Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka falënderuar shqiptarët e diasporës në Itali, për takimin dhe pritjen madhështore që i rezervuan me takimin e sotëm në Breshia. ‘Pas hapjes epike të fushatës, takimi i parë me ju, shqiptarë të sakrificës që nuk e harruat kurrë vendin tuaj’, u shpreh Berisha gjatë fjalës hapëse të tij me diasporën në Breshia.
‘Këtu në Itali në qytetin e bukur të Breshias dhe kudo, ju e provuat veten shqiptarë të vërtetë. E them këtë sepse kapërcyet çdo vështirësi, tejkaluat çdo pengesë, arritët të ktheheni në qytetarë dinjitozë, njerëz punëtor, njerëz që e nisët jetën nga zero në këtë vend të bekuar. Në pak vite, u bëtë pjesë jetike në ekonominë e Italisë. Si çdo popull emigrant u përballët me paragjykime, por ja ku jeni sot më të mirë, më të fortë, më të mirë se kurrë’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i opozitës Sali Berisha solli detaje nga takimi në Këshilli e Europës, ku Edi Rama u soll si bandit pas refuzimit të darkës në nder të tij. ‘Gjeta që kreut të narkoshtetit shqiptar në Këshillin e Europës ja kishin anuluar darkën zyrtare që do të shtrohej për nder të tij, sepse ishte sjellë në mënyrë të padenjë në tempullin e demokracisë. Darka ju anulua sepse ai foli aty si nipi i xhelatit Spiro Koleka. Se ai foli aty sikur të ishte i biri i Muhamer Gadafit. Se ai foli aty si narkodiktator, por jo vetëm kaq, por kishte marrë bandit të cilët më pas i kërcënuan me qindra mesazhe, ata që i anuluan darkën. I marrë, mendoi se do të trembte Europën me banditë të tij. Në 11 maj, shqiptarët e diasporës do firmosin fundin e narkodiktaturës’, u shpreh Berisha.
Nga Breshia e Italisë, si destinacioni i parë i takimeve me diasporën për të vijuar fushatën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, pas takimeve në Tiranë, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se prezenca e kryestrategut amerikan, Chris LaCivita nuk është për para, më shumë se sa dëshira për të risjellë në pushtet liderin demokrat dhe PD.
Gjatë fjalës para bashkë-atdhetarëve në Itali, Berisha tha se Chris LaCivita kishte oferta dhe më të mëdha nga opozita të tjera, por zgjodhi të ishte krah tij dhe demokratëve, teksa nuk e kurseu mirënjohjen ndaj tij për vendimin e marrë për të qenë me demokratët.
Në paraqitjen e programit për diasporën, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, ai do të jetë favorizuar për ta, sepse çdo shqiptar që kthehet për të investuar në Shqipëri, do të jetë 5 vite pa taksa.

FJALA E PLOTE
Të dashur bashkëatdhetare dhe bashkëatdhetarë të mi, të pranishëm në këtë sallë, në Breshia, në Itali dhe kudo që ndodheni sonte, përshëndetjet e mia më të përzemërta.
Të dashur Bardhosh, Edmir, organizatorë të këtij takimi të jashtëzakonshëm.
Kandidate dhe kandidatë të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore të pranishëm në këtë sallë.
I dashur Cris, i dashur Paul mirënjohjen më të pakufishme për praninë tuaj.
I nderuar miku i shqiptarëve, përfaqësuesi i partisë aleate në të gjitha kohërat, Forza Italia, i nderuar Maurizio Cazargo, kryetar komisioni i dy dhomave në parlamentin Italian.
Mirënjohet më të madhe për praninë tuaj sot në këtë sallë.
Ju falënderoj për këtë pritje madhështore, ju falënderoj për frymën e fitores që krijuat, ju shqiptarët e diasporës në këtë fushatë historike. Nderimet më të mëdha për të gjithë ju që shndërruat vitin 2025, në vitin tuaj, në vitin e Diasporës shqiptare.
Në vitin e fitores shqiptare mbi diktaturën, krimit dhe vjedhjes së tyre, në vitin e shpëtimit të Shqipërisë.
Miq, stacioni i parë që nisa pas startit epik të fushatës elektorale dy ditë më parë në Tiranë, jeni ju, është Breshia, sepse kjo fushatë që kemi nisur është një fushatë madhështore, është shpresëdhënëse, falë jush, falë diasporës shqiptare, ndaj jam sot shumë i frymëzuar, shumë i nderuar të ndodhem midis jush.
Sepse vetë historia juaj është burim frymëzimi. Ju jeni shqiptarët e sakrificave të mëdha, takimi me ju është takimi me sakrificën më fisnike të njeriut.
Por ju jeni shqiptarët e suksesit, e arritjeve të mëdha, sepse ju erdhët në Itali në këtë vend mik të Shqipërisë, si njerëzit më të vuajtur nga diktatura komuniste në Europë.
Ju erdhët në Itali si njerëz para të panjohurave të mëdha, ashtu siç është udhëtimi i një emigranti dhe populli italian, Italia mike ju ofruan ju bujarinë, mikpritjen, njerëzinë e tyre.
Ndaj dhe një falënderim i madh shkon për miqtë tuaj italianë, për kombin italian, Viva Italia.
Këtu në Itali në qytetin e bukur të Breshias dhe kudo, ju e provuat veten shqiptarë të vërtetë. E them këtë sepse kapërcyet çdo vështirësi, tejkaluat çdo pengesë, arritët të ktheheni në qytetarë dinjitozë, njerëz punëtor, njerëz që e nisët jetën nga zero në këtë vend të bekuar.
Në pak vite, u bëtë pjesë jetike në ekonominë e Italisë.
Si çdo popull emigrant u përballët me paragjykime, por ja ku jeni sot më të mirë, më të fortë, më të mirë se kurrë.
Ju punuat me ndershmëri dhe me këtë punë ju fituar respekt dhe mirënjohje. Por ndonëse sot ju keni ndërtuar një jetë dinjitoze këtu në Breshia, ju kurrë nuk e harruat vendin tuaj, kurrë nuk e braktisët me shpirt dhe zemër atdheun tuaj, familjet tuaja.
Ju e provuat veten shqiptarë të vërtetë, sepse të jesh shqiptarë do të thotë të kalosh çdo pengesë.
Të jesh shqiptarë do të thotë të bësh të pamundurën të mundurën, dhe mbi të gjitha shqiptar të bën dashuria e pashuar për Shqipërinë, dheun tënd.
Ja se pse takimi me ju është takimi më frymëzues, sepse është takim me sakrificën, me arritjen dhe suksesin, me shpirtin e pamposhtur shqiptar.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet e emigrantëve shqiptarë kudo që janë.
Të dashur miq!
Nëse ka një forcë politike në Shqipëri që mishëron këto trajta shqiptare që ju mishëroni, kjo është Partia Demokratike. Vërtetë kaluam një opozitë të gjatë, kaluam një proces rithemelimi të vështirë, vërtetë u luftuar me egërsinë më të madhe 3 vite me radhë, me qëllimin më të lig për të zhdukur dhe krijuar Shqipërinë pa opozitë.
Po ashtu si ju, ashtu si ju, si diaspora që fitoi çdo sfidë dhe ne kaluam çdo pengesë. Ne u ringritëm nga hiri për një mision të shenjtë, mbrojtëm demokracinë, mbrojtëm interesin kombëtar dhe do të shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë.
Diktatura e Edi Ramës, tashmë botërisht i njohur si drejtues i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Por edhe në këto ditë të vështira, më të vështira, miqtë tanë italianë udhëheqës dhe drejtues të Forza Italia qëndruan me PD, na dhanë zemër, na mbështetën dhe vazhduan traditën e të pavdekshmit, italianit të madh Silvio Berlusconi që ishte miku më i madh i PD dhe jo vetëm, miku më i madh i shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Miq, sot ne mbyllim një javë të jashtëzakonshme në historinë e opozitës.
Një javë të rëndësishme për mbrojtjen e votës së shqiptarëve.
Një javë që ka ofruar shqiptarët më afër se kurrë me fitoren në 11 maj.
Unë vij tek ju me tre lajme shumë të mira nga kjo javë.
