Berisha: Do të përgjysmojmë barrën e rëndë të taksave mbi shqiptarët! 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shpallur një angazhim të fortë për përmirësimin e kushteve ekonomike në Shqipëri, duke premtuar një reduktim të ndjeshëm të taksave dhe një mbështetje të madhe për bizneset dhe fermerët shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit për zgjedhjet, Berisha theksoi se një ekonomi e fortë dhe prodhuese është themeli i Shqipërisë Madhështore, duke premtuar se do të rishikohet politika e taksave që ka rënduar qytetarët dhe bizneset.

Miq, a është vetëm kjo Shqipëria Madhështore? Jo.

Shqipëria Madhështore ka një tjetër kolonë të dytë, të fuqishme, që është ekonomia, ekonomia, ekonomia.

Made in Albania, ky vend nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, do të prodhojë të mira për qytetarët e vet.

Ky vend do të prodhojë sepse ne zotohemi sot para jush, para çdo qytetari shqiptar se ne kemi besim të plotë tek iniciativa e tij e lirë.

Ne kemi besim se me iniciativën e tij të lirë, me mundin, djersin, ai do të mund të begatojë veten dhe familjen e tij. Të ndërtojë të ardhmen që meriton.

Ndaj dhe ne do të përgjysmojmë barrën e rëndë të taksave mbi të. Dhe më shumë se përgjysmim.

Isha ditë më parë në një treg, gjeta aty njerëz që sakrifikonin shumë. Kalonin tete orë, dhjetë orë në kushte shumë të vështira me një barrë fiskale absurde, arbitrare. U merrnin 1500 lekë për një metër pllaka në trotuar. Uji me çmime stratosferike. Energjia 18 lekë. Mbi 140 mijë euro të ardhura, u vendosin taksa të rënda.

Pyeta kasapin si të ecën? Doktor, më tha, vetëm në ditë festash kemi të ardhurat që kishim në çdo ditë para këtyre.

Një zonjë u përgjigj, sa e paguan energjinë, 18 lekë, tha. 6 lekë do e kesh, i thashë. Buzëqeshi, kaq e kemi pasur gjatë qeverisë tuaj.

Dhe këto nuk janë favore ndaj demokratëve. Këto janë vendime për çdo shqiptar, të majtë, të djathtë, pa parti, cilido.

Nuk do bëhet kurrë gjah shtrigash ndaj biznesmenëve. Jo dhe jo.

Sot, një vajzë e nderuar, një nënë e nderuar e dy fëmijëve, pedagoge e shkëlqyer në universitet, e kthyer nga jashtë për të ndërtuar ëndrrën në Shqipëri, është kandidate për deputete dhe kjo është Fatmira Kola, më njofton se mister urrejtja, Edi Rama, mizogjeni, i ka mbyllur biznesin, portalin e saj me 72 mijë abonentë pa asnjë paralajmërim.

I ka dërguar furgonat e policisë tek bënte fushatë i tmerruar.

I them këtij burreci 2 metra të gjatë, po përpëlitesh kot se i ke javët e fundit dhe do japësh hesap për çdo akt të tillë.

U them socialistëve se ne kurrë nuk do sillemi ndaj bizneseve të tyre. Jo dhe jo.

Garantoj administratën që e braktisi sot se PD, koalicioni, e vlerëson shumë aktin tuaj dhe u konsideron ju pasuri kombëtare, secilin prej jush që zbaton ligjin, u shërben qytetarëve, refuzoni patronazhistin, aktivistin, këta terroristë elektorale të cilët vjedhin së bashku me zyrtarët e lartë.

Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë kurrë pa një fermë madhështore.

Fermerët shqiptarë u vendosën në kushtet më të pabarabarta sepse argati i Vuçiçit firmosi Ballkanin e Hapur dhe hapi dyert për prodhimet me të cilat kalbin në fushë prodhimet e shqiptarëve.

Merr fund! subvencion për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi.

Mbrojtje sezonale për prodhimet e fermerëve shqiptarë.

Kredi duke paguar qeveria interesin për fermerët.

Mbrojtje dhe subvencionim për të gjitha dëmet dhe fatkeqësitë natyrore.

Një fermë e fuqishme është një fermë prodhuese.

Vetëm në këtë mënyrë do ndërtojmë Shqipërinë Madhështore”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Do ta ndjekim me të gjithë mekanizmat tonë shkeljen e autonomisë vendore nga Edi Rama

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, letra e përfaqësuesve të pushtetit vendor është …