Gjermanët largohen nga ndërtimi i aeroportit të Vlorës, tjetër goditje për Ramën

Projekti i shumëdebatuar i aeroportit të Vlorës ka pësuar një goditje të rëndë: kompania Munich Airport International (MAI), degë e Aeroportit të Mynihut, ka njoftuar tërheqjen nga angazhimi i saj në ndërtimin e aeroportit në zonën e mbrojtur të Vjosa-Nartës. Vendimi është marrë pas presionit të organizatave ndërkombëtare mjedisore, Parlamentit Evropian dhe qytetarëve të Mynihut, që përmes një peticioni arritën të detyrojnë autoritetet gjermane të distancohen nga një projekt i cilësuar si i papranueshëm dhe shkatërrues për natyrën.

635 qytetarë firmosën peticionin “Raus aus dem Flughafen Vlora”, ku kërkuan që bashkia e Mynihut dhe bordi mbikëqyrës i Aeroportit të ndërprisnin çdo përfshirje në këtë projekt. Laguna e Nartës është një nga zonat më të rëndësishme për shpendët migratorë në Evropë, përfshirë flamingon dhe pelikanin kaçurrel, të cilët janë të rrezikuar nga zhdukja.

“Ky projekt shkatërron një nga pasuritë më të rralla natyrore të kontinentit.”

— Gabriel Schwaderer, drejtor i organizatës EuroNatur

Çfarë ndodhi?
• Qeveria shqiptare po ndërton një aeroport në zonën e mbrojtur Vjosë – Nartë.
• Munich Airport International (MAI) ishte e përfshirë si këshilltare.
• Më 8 prill 2025, MAI njoftoi tërheqjen për shkak të kritikave të ashpra ndërkombëtare.
• Projekti është kundërshtuar nga:
• Parlamenti Evropian
• Komisioni Evropian
• Berner Konvention (Këshilli i Evropës)
• Organizatat mjedisore në Shqipëri dhe jashtë saj

Qeveria shqiptare, ndërkohë, sillet si në një xhungël pa ligj, duke injoruar qëllimisht jo vetëm opozitën e institucioneve të BE-së, por edhe konventat ndërkombëtare që vetë ka firmosur. Në një kohë kur vendet e zhvilluara po përpiqen të mbrojnë çdo metër katror natyrë të mbetur, Shqipëria po e përdor natyrën si beton për propagandë.

Bund Naturschutz në Bavari paralajmëroi se aeroporti do të sillte “shfarosje të shpendëve dhe shkatërrim të jetës së egër në një nga zonat më të rralla të Evropës”. Ndërkohë, EuroNatur e quajti projektin “të paligjshëm” dhe në shkelje të drejtpërdrejtë të Konventës së Bernës.

“Shqipëria është larg, por nuk mund të mbyllim sytë ndaj kësaj shkatërrimi të natyrës.”

— Christian Hierneis, kreu i Bund Naturschutz, Mynih

Tërheqja e gjermanëve është më shumë sesa një vendim teknik. Ajo është një akt politik, një dënim i heshtur për arrogancën me të cilën qeveria shqiptare sillet ndaj natyrës dhe të drejtave ndërkombëtare.

Nëse edhe një partner si Gjermania largohet nga një projekt, atëherë lind pyetja: kush qëndron ende përkrah këtij aeroporti përveç tenderëve dhe klientëve politikë?

Pelikani kaçurrel, kjo spcecie e rrallë që rrezikon të zhduket për shkak të aeroportit ia doli jo vetëm t’i largojë gjermanët, por edhe t’i tregojë qeverisë shqiptare se si duket ajo në Europë. Tani është radha e qytetarëve shqiptarë të flasin./Zoom.al

About Krye Redaktor

Check Also

“Samiti Hagës, themelet e NATO-s së gjeneratës tjetër”!

Gjeneral ® Piro Ahmetaj Sytë/vëmendja e kancelarive, Institucioneve, Instituteve, medias dhe ekspertëve të sigurisë globale janë drejtuar …