Miq të mi, fasada ra. Së pari dua tu them se të hënën që kaloi u prita në Asamblenë Parlamente në Këshillin e Europës, tempullin e madh të demokracisë evropiane, në dy ndëgjesa, në dy grupet kryesore parlamentare kushtuar Shqipërisë dhe para një seri takimesh të veçanta përfshirë këtu, kryetarin e asamblesë së Këshillit të Europës dhe delegacione të vendeve anëtare, në të cilat unë isha zëri i shqiptarëve.
Paraqita narkodiktaturën e Edi Ramës. Njoha miqtë tanë në Europë se narkodiktatori për të marrë një mandat të 4-të arrestoi, burgosi liderët e tre partive kryesore opozitare.
Për të marrë një mandat të 4-të licencoi mbjellje të reja të kanabisit.
Për të marrë një mandat të 4-të ka aktivizuar bandat e krimit të organizuar në Shqipëri, në Dubai, në Aruba, kudo që janë.
Por informova miqtë e mi europianë se përsëri ne do të fitojmë.
Informova se nuk ka dhënë politike, nuk ka bandit dhe banda, nuk ka krim të asnjëlloji që mund të mposhtë shqiptarët në diasporë, në Itali dhe në botë.
Se ata me 11 maj firmosin fundin e Edi Ramës, fundin e narkodiktaturës.
Në këto takime, në këtë vizitë, gjeta atë që smund të ma priste mendja kurrë.
Gjeta që kreut të narkoshtetit shqiptar në Këshillin e Europës ja kishin anuluar darkën zyrtare që do të shtrohej për nder të tij, sepse ishte sjellë në mënyrë të padenjë në tempullin e demokracisë.
Darka ju anulua sepse ai foli aty si nipi i xhelatit Spiro Koleka.
Se ai foli aty sikur të ishte i biri i Muhamer Gadafit.
Se ai foli aty si narkodiktator, por jo vetëm kaq, por kishte marrë bandit të cilët më pas i kërcënuan me qindra mesazhe, ata që i anuluan darkën.
I marrë, mendoi se do të trembte Europën me banditë të tij.
Kjo ishte historia e tij në Këshillin e Europës miqtë e mi.
Të mërkurën në Parlamentin Europian, në komisionin më të rëndësishëm të këtij parlamentit, të politikës së Jashtme dhe Sigurisë, në një akt madhor, të jashtëzakonshëm u zhvillua ndigjesa për Shqipërinë, kushtuar totalisht zgjedhjeve të 11 majit.
Parlamentarët europianë njëri pas tjetrit denoncuan dhunimin e zgjedhjeve të shkuara nga armiku i votës së lirë, Edi Rama.
Denoncuan dhunën ndaj opozitës.
Denoncuan përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij. Shkrirjen e pushtetit të tij me krimin.
Miq, ju informova për këto, për të ju thënë se jo vetëm SHBA-të ndryshuan pas fitores së presidentit Donald Trump, që i preu kokën gjarprit Soros, por sot Europa i ka sytë të tëra tek 11 maji, tek vota juaj, tek fitorja juaj, fitorja e Shqipërisë.
Miq!
Lajmi tjetër ishte çelja e fushatës elektorale të këtyre zgjedhjeve. Në fakt ajo çelje fantastike, ajo çelje madhështore e paparë në 32 vite i ka rrënjët në zemrat dhe mendjet tuaja. Ishit ju që shpërthyet në entuziazmin më të papërmbajtur në takimet që pata në këtë vend me ju.
Ishit ju që u bëtë frymëzuesit, që u dhatë zemër, shpirt dhe optimizëm mbarë shqiptarëve të cilët tejmbushën sheshin ‘Nënë Tereza’ atë natë me një entuziazëm të paparë kurrë.
Kush mendonte 3 muaj më parë se kjo do të ishte sot Partia Demokratike, partia e idealeve tuaja.
Por miq, kush imagjinonte, cili imagjinonte në Shqipëri apo jashtë saj se, në këtë fushatë shqiptarët do ti përshëndeste njeriu i cili kishte qenë bashkëarkitekti i rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Chris LaCivita.
Me ardhjen e tij në Shkurt, të nesërmen Edi Rama i ra tavolinës me grushte, vetëm sa nuk i ra me kokë.
Tani e sheh veten të humbur dhe përpiqet ti japë zemër me gënjeshtrat që beson.
Miq, miku ynë Chris LaCivita nuk erdhi as për para, as për influenca sepse opozita të tjera më të mëdha se e jona, më të fuqishme i kishin bërë dhjetëra e dhjetëra oferta.
