Në prezantimin e programit të PD në Pallatin e Kongreseve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi rëndësinë historike të Kuvendit Kombëtar Elektoral dhe prezantoi projektin e ri për Shqipërinë, të cilin e cilësoi si një mundësi të panjohur për vendin pas 34 vitesh.
Ai falënderoi liderët dhe delegatët e qarqeve të ndryshme, duke përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin dhe të tjerë, për mbështetjen e tyre. Berisha kritikoi kundërshtarët politikë dhe e quajti projektin e PS-së një kopje të dobët të planit të PD-së, duke e krahasuar me dështimin e Nokia-s në përpjekjen për të kopjuar iPhone.
“Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar elektoral të PD.
I dashur zoti Chris LaCivita, të dashur Paul, Phil, Bryan, Austin, miqtë tanë të nderuar të pranishëm.
Të dashur të ftuar, përfaqësues të forcave të koalicionit të ardhshëm qeveritar.
I dashur Renis, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju dhe opozitarëve kudo që ndodhen sot në Shqipëri, në diasporë dhe kudo që janë.
Ky Kuvend është i një rëndësie historike, jo vetëm për PD dhe aleatët e saj, por ky Kuvend është i një historie historike për Shqipërinë, për shqiptarët, për transformimin e saj për dekadat që vijnë.
Ndaj edhe njëherë shumë mirënjohje për ju.
Mirënjohje dhe falënderim të veçantë kam unë për kryetarin e qarkut të Tiranës, zotin Belind Këlliçi, kandidatët e kryeqytetit dhe delegatët e këtij qyteti të bekuar.
Për zotin Oerd Bylykbashi, kryetar i qarkut të Durrësit, kandidatët dhe delegatët, anëtarët dhe simpatizantët tanë të këtij qarku.
Për zotin Tomorr Alizoti, udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit, kandidatët e këtij qarku, delegatët e tij dhe mbarë qytetarët e Elbasanit.
Për zotin Gazment Bardhi, udhëheqës politik i qarkut të Fierit, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD dhe opozitës shqiptare në këtë qark.
Për zotin Bujar Leskaj, udhëheqës politik i qarkut të Vlorës, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku, mbarë qytetarët e Vlorës.
Për zotin Agron Gjekmarkaj, kandidatët dhe delegatët e qarkut të Lezhës, mbarë qytetarët e Lezhës, mbështetës të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Zotit Luçiano Boçi, udhëheqës politik i Shkodrës, Rozafa e lirisë, kandidatët e këtij qyteti, delegatët dhe mbarë qytetarët e Shkodrës.
Për zotin Ivi Kaso, kandidatët dhe delegatët e qarkut të Korçës, në të cilin Ivi Kaso është udhëheqës politik.
Për zotin Tritan Shehu, udhëheqës politik i qarkut të Gjirokastrës, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku.
Për zotin Xhelal Mziu, udhëheqës politik i Dibrës, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku, qytetarët e këtij qarku, mbështetës të palëkundur të PD.
Për zotin Flamur Hoxha, udhëheqës politik i qarkut të Kukësit, kandidatët, delegatët dhe mbështetësit e opozitës shqiptare në këtë qark.
Miqtë e mi, dy ditë Shqipëria përjeton një festë të vërtetë.
Përjeton festën e shpresës, festën e optimizmit, festën e dinjitetit, festën e cila është e gjithë energjia e fitores së 11 majit.
Sot ne jemi mbledhur këtu për të prezantuar një projekt që në 34 vite, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë ndonjëherë.
Një projekt aq i mirë, sa edhe PS, e cila qeverisi 12 vite me mashtrime me vjedhje, u kthye ta vlerësojë, të vjedhë dhe ta kopjojë.
Ndonëse kundërshtarët politikë, Edi Rama e pranoi se nuk ka projekt, apo më mirë të themi, projekti i tij është vetëm dora për të vjedhur.
Por miqtë e mi, kopja mbetet kopje e shëmtuar.
Asnjë nuk gënjehet.
E mbani mend, Nokia tre dekada më parë ishte në zenitin e teknologjisë, por Apple nxori iPhonen e parë, shumë herë më lart se Nokia. Nokia tentoi të kopjojë iPhonen, dështoi.
Apple nuk ia përmendi kurrë kopjen Nokias, por vazhdoi të përmirësojë iPhonen e saj. Sepse kopja mbetet kopje, nuk rritet, nuk shitet, nuk pranohet”, u shpreh Berisha.
