Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi në Vaun e Dejës tha se, qytetarët shqiptarë meritojnë një të ardhme më të ndritur dhe një Shqipëri që të ofrojë mundësi dhe dinjitet për të gjithë. Ai theksoi se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por është në duar të gabuar që po e shkatërrojnë me varfëri dhe mjerim.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, banore dhe banorë të Bashkisë së Vaut të Dejës, një mirënjohje të pakufishme dhe një përulje me nderimin më të madh para jush për këtë pritje të zjarrtë dhe vëllazërore.
Një përshëndetje të përzemërt dhe përgëzim për këtë atmosferë optimizmi dhe entuziazmi.
Atmosferë frymëzuese që keni krijuar, e cila dëshmon se kjo pranverë do të jetë pranvera e fitores historike të qytetarëve shqiptarë.
Do të jetë pranvera e ndryshimit të madh.
Do të jetë pranvera në të cilën shqiptarët, më të bashkuar se kurrë, do ndalin këtë të keqe të madhe që ka pllakosur anekënd këtë vend.
Këtë të keqe, e cila po i përzë shqiptarët më shumë se çdo pushtues.
Kjo e keqe që po i varfëron shqiptarët në mënyrë të pamëshirë.
Kur mendon se 12 vite më parë, shqiptarët me mundin, me djersën e tyre, dolën nga kombi me të ardhura më të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Kur arritën pas shekujsh të kenë rrogat më të larta në rajon.
Kur në Shqipëri, numri i shqiptarëve shtohej nga viti në vit me gjithë vështirësitë dhe problemet.
Pra, Shqipëria ishte një vend shprese dhe mundësish.
Këtë të keqe duhet ta ndalojmë se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme.
Ju jeni njerëz të shëtitur sot dhe kudo që të shkoni, kudo që të shkelni, nuk keni për të gjetur më tokë pjellore se kjo tokë, gjer në Velipojë, Bushati, Vau i Dejës. Nuk ka tokë më të bekuar nga Zoti se kjo.
Kjo bashki ka potenciale mahnitëse.
Nuk ka fjord që mund të krahasohet me liqenin e Komanit. Asnjë!
Nga bukuritë mahnitëse të turizmit shqiptar vitet e fundit dy u bënë më të famshme në botë, Ksamili dhe Lumi i Shalës.
Do t’u rrëfej një ndodhi.
Gjatë 12 viteve, rruga Vau i Dejës-Koman mbeti siç ishte duke u shkatërruar çdo vit e më shumë. Një ditë në parlament, deputetët e Shkodrës ia ngrenë Ramës ndërtimin e rrugës. Aty, në përgjigje, ajo që unë e quaj Lubi Balluku, se nuk ka njeri më të papërmbajtur në plaçkitje, del e tha: Ne investojmë në zona turistike. Nuk kishte injorancë më të madhe, të heqësh nga lista e zonave turistike liqenin e Vaut të Dejës, liqenin e Komanit, lumin e Shalës, Alpet, jo shqiptar, por nuk jeton as në planet. Duhet të jesh alien që të flasësh në këtë mënyrë. Por kjo ishte gjuha në parlamentin shqiptar.
Miqtë e mi, ndalimi i kësaj të keqeje është mision historik për çdo shqiptar.
Ndaj dhe ne këtë vit dalim në këto zgjedhje para shqiptarëve me një program, me të cilin ne duam të ndërtojmë Shqipërinë Madhështore.
Shqipëria Madhështore nuk është një fantazi. Jo.
Nuk është një term absurd, jorealist.
Shqipëria Madhështore në të vërtetë qëndron në genin e këtij vendi. Zoti, natyra e ka bërë këtë vend me pasuritë më të mëdha, me bukuritë më të mëdha, me potencialet më madhështore.
Pra, ne nuk kemi fantazuar, por kemi vlerësuar atë që ofron ky vend për t’u ngritur në madhështinë e tij.
Ky vend ka pasuri përrallore, nëntokësore dhe mbitokësore, ka një tokë nga më pjelloret, ka brigje dhe male fantastike, ka rezerva të pafundme nëntokësore, ka naftë, në Shqipëri rritet çdo gjë.
Atëherë pse ky vend në 12 vite largoi 1 milion shqiptarë vetëm në hapësirën e BE?
Të gjithë u larguan vetëm për dy arsye. Nuk u larguan se nuk ishin të shëtitur. U larguan sepse nuk kishin punë, u larguan nga varfëria. U larguan se në sofrën e tyre nuk mjaftonte ushqimi për të gjithë.
Ndaj dhe ne, me programin tonë kemi vendosur dinjitetin njerëzor të parë. Njeriu dinjitoz është njeriu që nuk flet me vete nga varfëria. Ai që flet me vete nga varfëria, ai është i dënuar. Ai nuk e meriton kurrë atë dënim. Ai nuk e ka atë nga dembelizmi. Jo, ju jeni njerëz të punës.
Mendoni për një moment, në të gjithë fshatin tuaj, sa janë të varfër që nuk punojnë? Absolutisht nuk janë më shumë se 1 në 1 mijë.
Të tjerët janë të varfër se i bën regjimi, se i bën qeveria, se i shfrytëzon qeveria, se i braktis qeveria, se nuk i ndihmon qeveria, se vjedh qeveria pasuritë e tyre.
Nuk ka varfëri se është dembel tjetri, varfëria vjen nga politikat e qeverisë.
Ne kemi vendosur familjen në epiqendër. Merr fund çdo përpjekje për të denigruar familjen shqiptare.
Nuk ka dinjitet pa familje dinjitoze.
Nuk ka dinjitet njerëzor pa një familje dinjitoze. Ndaj dhe ne do sanksionojmë me ligj shenjtërinë e familjes”, u shpreh Berisha.
