Vis Bejleri: Kam qenë pjesë e 1 milion shuplakave! Sot jam këtu për t’i thënë Edi Ramës se unë nuk gënjehem më

Unë jam Vis Bejleri nga Tirana. Ata që më njohin, dhe më shohin sonte këtu, do të thonë “ç’a bën Visi te Berisha?”.

Ata që më njohin e dinë se unë kam votuar për Edi Ramën.

Ata që më njohin e dinë se jam penduar.

Po, unë kam votuar Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Po, unë kam qenë pjesë e 1 milion shuplakave që Edi Rama thoshte se populli i dha Sali Berishës në vitin 2013.

Sot kam ardhur këtu për t’u thënë atyre si unë, që i besuan Ramës, se besimi që i kemi dhënë nuk është shpërblyer. Dhe një besim që nuk shpërblehet duhet marrë mbrapsht.

Sonte unë dua ta marr mbrapsht atë shuplakë dhe ta bëj grusht, si simbol të zhgënjmit tim, të zhgënjimit të shumë miqve të mi me Ramën.

Në 12 vite të pushtetit të tij nuk pamë aspiratat për të cilat na foli në 2013 të realizoheshin.

Lufta kundër korrupsionit u kthye në betejë se kush korruptohet më shumë, dhe kush korrupton më fort.

Shëndetësia falas u kthye në dramën e Onkologjikut, ku të sëmurët rëndë sorollateshin nga spitali në spital; u jepeshin kura të gabuara dhe të skaduara, dënoheshin 2 herë, njëherë nga fati dhe të dytën nga shteti që duhet t’i mbronte.

Tirana, në vend që të rritet- është fryrë; në vend që të zbukurohet -është lustruar, në vend që të prodhojë- konsumon; në vend që të ndërtojë-shkatërron.

Tirana është një fjetore e madhe, një kazino e përnatshme, një luks për më të fortët, por jo një qytet për njerëzit, për qytetarët e saj. Ka korsi bicikletesh, ku lëvzin motorët dhe parkojnë të fortët; ka lagje të reja ku nuk hyjnë dot zjarrfikëset; ka plehra për të cilat paguajmë incineratorin, por incinerator nuk ka.

Në Tiranë është rritur cmimi i metrit katror, por jo cilësia e jetës. Spitalet private dhe publike janë truste të zhvatjes së fatkeqëve. Në Tiranë, ajo që është publike trajtohet si private, dhe ajo që është private nuk gëzohet nga i zoti, por nga çakenjtë afër me pushtetin.

Më 11 maj Edi Rama nuk duhet të marrë një vizë tjetër në pasaportë për të qeverisur edhe katër vjet Shqipërinë.

Unë sot jam këtu për t’i thënë Edi Ramës se unë nuk gënjehem më.

Populli e thotë saktë: po më gënjeve një here, është faji yt; po më gënjeve të dytën, është faji im. Po të lejuam katër herë, nuk është më faj, por krim.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rama është padrino, ka vendosur kodin e mafias, omertan për çdo lloj ballafaqimi në televizion

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar …