Berisha: Vlora do të ketë një zonë të lirë industriale! U bëj thirrje mësuesve dhe administratës, dilni në anën e drejtë të histories

Kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se, Vlora do të jetë zonë e lirë industriale, me qëllim që të rriten investimet.

Gjatë fjalës së tij në Vlorë, lideri i PD-së u ka bërë thirrje mësuesve dhe punonjësve të administratës që të braktisin Ramën dhe të bashkohen në anën e drejtë të historisë.

“Njëherë t’u përgëzoj ju që e përzutë Edi Ramën dhe nuk guxoi të kandidojë më në Vlorë dhe kjo është një fitore e moralit tuaj.

Është një fitore morale.

Çfarë bëri ai? A e dini ju o miq se me tunelin e Llogarasë ia mbylli sytë qafës më të bukur që ka Shqipëria për të marrë 50-60 milionë euro me Lubi Ballukun dhe tani ndërton rrugën për t’i falimentuar të gjitha bizneset e parkut të Llogarasë.

I garantoj se ajo do korrigjohet dhe se unë kam respektin më të madh për ato investime që kanë bërë. Investimet në parkun e Llogarasë janë më të bukurat, ndër më të mirat dhe askush nuk ka të drejtë që të bëjë atë që po bën Edi Rama.

Sheshin e Flamurit, ky nuk ka flamur. Po flamuri është sheshi dhe sheshi është flamuri. Një njeri që ka flamur nuk e prek kurrë, por përulet para tij.

Miqtë e mi, vite më parë kam pritur përfaqësues tuaj të biznesit.

Ata bënë një projekt për parkun industrial. U garantoj se do ketë zonë të lirë industriale.

U garantoj se PD për biznesin e vogël do ngrejë tavanin nga 140 mijë euro pa taksa në 180 mijë euro.

Se energjinë do e pjesëtojë me 3.

Se do ketë linja krediti të buta për ta.

Se për sipërfaqet publike, do të pjesëtohen me 5 herë tarifat.

Dhe se ky Dredha i dytë, që është njëlloj si i pari dhe më i keq se i pari, bashkë me Erionët dhe të tjerë, nuk do mund të vendosin taksa më shumë se 1 përqind të xhiros për biznesin e vogël.

Taksat, tatim fitimi nga 23, zbret në 10 përqind.

TVSH zbret në 15 përqind.

Çdo fermer do subvencionohet për çdo fidan, për çdo bagëti, për çdo njësi prodhimi.

Shqipëria do dyfishojë edhe njëherë numrin e ullinjve, do dyfishojë arrorët.

Kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, thoshte Konica, do të bëhet më madhështor se kurrë.

Diaspora, krenaria jonë, vitin 2025 është viti i diasporës, është viti i shpëtimit të Shqipërisë.

Pesë vite pa asnjë taksë.

Kredi për strehimin e tyre.

Kredi të buta për bizneset e tyre.

Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria e ëndrrës së këtyre të rinjve, epiqendër e fuqishme e teknologjisë më të lartë.

Ne do e vendosim Shqipërinë në trenin e teknologjisë së shpejtë.

Shqipëria do jetë shembull në rajon.

Nga Konispoli gjer në Vermosh, çdo shqiptar që dëshiron të vendosë panelet fotovoltaike, do i vendosë me ndihmën e shtetit dhe financimin e tij dhe pas tre vitesh do ketë falas energjinë elektrike.

Arsimi është prioriteti ynë absolut. Mësuesi do vendoset në piedestal. Shkollat të gjitha do kenë formën më të thellë të dixhitalizimit.

Garantoj mësuesit se nuk do ketë, siç hapin këta lajme se këta do shkurtojnë, jo, do ulim numrin e nxënësve nëpër klasa dhe ndoshta do ketë nevojë për mësues më shumë se ç’janë.

Mësuesve dhe punonjësve të administratës u bëj thirrje, mos qëndroni në anën e të keqes. Dilni në anën e drejtë të historisë.

Mos u rreshtoni me të keqen se ne u konsiderojmë ju pasuri kombëtare.

Të gjithë ju që zbatoni ligjin keni dhe do keni respektin tonë më të madh.

Natyrisht ai që bëhet patronazhist, ai në qafë merr veten e vet sepse ligji nuk ia lejon. Morali e dënon, ndërsa ju të tjerët kini kurajo, ndahuni me të keqen, bashkohuni me popullin opozitar, bashkohuni me Shqipërinë!”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Premtimi i Berishës që shpëton Krujën: Brenda mandatit të parë rruga që lidh Krujën me Tiranën

Qytetar: Ne si qytetarë të Krujës duam diçka për Krujën personalisht, çfarë do të bëhet sepse …