Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka bërë një prezantim të detajuar të diskutimeve të tij gjatë vizitës në Strasburg, ku ka informuar Komitetin Antitorturë të Këshillit të Europës për gjendjen alarmante në burgjet dhe komisariatet shqiptare.
Berisha ka theksuar se Shqipëria ka arritur nivele ekstreme të shkeljeve të të drejtave të njeriut, duke përmendur torturat, dhunën ndaj të rinjve dhe kushtet e mjerueshme në burgje.
“Unë informova audiencën e nderuar të parlamentarëve nga e gjithë Europa se Edi Rama arrestoi në vit elektoral, apo vuri në proces penal, tre liderët e partive kryesore opozitare dhe tre të tjerëve u mori mandatet, i mban në arrest shtëpie apo i mban në burg.
Një vend të dytë si Shqipëria nuk ka në këto shkelje.
Shqipëria tejkalonte Bjellorusinë e Lukashenkos dhe ngjiste diku me një vend si Tunizia apo më keq.
Në këto takime bëra historikun e shkurtër të kanabizimit të Shqipërisë, me të cilat u hodhën themelet e narkoshtetit.
Hapjen e Shqipërisë ndaj kokainës.
Shkrirjen në një sipërmarrje të përbashkët të shtetit me drogën dhe krimin.
Vendimarrjen në të gjitha nivelet të krimit të organizuar në Shqipëri.
Këto ishin tezat kryesore që unë paraqita aty të faktuara me dokumente dhe që mund të them se ishin tronditëse për audiencën e nderuar.
Natyrisht impakti, receptiviteti i kësaj ekspozeje ishte shumë pozitive.
Një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, shprehën direkt angazhimin e tyre për të ardhur si vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pata një takim të veçantë në komitetin antitorturë. Ai është një komitet i vetëm i kësaj natyre, me lidhje të fuqishme me institucionet e tjera. E informova për gjendjen dramatike të burgjeve dhe jo vetëm të burgjeve, për torturën që ushtrohet në komisariate, në qeli. Për serialin e vdekjeve të të rinjve shqiptarë si kurrë ndonjëherë me potencialin më të madh të helmuar nga droga.
Për gjobën e tmerrshme që paguajnë të burgosurit gjer në 2 mijë euro për të pasur kushtet më minimale.
Një vëmendje të veçante kishte këtu tortura publike që ata i bënë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta.
Këta zotërinj i informova se shqiptarët kanë humbur përfundimisht parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi në burgjet e tyre, 67 përqind janë të paraburgosur. Nuk ka një vend të dytë në botë. Nga 15-20 përqind që është norma e fryrë, këtu është 67 përqind dhe kjo nuk ka ekzistuar as në diktaturën komuniste.
Mendoj se ky ishte një takim shumë i çmuar, shumë i dobishëm me komitetin e antitorturës”, tha Berisha.
