Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference me gazetarët, ka hedhur akuza, se disa prej bandave kriminale në vend, po veprojnë të lirë dhe bëjnë ligjin në qytetet e tyre.
Berisha tha se, lejet e ndërtimit dhe projektet e kullave menaxhohet nga Edi Rama dhe Suel Çela, duke e lidhur me faktin që në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit është Adelajda Roka, motra e vëllezërve Marsel dhe Xhino Roka, anëtar të bandës së Çelës.
“Merri kullat që ne i quajmë monumente të drogës dhe korrupsionit. Është e faktuar që 80%, ose më shumë e financimit të tyre nuk vjen nga bankat, vjen nga nëntoka. Vjen nga nëntoka me bekimin e Edi Ramës. A e dini ju kush është mëkëmbësja e Ramës për lejet dhe për projektet. Ajo është zonja Rroko. Motra e dy lejtnantëve të Suel Çelës. Faktikisht lejet e ndërtimit dhe projektet i menaxhon Edi Rama me Suel Çelën. Kjo është e vërteta. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Zero tolerancë. Ata do të kenë atë fat që kanë pasur bandat në vitet 2005-2013. Sot ata janë të lirë, sot Suel Çela bën ligjin në lagjen e tij.
E di e gjithë Elbasanit përveç ky Proda, ‘Matrixi’ i policisë dhe Dumani i Skapit, që nuk e dinë se ku ndodhet ai. Ai është i lirë. Altin Hajri është i lirë dhe kërcënon njerëzit rrugëve. Troplini drejton defakto portin dhe lojërat. Po e mbush Durrësin në të 4-anët me lojëra fati, që ndan të ardhurat me PS-në dhe Edi Ramën. Bajrët po shndërrohen në një bankomat për shpërndarjen e narkoeurove sipas ligjit të bandës.
Pëllumb Gjoka nga qelia drejton banditët e tij në Velipojë. Ta harrojë, mbi ta do të rëndojë i tmerrshëm krimi elektoral, ta mbajnë mend mirë. Përveç krimeve të tjera, vepra më e rëndë kriminale, pas vrasjes do u konsiderohet krimi elektoral. Kjo është pra, ne do i presim ato burime. Si mundet të përballen njerëzit me rroga më të ulëta, me çmimet më të larta për strehimin, me çmimet më të larta për ushqimet. Ky është një mekanizëm i spastrimit etnik të këtij populli nga ky regjim që bazohet mbi krimin, vjedhjen e tyre”, tha Berisha.