Sepse të gjithë janë të vetëdijshëm që Shqipërisë i duhet programi që ka paraqitur Partia Demokratike.
Partia Demokratike ka planin për turizmin ku përfitojnë qytetarët, ekonomitë familjare, bizneset e vogla dhe të mesme, ku plazhet janë për të gjithë, dhe jo turizmi i vilave të oligarkëve.
Partia Demokratike ndalon vjedhjet strategjike të pronave të banorëve në emër të klientëve të pushtetit, që kanë privatizuar çdo cep të vijës bregdetare.
Partia Demokratike vendos takse të sheshtë 10% mbi kapitalin.
Zero taksa mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël.
Ne ulim nga 15% në 2% të taksës së shitjes së pronës.
Ne heqim ‘Taksën Rama’ mbi karburantet. Çdo litër karburant do të kushtojë të paktën 24 lek më lirë.
Shqiptarët, të cilëve iu premtua shëndetësi falas, paguajnë sot për kujdesin e tyre shëndetësor, 5 herë më shumë se gjermanët, 3 herë më shumë se italianët. Paguajnë nga xhepi i tyre 60 përqind të shpenzimeve që nevojiten për sistemin shëndetësor.
Buxheti për shëndetësinë do dyfishohet.
Do ndërpriten menjëherë dhe do vendosen para ligjit të gjithë aktorët e krimit të koncesioneve në sistemin e shëndetësisë që i kushtojnë buxhetit 300 milionë euro.
Unë kam bërë betejë për identitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe garantoj këtu para jush që ne ndalojmë koncesionet në trashëgimi, ne anulojmë koncesionin e Butrintit dhe e kthejmë kulturën në motor për turizmin.
Të gjitha këto janë plotësisht të realizueshme nëse përdor paratë publike për ti shndërruar në të mira publike dhe jo për të pasuruar veten dhe klientët. Ne kemi garancinë se kryeministri i ardhshëm Sali Berisha, ka pikë të fortë mbajtja e fjalës. Sali Berisha ka treguar që të pamundurën e bën të mundur, që mban fjalën e dhënë, që punon për shqiptarët dhe arritjet më të mëdha për vendin kanë qenë me të kryeministër.
Ndaj të votojmë si njësha, të votojmë Nr 1!
Të nisim rrugëtimin e fitores, duke marrë përsipër me përgjegjësi ndërtimin e një Shqipërisë Madhështore!