Tuneli i Llogarasë, një nga veprat më të përfolura infrastrukturore në Shqipëri, vazhdon të jetë i mbyllur që prej vitit të kaluar. Sezoni i ri turistik po vjen, por hyrja e tunelit që përfaqëson një nga investimet më të shtrenjta publike të dekadëssë fundit, është e bllokuar.
Mjetet e qytetarëve dhe turistëve që kanë nisur të vizitojnë plazhet e jugut vazhdojnë të bëjnë kalvarin e qafës së Llogarasë.
Tuneli qëndroi i hapur vetëm pak muaj dhe u mbyll më 5 nëntor 2024. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), mbyllja kishte për qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme për dorëzimin e plotë të projektit . Ministria e Infrastrukturës sqaroi më tej se bëhe fjalë veçanërisht për ato punime që lidhen me parametrat brenda tunelit të emergjencës.
Burime jozyrtare flasin për probleme me sistemet e ventilimit dhe ndriçimit, të cilat nuk është e qartë nëse i kanë kaluar testet e kontrollit të sigurisë. Ka edhe dyshime për mungesë të strukturës menaxhuese që duhet ta operojë tunelin pas ndërtimit. Por Zoom.al nuk mund t’i verifikonte këto versione, pasi autoritetet nuk flasin.
Ministria e Infratrukturës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk japin asnjë shpjegim dhe asnjë datë se kur do të hapet. Nëfaqet zyrtare nuk ka asnjë njoftim.
Sezoni turistik 2025 po afron. Kolonat e makinave kanë nisur të ngjiten sërish në kthesat e Llogarasë. Tuneli që mund t’i kishte shpëtuar nga lodhja dhe rreziku, i ngjan një bunkeri bosh. Ai qëndron i mbyllur në këmbët e Llogarasë si simbol i një qeverie që veprat publike i trajton si pronë private.
Tuneli 6 kilometër i gjatë, pjesë e segmentit Orikum-Dukat, ka kushtuar mbi 140 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe financimet e huaja. Është ndërtuar nga një prej kompanive të preferuara nga qeveria, me procedura tenderuese që kanë ngritur pikëpyetje të shumta.
Në hapjen e tij provizore, kryeministri Edi Rama e quajti një vepër historike që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut. Deri tani ai s’ka ndryshuar asgjë për këtë vit, ndërsa kur të dorëzohet plotësisht ai do të jetë me pagesë./Zoom.al