Në një takim elektoral në Mirditë, kandidati i PD – ASHM, për qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj u shpreh se përballë padrejtësive dhe dhimbjes së qytetarëve, nderi më i madh në jetën e tij do të ishte përfaqësimi i Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai theksoi rolin historik të Mirditës në mbrojtjen e vlerave kombëtare, duke e cilësuar këtë krahinë si promotor dhe frymëzim për ndryshimin që PD synon të sjellë. Sipas tij, fitorja e Partisë Demokratike do të nisë pikërisht nga këto treva fisnike.
Fjala e Agron Gjekmarkajt
Përballë padrejtësive e dhimbjes suaj, nuk do të pranoja nder më të madh në jetën time sesa të përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë Lezhën, Mirditën dhe Kurbinin
Vëllezër e motra mirditorë,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i PDSH-së, mik e koleg, z.Flamur Noka
Të nderuar deputetë e kandidatë për deputetë,
I nderuar z. Picaku, kryetar i PD-së Mirditë,
I nderuar z. Mëlyshi, kryetar i bashkisë Mirditë
I dashur z. Noka, ju lutem, përcillini Prof. Dr. Sali Berishës premtimin tonë solemn:
Fitorja e Partisë Demokratike, fitorja e Shqipërisë dhe e të gjithë shqiptarëve, do të nisë nga Mirdita, Lezha dhe Kurbini.
Mirdita dhe mirditorët fisnikë do të jenë, si gjithmonë, frymëzues, promotorë dhe mbrujtës të fitores.
Të fitores së Partisë Demokratike, të Shqipërisë madhështore.
Sepse janë mirditorët e Kanunit të Maleve, pasardhësit e kapidanëve zemërgjerë, të Abatit shqipëribërës Imzot Preng Doçi, të Ambroz Marlaskajt, filozofit e prelatit, deputet i parlamentit shqiptar në vitet 1920-1924 dhe të shumë burrave të tjerë mirditorë, të njohur për kontributin e tyre për Shqipërinë dhe shqiptarinë.
Rrallë herë ka ndodhur në historinë moderne të Shqipërisë kjo që do të ndodhë në 11 maj.
Që kontributi i Mirditës dhe i mirditorëve, i burrave e grave të këtyre trevave heroike ku jetojnë shpirtra të lirë, të jetë kaq përcaktues për fatin e Shqipërisë.
Me mençurinë e saj, Mirdita u dha shqiptarëve sinjalet e para të rrezikut të murtajës komuniste që po pllakoste Shqipërinë në mes të shekullit të kaluar. Pagoi çmimin e historisë por edhe mori lavdinë e saj.
Sot, me qëndrimet dhe vlerat e tyre, mirditorët po u tregojnë shqiptarëve çfarë fshihet pas gënjeshtrave dhe makijazhit të Rilindjes.
Të asaj qeverisjeje neokomuniste dhe autoritariste.
E cila do të mbetet në historinë tonë si një qeveri grabitjesh e plaçkitjesh të pasurive të shqiptarëve dhe të mirditorëve.
Në asnjë krahinë tjetër të Shqipërisë sonë të dashur nuk është kaq i thellë dhe kaq i dukshëm kontrasti që vërehet në Mirditë.
Mirditës, të cilës Zoti dhe natyra i kanë falur pasuri të mëdha njerëzore e natyrore, por që qeverisja e korruptuar e Edi Ramës i ka kthyer krahinat e Mirditës në mjerim.
Këto thesare do të kishin lulëzuar Rrëshenin, Rubikun, Kthellën, Fanin, Selitën, Oroshin, Kaçinarin dhe fshatrat e këtyre zonave.
Po në fakt kanë mbushur xhepat e pushtetarëve dhe oligarkëve, shfrytëzuesve të Mirditës dhe të gjithë shqiptarëve.
Partia Demokratike do ta nxjerrë Mirditën dhe Shqipërinë nga errësira ku e ka zhytur kjo qeveri.
Ashtu siç ka bërë gjatë 13 vjetëve të qeverisjes së saj, duke e futur shoqërinë, shtetin dhe kombin shqiptar në zhvillimet moderne e demokratike bashkëkohore, duke e rikthyer pjesë të qytetërimit perëndimor, atë to bëjë sërish PD.
Rrënimit të Rilindjes ne do t’i përgjigjemi me ndërtimin e Shqipërisë, jo rindërtimin e hajdutëve.
Ikjes së shqiptarëve do t’i përgjigjemi me kthimin e tyre në atdheun e dashur që mezi i pret.
Korrupsionit do t’i përgjigjemi me ligjshmëri, ndershmëri e përkushtim për Shqipërinë, jo për babëzinë.
Historia e Sali Berishës është garantja e këtyre angazhimeve.
Prandaj përballë padrejtësive e dhimbjes suaj, nuk do të pranoja nder më të madh në jetën time sesa të përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë Lezhën, Mirditën dhe Kurbinin.
Kjo është fjala jonë, ky është misioni ynë që buron nga përgjegjësia jonë kombëtare.
Dhe shqiptarët e dinë nga historia e vjetër dhe moderne se çfarë ndodh kur premtojnë mirditorët, këta burra kreshnikë e trima, siç i quante Sami Frashëri.
Ju përqafoj dhe ju falënderoj të gjithëve.