Por arkitekti i rikthimit, ai e ndjeu se Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të riktheheshin në pushtet.
Ndaj dhe ne kemi mirënjohje të pakufishme.

Po këtë javë, dje ne paraqitëm programin e ‘Shqipërisë Madhështore’ programin të cilin ju garantoj se PD do ta shndërrojë në realitet në 4 vitet e para të qeverisjes së saj.
Ky program buron nga shpirti juaj, buron nga zemra juaj, buron nga forca juaj, ky program ka ekspertizën më të lartë që mund të ketë pasur një program ndonjëherë.
Ky program parashikon rikthimin tuaj, investimet tuaja në Shqipëri, ëndërrat tuaja në Shqipëri.
Ndaj dhe e nisim me paketën e dhembshurisë në mënyrë që ju, remitancat tuaja me të cilat keni shpëtuar familjet tuaja, keni shpëtuar ekonominë shqiptare, ti kurseni dhe të vini të investoni 5 vite pa taksa.
200 euro do të jetë minimumi jetik.
500 euro do të jetë rroga minimale.
1200 euro do të jetë rroga mesatare.
5 vite pa taksa për ju. Pjesëtim disa herë i taksës së pronës për ju, shkolla për fëmijët tuaj kudo që jeni.
Kombi do të shkrihet në një. Të drejta politike me ligj dhe statut për të përfaqësuar diasporën në proporcion në gjitha institucionet e vendit.
‘Made in Albania’ projekti i Shqipërisë. Shqipëria prodhuese, prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim.
Prodhimi është punësim.
Prodhimi është mirëqenie.
Prodhimi është rrogë e lartë.
Të dashur miq!
Dje Toto Rino i Shqipërisë, paraqiti programin.
Ai hapi fushatën më të shkretë që ka hapur ndonjëherë ajo parti, që nga koha e Partisë së Punës, gjer sot.
Dua të falënderoj në emër tuaj, socialistët e Tiranës dhe qytetarët e Tiranës.
Të falënderoj punonjësit e administratës që e lanë atë në vetminë më të madhe.
Jeni treguar patriotë, ju garantoj se programi ynë është program për të gjithë shqiptarët.
Ai u përpoq të mbulojë dështimin me vallen e ministreshave të tij, të stolisura sikur të ishin sulltanesha të Zululandit me aksesorë e xhingla mingla nga më të kushtueshmet.
Shifni vetë.
Në të gjithë fjalën e tij, fjala qytetar nuk ekziston. Hallet e qytetarëve nuk ekzistojnë. E mbyllën programin me vallen e hajdutit duke u thënë shqiptarëve, se u kemi vjedhur dhe do tu vjedhim dhe u them unë sot, 11 maji po vjen, është fundi juaj, ligji ju pret.
Të dashur miq!
U tundi dje shqiptarëve dje dhe sot, pasaportën evropiane.
Pasaporta evropiane e Edi Ramës ka fytyrën e Taulant Ballës, ka fytyrën e tij, ka fytyrën e Erion Veliajt, fytyrën e Lefter Kokës, fytyrën e Irgys Çyrbes, ka fytyrën e Safet Bajrit, ka fytyrën e Suel Çelës, ka fytyrën e bandave, e hajdutëve më të mëdhej në Europë.
Pasaporta e tij është mashtrimi i fundit që nuk shqiptar që e beson.
Mos harroni kurrë se në këto 10 vite, 1 mln shqiptarë morën pasaportën Europiane, por vetëm duke u larguar nga Edi Rama dhe Shqipëria.
Ndaj dhe ti japim atij përgjigjen që meriton me 11 maj.
Ju bëj thirrje ju që jeni në këtë sallë, të gjithë qytetarëve shqiptarë në Itali dhe kudo që janë, të ulen të bisedojnë me çdo shqiptar që është regjistruar për të votuar, të votojnë ndryshimin, të votojnë rotacionin, të votojnë 1-shin.
Ne jemi 1-shat. (Noi siamo uno)
Është numri i diellit!
Është numri i fitimtarëve,
Është numri i atdhetarëve,
Është numri i shqiptarëve,
Është numri juaj,
Është numri i fatit të Shqipërisë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!